TIRANË, 12 Shkurt/ATSH-Z.Tosku/- Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve denoncon ashpër të gjitha format e abuzimit seksual ndaj fëmijëve.
Në një deklaratë per median, duke marrë shkas nga rastet e bëra publike mbi abuzimin seksual ndaj fëmijëve, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve ka denoncuar ashpër të gjitha format e abuzimit seksual ndaj fëmijëve .
"Është shqetësues fakti se shumë prej rasteve të raportuara të abuzimeve me fëmijët, ndodhin brenda familjes. Kjo i bën fëmijët akoma më të pashpresë, pasi dhunohen nga njerëzit të cilët kanë detyrën t'i mbrojnë. Ndaj është detyrë e të gjithë atyre që kanë një dyshim për dhunë apo abuzim seksual ndaj fëmijëve, të denoncojnë menjëherë rastet në polici, për të mundësuar parandalimin apo marrjen në mbrojtje të fëmijëve si dhe arrestimin e dhunuesve", ka nënvizuar Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.
Ndërkaq, ky insttucion i ka bërë thirrje drejtësisë të veprojë sa më shpejt, duke përdorur të gjitha mundësitë që ofron ligji për të dënuar abuzuesit." Njëkohësisht i bëjme thirrje strukturave publike për mbrojtjen e fëmijëve në nivel vendor të trajtojnë rastet me përparësi"./a.g/










