Kjo që ndodhi në Venezuelë është një pasqyrë brutale e kohëve që po jetojmë. Por edhe një test për ata që e quajnë veten të majtë. Një sprovë për të matur koherencën me parimet, sovranitetin e kombeve, barazinë mes shteteve, refuzimin e dhunës. Veçanërisht kur kjo e fundit thotë se po eksporton demokracinë.
E majta botërore nuk ka heshtur. Zëra me peshë nga Europa dhe nga Amerika Latine folën. Dhe kanë folur drejt. Jo për të larë mëkatet e Maduros. Nëse të drejtat e njeriut janë flamuri moral i Perëndimit, atëherë çdo komb, përfshirë Venezuelën, ka të drejtën e patjetërsueshme për sovranitet ligjor, për ndryshime politike pa kërcënimin e forcës, pa imponim nga jashtë.
Nuk mund të mbrosh demokracinë duke dhunuar parimet e saj.
Maduro i meriton plotësisht kritikat për mënyrën e qeverisjes. Por rruga e përmbysjes së tij nuk mund të jetë as helikopteri i forcave speciale, as titrat e bujshme në ekrane me zjarre bombash në sfond.
Për më tepër, ato bomba bien mbi shtëpi, jo mbi regjime. Aty jetojnë njerëz të zakonshëm, si ne të gjithë. Ata nuk kanë asnjë pushtet mbi vendimet e superfuqive. Ama do mbajnë mbi shpinë padrejtësisht gjithë pasojat e tyre.
Po Shqipëria? Shqipëria jonë e vogël? Shqipëria, që ka një qeveri që e quan veten të majtë?
Çfarë mendojnë të majtët tanë me sahate luksi dhe veshje të modës së lartë që duhet të ishin zëri i barazisë dhe i dinjitetit njerëzor? Veç operacioneve plastike, verës Romanée-Conti, pozave nga parvazet me 5 yje, batutave plot kripë dhe diejve digjitalë, çfarë qëndrimi kanë të majtët tanë për një botë që po përballet me rikthimin e forcës së zhveshur si mjet gjeopolitik?
Çfarë zëri ngrejnë në një moment si ky ministrat, deputetët, bukuranët tanë përfaqësues të popullit që parakalojnë të enjteve në Parlament si personazhe të një katalogu luksi?
Reagimi i parë ishte një përqafim i papërmbajtur i gjuhës së forcës pa asnjë filtër parimor, pa asnjë reflektim. Ministria e Jashtme e qeverisë së majtë reagoi me një gjuhë që përjashton çdo nuancë të mendimit të majtë. Shprehu përkrahje pa rezerva për veprimet ushtarake duke etiketuar qeverinë e Venezuelës si “regjim narko-terrorist”.
Zgjodhi jo vetëm të mos problematizojë një ndërhyrje ushtarake pa mandat ndërkombëtar, por të duartrokasë retorikën e më të djathtëve të skenës amerikane.
Mungesë e plotë identiteti ideologjik. Por edhe mungesë e plotë dinjiteti.
Të jesh i majtë nuk do të thotë të jesh antiamerikan. Ndryshe i bie të jetë antiamerikan edhe kryebashkiaku i Nju Jorkut që e quajti atë që ndodhi në Venezuelë një akt lufte dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Megjithatë, qëndrimi i Tiranës nuk është thjesht dhe vetëm jashtë çdo linje të majtë. Në të vërtetë ai është një akt frike i koduar si diplomaci. “E majta” shqiptare nuk ka liri të zgjedhë të jetë e majtë edhe sikur të donte.
Pse? Këtu kemi një simptomë shumë më të thellë që nuk ka të bëjë vetëm me të majtën që s’është e majtë.
Shqipëria ka një klasë politike të korruptuar në pushtet dhe në opozitë. Me dosje që kanë marrë dhenë brenda e jashtë vendit. Kur je i varur nga marrëveshje të errëta dhe nga pasuri të pashpjegueshme, nuk mund të flasësh ndryshe nga ç’kërkon ai që t’i di të gjitha.
Korrupsioni nuk është vetëm ves moral. Prodhon varësi politike. Një klasë politike e korruptuar nuk është më e lirë të marrë vendime. Ajo është e kapur, e shantazhueshme, e përkulur.
Çdo qëndrim, i brendshëm apo i jashtëm, çdo vendim në kushte të tilla, nuk buron më nga bindjet apo idealet, edhe sikur ti kesh ato, por nga frika. Frika se dikush, diku, brenda, afër apo larg kufijve, mund të të kujtojë se çfarë ke firmosur, çfarë ke fshehur, çfarë ke marrë.
Për fat të keq, politikanët tanë janë të gjithë pengje të varur nga mëkati. Do jenë përherë të detyruar të kërcejnë me ritmin që i bien daulles të tjerët./Gazeta Dita
Komente











Botuesi Thano dhe komentuesi Gjergj jane nje shenje qe ka njerez te zgjuar, me ideal, te vertete ne kete katraure dhe karikature shoqeri shqitare! Keta jane njerez elitare ne nje shoqeri te emancipuar!
PërgjigjuShqiperia eshte me “fat” ku ka nafte ketu?!?!
PërgjigjuÈshtè njè kènaqèsi e veçantè pèr mua si shqiptar, tè kem mundèsinè tè lexoj nè gjuhèn time, njè artikull tè vogèl, ku realiteti dhe analiza pa ngjyrim politik, gjejnè shprehje. Po, po,,aq tè lodhur jemi me falsitetin e shoqèrisè tonè nè pèrgjithèsi dhe shkrimet nè "shtypin e lirè" nè veçanti,,saqè njè Adrian Thano duket si diçka e rrallè nè sojin e tij. Po Shqipèria? Shqipèria, èshtè nè gropèn e gjirizit sepse nuk ka qytetarè si Thano qè shkruajnè me dinjitet por qè artikujt e tyre i "zbukurojnè" me tituj nga kotèsia,,,"MADURO I NGJAN MÈ TEPÈR ATIJ TJETRIT",,,,a e kuptoni? Maduro,,,jemi ne shqiptarèt TÈ GJITHÈ SI SHOQÈRI,,,ndaj èndèrrojmè pèr shpètim nga jashtè. Faleminderit Adrian Thano.!!!
PërgjigjuNjë editorial brilant për të majtën dhe ndikimin e korrupsionit ne politiken e jashtme që meriton notën 10 me yje. Unë do ti vija titull tjetër nëse më lejon: “Një ‘e majtë’ që harron vlerat dhe hesht përpara forcës” !!! Kjo është në përputhje të plotë me tonin dhe guximin e shkrimit. Titulli duhet ta reflektojë këtë. Gëzuar Report.TV nga Vlora
Përgjigju