Në garë janë dhe Artan Topi, Rezart Isufi, Agron Seseri, Genc Gjogjani ndërsa kandidatja Onorina Jata është s’kualifikuar pasi punonte në CEZ. Gjatë prezantimit, Dollapi tha se do të ketë ndërprerje të furnizimit me drita për të gjithe abonentët që nuk paguajnë energjinë elektrike ndërsa abonentët që do të paguajnë do të furnizohen. Mbledhja vjen në zbatim të Ligjit “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”, Rregullores për Organizimin dhe Funksionimin e Brendshëm të ERE-s. Bordi i Komisionerëve dëgjoi kandidaturat sipas Rregullores që miratoi pak ditë më parë mbi procedurat e emërimit të administratorit dhe kompetencat e tij.
KUSH ESHTE SAHIT DOLLAPI
"Sahit Dollapi, ishte drejtori i fundit shtetëror i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, pas ndarjes së OSSH me KESH-in. Shqiptarja.com shkruante pak ditë më parë se burime pranë Entit Rregullator të Energjisë bënin të ditur se administratori i ri i shpërndarjes së energjisë elektrike pas heqjes së licensës CEZ-it gati 100% e sigurtë ishte se do të jetë ish-drejtori i OSSH Sahit Dollapi. Aktualisht mban pozicionin e drejtorit të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës dhe është i njohur për mbështetjen pa kushte të Partisë Demokratike, si e gjithë familja e tij. Ai e la OSSH-në me humbje mbi 1 miliardë kilovatorë në vitin 2009, ku përfshihen humbjet në rrjet por edhe mosarkëtimet, duke e detyruar qeverinë të shpallë një amnisti për të gjitha detyrimet e prapambetura ndaj KESH-it e OSSH-së deri në privatizim. Më pas kjo shifër kaloi në 820 milionë dhe 900 milionë në dy vitet pas privatizimit. Dollapi ka disa vjet që premton se do të heqë të gjitha depozitat e ujit nga pallatet e kryeqytetit, si pasojë e investimeve që ka bërë ndërmarrja e ujësjellësit, por, në vend të kësaj, faturat që duhet të paguajnë qytetarët në disa raste
janë 10-fishuar. Ndërkohë, ai iu përgjigj pa asnjë rezistencë kërkesës ultimative të Ekzekutivit për të blerë për 15 milionë euro, me paratë e qytetarëve e bizneseve të Tiranës, HEC-in e Lanabregasit, me një çmim të imponuar për të ndihmuar buxhetin në rënie të lirë të të ardhurave. Një veprim të ngjashëm e bëri edhe Banka e Shqipërisë më parë, duke i blerë qeverisë Hotel Dajtin për 30 milionë euro, për ta lënë prej vitesh pa e vënë në funksionim. Zgjedhja e tij si administrator do të lehtësojë synimin e qeverisë për të lejuar mospagimin selektiv të faturave të energjisë pas ri-shtetëzimit". - shkruante zv/kryededaktori i gazetës Shqiptarja.com (print) Genc Kondi në një shkrim të datës 16 janar 2013.
Procesi i përzgjedhjes së administratorit po kryhet në të njëjtën kohë me atë të heqjes së licencës., në mënyrë që të mos ketë vakumn në administrimin e shoqërisë pas largimit të çekëve. Administratori do të menaxhojë sistemin e shpërndarjes deri sa licenca t’i kalojë një subjekt tjetër.
(Suela Gera/shqiptarja.com)