Fatos Tarifa përmend në shkrimin e tij të shkurtër një bisedë familjare me Shefqet Peçin. Kjo histori të bën të mendosh për mitin e madhështisë dhe atë që po e quaj për të shmangur fjalët e tjera, biologjia e barazisë.

Rrëfimi përmend një autor të huaj, Montenj. Ky, në një prej eseve të tij të famshme e “çarmatos” madhështinë me një fjali të thjeshtë: “Les Roys et les philosophes fientent, et les dames aussi”.

Mua më pëlqen ta shoh si një mesazh ironik të Krijuesit. Biologjia e tij nuk njeh tituj pushtetesh, famë apo pasuri, vepra këto të gjitha të njeriut për njeriun.

Por jam i sigurtë që as Montenj  (për shumë arsye por edhe sepse vetë ai është i kufizuar sepse është njeri) nuk e ka shkruar këtë për të fyer mbretërit. E ka bërë për t’i kthyer ata në përmasën e tyre reale.

Pushteti, në thelb, nuk është problem për aq kohë sa mbahet mend se është vetëm funksion. Kriza nis kur pushteti fillon të besohet si cilësi ontologjike e njeriut që e ushtron.

Me fjalë të tjera, ai në krye nuk e shikon më pushtetin si një mjet për të shërbyer ose si një detyrë, por si diçka që e bën atë “më të madh” si njeri, madje si një karakteristikë të pashmangshme të ekzistencës.

Këto ide, filozofia i ka artikuluar me elegancë, por në Shqipëri kanë ekzistuar gjithmonë në formën e tyre të drejtpërdrejtë, tek urtësia popullore. Shqipja ka shumë fjalë të urta të mençura rreth kësaj.

Sot në epokën e snobave bosh, kjo mençuri është shpallur foklorike dhe e përçmueshme, por shoqëritë tradicionale shqiptare, sado të varfra dhe të ashpra nuk i kanë besuar kurrë plotësisht madhështisë. E kanë ditur, instinktivisht, se njeriu që ngrihet shumë lart rrezikon të harrojë se ku qëndron.

Sot, si çdo shoqëri që ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë nga autoriteti i pakontrolluar, bëjmë mirë ta risjellim sa më shpesh në mend këtë kujtesë të vjetër.

Aq më tepër që kulti i individit, tek ne, nuk paska qenë thjesht produkt i diktaturës. Ai ka mbijetuar si mentalitet edhe pas saj. Ndryshuan sistemet, por ka mbetur i fortë tundimi për t’u ndier i pazëvendësueshëm.

“Sevo, çdo bithë m… bën”, thotë Shefqet Peçi, pa biblioteka, pa universitete me emër apo citime latine. Realizmi i shprehjes mund të duket brutal, por është i saktë. Është një mënyrë për ta mbajtur pushtetin në tokë, për ta zhveshur nga aura e rreme e shenjtërisë.

Pushteti nuk e ndryshon njeriun, vetëm e zbulon. Ai që ishte i vogël bëhet më i vogël, por me zë më të lartë. Ai që ishte i pasigurt bëhet autoritar, kërkon adhurim nga të tjerët, madje e kërkon atë si një të drejtë.

Sapo i ngrohet “bitha” poshtë, iluzioni i madhështisë lart në kokë fillon të marrë kontroll mbi sjelljen politike. I nis bindja se ligjet, kufijtë etikë, kritika apo gjykimi publik vlejnë për të tjerët, por jo për të. Kadri Roshi te Rrethimi i Vogël ka një skenë shumë të arrirë të kësaj.

Ky mit i madhështisë së rreme është një mashtrim i dyfishtë. Mashtron ata që e ushtrojnë pushtetin, por edhe ata që e mbajnë në supe ose e durojnë.

Ndaj, demistifikimi bëhet akt qytetar. Të qeshësh me pushtetin, ta ulësh nga piedestali, nuk është mungesë respekti. Është mbrojtje e shoqërisë nga ky vetë-mashtrim. Shoqëritë që nuk e bëjnë këtë përfundojnë duke adhuruar njerëz./ Gazeta Dita