Puna e komisionit hetimor për emërimet në administratën publike ka hyrë në një hulli procedurash dhe mosmarrëveshjesh, me shkresa, kërkesa, kundërshti, shtyrje afatesh etj. Palët ndahen që tek modalitetet e hetimit të emërimeve dhe largimeve nga puna. Ka gjithashtu një debat, sipas të cilit, të dhënat si vendlindja për punonjësit, bien në kundërshtim me ligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Për këtë arsye, komisioni i ka kërkuar mendim Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Po ashtu, mazhoranca mendon se një pjesë e objektit të hetimit të këtij komisioni është ezaurur, pasi ka hyrë në fuqi ligji për dekriminalizimin. Objekti i komisionit, përpos evidentimit të emërimeve dhe shkarkimeve të paligjshme, është konstatimi i punonjësve të administratës që janë dënuar. Sipas të gjitha gjasave, çështja e objektit të komisionit, do të kthehet në mollë sherri në mbledhjet e ardhshme. Një tjetër sfidë, për komisionin hetimor, mbetet zgjerimi i objektit të hetimit. Komisioni ka zgjeruar edhe objektin e veprimit nga pushteti qendror, në pushtetin vendor.