Zgjidhja e vetme, sipas administratorit të CEZ, është rikthimi i besimit të njëri- tjetri. “Kjo kompani do të tregohet e ndershme në faturimin e çdo konsumuari”, tha Dollapi.
Administratori shtetëror i kompanisë çeke energjetike tha se hapat imediate që duhen ndërmarrë janë “Pezullimi i një strukture gjobvënëse te konsumatori si dhe urdhri për ngritjen e një njësie për verifikim e ankesave të qytetarëve.”
Në konferencën e parë për mediat në pozicionin e administratorit të CEZ, Dollapi tha se nuk mund të nxjerrë përfundime konkrete lidhur me mbifaturimet ndaj konsumatorëve, pa u verifikuar të gjitha rastet e ankesave të qytetarëve. Sipas tij, kompania CEZ ka zvarritur ankesat e tyre.
“Brenda 4 ditëve do të takoj të gjithë punonjësit e CEZ dhe ata që janë korrekt do të jenë pjesë e stafit”, deklaroi administratori i përkohshëm i kompanisë CEZ-Shpërndarje.
Sahit Dollapi u zgjodh nga ERE në mbledhjen e 21 janarit, administrator shtetëror i CEZ me 4 vota pro dhe 1 kundër. Vendimi erdhi pasi qeveria shqiptare i hoqi licencës kompanisë energjetike çeke që operon në Shqipëri, CEZ-Shpërndarje.
3 ditë më parë Kryeministri i Çekisë, Petr Necas ka kërcënuar se largimin e kompanisë CEZ nga Shqipëria do e lidhë me integrimin e Shqipërisë në BE, duke dhënë kështu sinjale se vendi i tij do të bllokojë hapat e mëtejshëm të integrimit të Shqipërisë.
Ndërkaq, kompania qendrore në Çeki CEZ-Group ka deklaruar më herët se do të kërkojë arbitrazh ndërkombëtar dhe dëmshpërblim për dëmin ekonomik që i ka shkaktuar qeveria shqiptare, dëm i cili sipas CEZ Group shkon deri në 200 milionë euro.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)