Administrata,kontroll 4 herë në
ditë punonjësve për prezencën

Administrata,kontroll 4 herë në<br />ditë punonjësve për prezencën
Ministrat e Partisë Demokratike, të asistuar në prapaskenë nga strukturat e kësaj partie, vijojnë presionin mbi administratën publike.

Pas urdhrave për ndërprerjen e lejeve vjetore dhe vizitat jashtë vendit, ministrat ‘teknikë’ mësohet se kanë përgatitur një ‘listë të zezë’, me të gjithë punonjësit e administratës në sektorët përkatës, të cilët sipas tyre, kanë shkelur rregullat e diktuara po nga ministrat e rinj.

Ministria e Drejtësisë, e drejtuar nga juristi i PD, Gazmend Bardhi, ka njoftuar se ka në trajtim dhe verifikim një numër të konsiderueshëm rastesh, për të cilat do të shprehet pas përmbylljes së procesit të verifikimit.

Në një fazë të tillë janë edhe drejtuesit e pesë ministrive të tjera. Për të maksimalizuar presionin, zëvendëskryeministri i PD ka zhvilluar dje një takim me kryeprokurorin Llalla.

Ndërkaq, për monitorimin e punonjësve dhe raportimin e lëvizjeve të tyre, janë angazhuar militantët dhe strukturat e Partisë Demokratike. Angazhimi konsiston në vëzhgimin e lëvizjeve pas orarit të punës, konkretisht të takimeve private, të pjesëmarrjes në tubime, monitorimit të rrjeteve sociale, mesazheve propagandistike etj.

Situatë e paprecedentë në Ministrinë e Punës
Shqiptarja.com ka mësuar se në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë po ndodh ajo që nuk mund të imagjinohej. Sipas burimeve, ministrja ‘teknike’ e Partisë Demokratike, Xhulieta Kërtusha, ka ngritur një minikomision, i cili merret vetëm me kontrollin e prezencës së punonjësve në ministri dhe në degët e saj.

Punonjësit e kësaj ministrie i nënshtrohen apelit katër herë në ditë për të konfirmuar prezencën në punë. Apeli bëhet në mëngjes, në drekë, rreth orës 14:00 dhe pak para përfundimit të orarit zyrtar të punës.

Ashtu si nxënësit në shkolla, punonjësit e të gjitha niveleve, duhet të konfirmojnë prezencën në zyrë, në të kundërt mund të ndëshkohen.

Gjithashtu, mësohet se edhe ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Xhulieta Kërtusha, ka nxjerrë një urdhër për ndërprerjen e lejeve vjetore të punonjësve deri pas zgjedhjeve të 25 qershorit, me qëllim për të evituar pjesëmarrjen e tyre në fushatë.   

Urdhri i ministrit të Shëndetësisë  
Pas ministres së Financave Helga Vukaj, edhe ministri ‘teknik’ i Shëndetësisë, Arben Beqiri ka nxjerrë dje një urdhër sipas së cilit, nëpunësit, funksionarët dhe punonjësit e ministrisë si dhe të institucioneve të varësisë që përfitojnë pushime vjetore të paguara, për sigurimin e vijueshmërisë së punës, u ndërpritet leja vjetore për periudhën 01 Qershor 2017 deri me 25 qershor 2017, që përkon me periudhën e fushatës zgjedhore.

Sipas këtij urdhri të gjithë punonjësit që janë duke kryer lejet vjetore, do të njoftohen për paraqitjen në detyrë dhe për mbushjen e lejes vjetore pas datës 26 Qershor 2017. Ministria e Shëndetësisë paralajmëron se moszbatimi i këtij urdhri pasohet me përgjegjësi disiplinore.

Tre ditë më parë ishte ministrja teknike e Financave, Helga Vukaj e cila firmosi pezullimin e lejeve vjetore për punonjësit e administratës për periudhën 25 Maj-30 Qershor.

Ndërkohë, krahas pezullimit të lejeve, ministrat teknikë të PD-së kanë nisur edhe një terror të pazakontë mbi stafet e ministrive, duke iu monitoruar atyre edhe rrjetet sociale.

Facebook-u monitorohet se sa herë hapet nga punonjësit gjatë orarit të punës, nëse marrin mesazhe propagandistike etj. Po ashtu, monitorohen me kujdes aktivitetet elektorale të Partisë Socialiste për të pikasur ndonjë punonjës. Lëvizjet e punonjësve jashtë orarit të punës janë gjithashtu nën vëzhgim.

urdhri i beqirit

Shkarkohet Drejtori i Hipotekës në Shkodër
Ministri ‘teknik’ i Drejtësisë Gazmend Bardhi ka shkarkuar dje nga detyra Regjistruesin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Shkodër, Mondi Ndou, si dhe ia referoi rastin e tij Prokurorisë, për veprën penale të përfshirjes në kundërshtim me ligjin në fushatën zgjedhore të një subjekti zgjedhor.

Ministria e Drejtësisë sqaron përmes një njoftimi për shtyp se shkarkimi erdhi pas verifikimit të kryer, si dhe informacioneve të plota të marra, ku konstatohet përfshirja e Mondi Ndou, në fushatën zgjedhore në kundërshtim me ligjin.

"Për këtë qëllim, Ministri i Drejtësisë i ka referuar çështjen organeve të prokurorisë, si dhe ka vënë në dijeni Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, për shkak se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova, se shtetasi Mondi Ndou, me detyrë Regjistrues në ZRPP Shkodër, ka kryer veprën penale të parashikuara nga neni 328/a të Kodit Penal. Ministria e Drejtësisë inkurajon çdo qytetar që të denoncojë në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve”, thuhet në njoftimin e ministrisë.  

Zv/kryeministrja e PD takon Llallën
Shqetësimi për përdorimin e aseteve shtetërore në fushatë ka bërë që zv/kryeministrja, Ledina Mandija të takojë kryeprokurorin Adriatik Llalla. Mandija kërkoi nga organi akuzës një bashkëpunim maksimal në ndjekjen me përparësi dhe hetimin e rasteve abuzive, të cilat dëmtojnë zgjedhjet.

Me rëndësi sipas saj do të hetimi i rasteve të përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë këtij procesi. Zv/kryeministrja që pak javë më parë zëvendësoi Niko Peleshin si numri 2 i qeverisë, i kërkoi Prokurorit të Përgjithshëm që të hetohet në mënyrë specifike për rastet e përdorimit të pasurive të siguruara nga veprimtaritë e paligjshme.

Me këmbënguljen e Mandijas së shpejti do të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucionale mes Këshillit të Ministrave, Prokurorisë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për të monitoruar përgatitjet për zgjedhjet e 25 qershorit.
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Shifrat rekord/ Malli i importit ‘mbyt’ prodhimin ‘Made in Albania’! Janar-Qershor u importuan 597 mijë tonë ushqime

Shifrat rekord/ Malli i importit ‘mbyt’ prodhimin ‘Made in Albania’! Janar-Qershor u importuan 597 mijë tonë ushqime