TIRANE - Anëtarët e Partisë Demokratike që janë pjesë e administratës publike në të gjitha nivelet e qeverisjes kanë bojkotuar masivisht pjesëmarrjen në votimin e djeshëm për kreun e PD. Garë e cila u zhvillua mes kreut aktual të bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe ministrit në detyrë Sokol Olldashi.

Frika nga ekspozimi përmes mediave përpara pushtetarëve të rinj, dhe frika se mos humbin vendin e punës, ka bërë që këta demokratë që punojnë në shtet të mos jetë pjesë e armatës së 105 mijë anëtarëve të Partisë Demokratike që iu drejtuan dje qendrave të votimit të ngritura në të gjitha rrethet, për të zgjedhur se kush do të jetë kryetari i ri i PD, pas dorëheqjes së Sali Berishës. I cili 3 ditë pas zgjedhjeve të 23 qershorit pranoi humbjen dhe përgjegjësinë për humbjen e thellë të zgjedhjeve parlamentare.

Burime të besueshme pranë PD kanë thënë se pjesa më e madhe e anëtarëve të PD që janë pjesë e administratës së lartë në kryeqytet, por kryesisht në qytetet kryesore ku janë pjesë e administratës së prefekturave dhe ata që kanë shpëtuar nga “fshesa” e drejtuesve të rinj nëpër bashki dhe komuna, pra mbi 50 përqind e të cilëve nuk kanë votuar. Shkak kryesor është frika se mos humbin vendin e punës duke u ekspozuar si demokratë në këtë situatë pezullie të ndërrimit të pushteteve.

Më të theksuar këto bojkote për arësye sigurie të vendit të punës kanë qënë në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë dhe qytete të tjera të rëndësishme të vendit. Mësohet se as thirrjet e njëpasnjëshme përmes telefonit nuk kanë mundur që të dërgojnë këtë kontigjent anëtarësh të PD në qendrën e votimit për të hedhur votën për njërin prej kandidatëve demokratë në garë për të qënë pasuesi i Berishës në krye të PD.

Qendrat e votimit zyrtarisht u hapën nga ora 08:00 e mëngjesit dhe u mbyllen në orën 19:00. Ishin gjithsej 57 qendra votimi, nga të cilat 18 në qarkun e Tiranës dhe 39 të tilla në të gjitha rrethet e vendit. Në të gjitha qendrat e votimit kanë shkuar 120 mijë fletë votimi, më shumë se sa anëtarësia e PD, një pjesë e e së cilës janë paraqitur pranë këtyre kutive ditën e djeshme për të hedhur votën për kandidatin e preferuar për kryetar të PD.

Fleta e votimit ka qënë me ngjyrë blu të hapur dhe me siglën e PD në gjithë sipërfaqen e saj, ku janë të shënuar emrat e kandidatëve Lulzim Basha dhe poshtë Sokol Olldashi. Këto fletë mësohet se janë shtypur jashtë vendit për arësye sigurie. Ndërsa i gjithë procesi udhëhiqet nga Komisioni zgjedhor, i ngritur pranë PD, që përbëhet nga kryetari Gjergj Lezhja, anëtarët Halit Shamata, Paulina Hoti, Gazmend Dibra, Bahrije Isufi, Arben Ibro, dhe Genti Minarolli.

Ndërsa procesi i votimit u asistua nga dy anëtarët teknikë: Florian Xhuti dhe Albert Avduli, komision që ishte instaluar ditën e djeshme në selinë e PD, për të mbërritur pas votimit në Pallatin e Kongreseve ku është marrë me ngritjen e grupeve të numërimit dhe monitorimin e numërimit të votave pa praninë e mediave.

Çdo kandidat kishte nga një anëtar në komision, ndërkohë që dhe në Komisionin Qëndror kandidatët kanë nga një përfaqësues të tyre, që do të jetë për monitorimin në mënyrë të paanshme të të gjithë procesit të zgjedhjeve për kreun e PD. Ndërkohë që nga Komisioni Qëndror i zgjedhjeve brenda PD bëhet e ditur se sot deri në mesditë pritet të dalë rezultati përfundimtar dhe emri i kreut të ri të PD.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 23.07.2013
 
Rdaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)