Të gjitha kartat e gjelbra (green cards) të lëshuara për persona nga vendet “me rrezikshmëri të lartë” do të rishqyrtohen, pasi presidenti Donald Trump u zotua në Ditën e Falënderimeve të "ndalojë përgjithmonë migrimin" nga vendet më të varfra, përmes një postimi të ashpër anti-migracion, në mediat sociale.
Ky reagim i gjatë i tij, pasoi të shtënat, të mërkurën ndaj dy anëtarëve të Gardës Kombëtare, të cilët ishin vendosur për të patrulluar Uashingtonin, D.C. sipas urdhrave të presidentit Trump. Sarah Beckstrom, një prej të plagosurve vdiq në spital, ndërsa kolegu i saj po lufton për jetën.
Një shtetas afgan 29-vjeçar që punoi me CIA-n gjatë Luftës së Afganistanit po përballet me akuza për të shtënat. I dyshuari emigroi si pjesë e një programi për të rivendosur ata që kanë ndihmuar trupat amerikane pas tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani.
"Me udhëzimin e POTUS-it, unë kam urdhëruar një rishqyrtim të plotë dhe rigoroz të çdo Karte të Gjelbër për çdo të huaj nga çdo vend problematik", shkroi Drejtori i Shërbimeve të Shtetësisë dhe Imigracionit të Shteteve të Bashkuara Joe Edloë në një postim në X.
Ndonëse ai nuk përmendi se cilat vende përfshihen në këtë listë, ai I referoi mediat në një shpallje presidenciale të qershorit e cila përfshinte 19 shtete: Afganistanin, Burmën, Çadin, Republikën e Kongos, Guinenë Ekuatoriale, Eritrenë, Haitin, Iranin, Libinë, Somalinë, Sudanin, Jemenin, Burundin, Kubën, Laosin, Sierra Leonen, Togon, Turkmenistanin dhe Venezuelën.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare i tha CNN-së sot se po shqyrton të gjitha rastet e azilit të miratuara nga administrata Biden.
Rasti i sulmit me armë ndaj dy anëtarëve të Gardës Kombëtare, po shërben si justifikim për një goditje edhe më intensive kundër imigracionit.
Presidenti tha në Truth Social se "shumica" banorëve të lindur jashtë vendit të SHBA-së "jetojnë me ndihmë sociale, dhe vijnë nga kombe të dështuara, ose nga burgje, institucione mendore, apo nga bandat e kartelet e drogës", duke i bërë ata përgjegjës për kriminalitetin në të gjithë vendin, i cili sipas shifrave, sheh në vend të parë kryesisht qytetarët amerikanë.
I dyshuari për të shtënat ndaj dy anëtarëve të Gardës kombëtare, Rahmanullah Lakanwal, mbërriti në Shtetet e Bashkuara, në vitin 2021 në kuadër të Operacionit "Mirë se vini nga Aleatët", pasi kishte ndihmuar SHBA-të në Afganistan, megjithëse atij iu dha azil vetëm prillin e kaluar. Një zyrtar amerikan i tha CNN-it, se i dyshuari kishte rezultuar "i pastër në të gjitha kontrollet" para se të punonte me qeverinë dhe vetë CIA-n, si dhe para se të mbërrinte në SHBA.
Komente











