Vrasja e 8-vjeçarit në Fier, qytetarët marshim në Tiranë, u bashkohet edhe Lindita Nikolla: Të luftojmë bashkë fenomene të tilla, kemi një draft për regjistrin kombëtar të dhunuesve

Vrasja e 8-vjeçarit Mateo Vasiu në Fier dhe abuzimet e shumta me fëmijët që kanë ndodhur kohët e fundit në Shqipëri kanë revoltuar opinion e gjerë publik. Kjo ka bërë që shoqëria civile të organizojë një marshim ndaj këtyre rasteve, që përkon me Ditën Botërore për eliminimin e dhunës dhe shfrytëzimit ndaj fëmijëve, 19 nëntori. Me dhjetëra qytetarë kanë nisur marshimin nga sheshi Skënderbej, më pas drejt Bulevardi në krah të Ministrisë së Brendshme dhe më pas në bulevardin Dëshmorët e Kombit, para Kuvendit, Kryeministrisë, Presidencës dhe më pas në Sheshin Nënë Tereza.

Marshimit i është bashkuar edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila ka bërë thirrje që këtij marshimi duhet t'i bashkohen të gjithë. Familjarët e Mateos dhe shumë qytetarët kanë kërkuar rikthimin e dënimit me vdekje duke firmosur edhe një peticion. Nikolla tha se këto kërkesa bëhen nën ndikimin e emocioneve të forta që ka shkaktuar ngjarja.

“Jam në dijeni, këto janë momente të forta emocionale e në këto momente ndoshta s’është vendimmarrja e duhur. Shqipëria e ka adresuar një moment të tillë. Shqipëria është pjesë e standardeve të BE dhe nuk mendoj që ky dënim s’do jetë ai që do bëjë të mundur marrja e këtij vendimi s’do jetë gjëja e duhur për të adresuar, ka shumë probleme të tjera që do i adresojmë që sa të mundemi të ecim para e të parandalojmë ngjarje të tilla, janë vendimmarrje që s’duhen marrë në emocione të tilla të forta. Parlamenti do punojë do e përdorë këtë moment për të përfshirë të gjithë grupet e interesit që të kemi sa më shumë një proces shterues për të mësuar nga pikëpamja ligjore, nuk mjaftojnë vetëm ligjet, ligjet duhen zbatuar, duhet edhe një ndërgjegjësim që të parandalojmë fenomene të tilla e mos ndodhemi para një ngjarje makabre si ajo e Fierit”, tha Nikolla për mediat.

8-vjeçari Mateo Vasiu u vra në mënyrë makabre nga Klodian Çalamani të martën, 16 nëntor, duke krijuar jo pak zemëratë dhe revoltë te qytetarët. Familjarët mësynë ditën e djeshme të gjykata e Fierit, ku do t'i jepej masa e sigurisë Çalamanit, për t'u përballur me vrasësin e të voglit të tyre, duke krijuar jo pak tensione. Ata kërkojnë dënimin me vrasje dhe vënien e drejtësisë në vend për Mateon. Nga dje, familjarët e të miturit kanë nisur me mbledhjen e firmave në qytete të ndryshme të vendit në një peticion me qëllim rivendosjen e dënimit me vdekje. Ndërkohë, për shkak të zemëratës së madhe, Çalamani, të cilit iu caktua dje masa 'arrest me burg', u fut në izolim në burgun e Vlorë, për shkak të frikës së një sulmi në burgun e Fierit.

 

I.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës