TIRANË- Ditën e djeshme katër adoleshentë kanë marrë ndihmën e shpejtë për shkak të intoksikimit nga konsumimi i cigareve të hashashit, në Qendrën Spitalore Universitare
“Nënë Tereza”, në Tiranë. Sipas mjekëve të QSUT-së në pavionin e intoksikimeve, adoleshentët u paraqitën në urgjencë me siptoma të tilla, si: humbje e ndjenjave, marrje
mendsh, shtim të rrahjeve në zemër, efekte këto të stimuluara nga lëndët narkotike, që ata kanë konsumuar.

Kjo është një situatë e përditshme në këtë pavion, ku fluksi më i madh shfaqet gjatë fundjavës, për shkak të frekuentimit të jetës së natës nga të rinjtë.

Shtimi i rasteve të përdorimit të lëndëve narkotike nga moshat e reja është evidentuar prej kohësh jo vetëm nga mjekët që presin adoleshentë thuajse çdo ditë, por edhe nga mësuesit e shkollave.

Një konstatim i tillë është bërë edhe nga specialistë të Institutit të Shëndetit Publik, sipas të cilëve në vendin tonë numërohen rreth 40 mijë përdorues të drogave të llojeve të ndryshme. Duke iu referuar sërish të dhënave të këtij institucioni është konstatuar që 7.1 % e të rinjve kanë provuar të paktën një herë në jetën e tyre një prej drogave.

Mënyra e sigurimit të lëndëve narkotike në kryeqytet nuk është aspak e vështirë, madje nëse pyet të rinjtë mund të informohesh edhe për zonat në të cilat tregtohen këto lëndë dhe për çmimet që ofrohen. Nga viti në vit ështe evidentuar një rritje e numrit të të rinjve përdorues të drogave të llojeve të ndryshme dhe ajo çfarë është më shqetësuese është se është ulur mosha e këtyre përdoruesve.

Nga të rinjtë nuk shihet më si tabu apo frikë konsumimi i një një cigareje hashashi, madje prej kohësh është kthyer në një normalitet.

“Shqiptarja.com” ka mësuar se rastet e paraqitura në QSUT, thjesht regjistrohen në evidencat e nxjerrura për urgjencat, por askush nga familjarët apo personat e afërt të adoleshentëve që marrin ndihmë mjekësore nuk lajmërohen. “Zakonisht të rinjtë nuk qëndrojnë më shumë se sa dy orë në dhomat e urgjencës dhe gjithmonë janë të shoqëruar nga bashkëmoshatarë të tyre”, shprehen për “Shqiptarja.com” mjekët e pavionit të intoksikimeve.
 
SHKOLLAT
Situatën alarmante të përdorimit të drogave të llojeve të ndryshme nga të rinjtë, e pranojnë edhe mësuesit e gjimnazeve në kryeqytet. Të pyetur nga “Shqiptarja.com”, mësuesit shprehen se është i lehtë evidentimi i nxënësve të tillë, pasi efektet që jep përdorimi i lëndëve të tilla është i dukshëm. Mungesa e përqendrimit, të qeshurat gjatë orëve të mësimit janë disa nga sjelljet më të dallueshme të këtyre adoleshentëve.

Në ambientet e shkollave, nuk ushtrohen kontrolle sa u përket lëndëve narkotike, ndaj edhe konsumimi i tyre brenda këtyre ambienteve është kthyer në një normalitet për të gjithë të rinjtë. Ditët e fundit është zhvilluar një debat që lidhet me legalizimin e drogave të lehta (kryesisht hashashit), duke e paraqitur atë si diçka krejtësisht normale dhe duke
minimizuar efektet e tij.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)