Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar një shitje ushtarake për Shqipërinë, që përfshin sisteme raketore HIMARS dhe pajisje të tjera të lidhura me to, me një vlerë totale të vlerësuar prej 210 milionë dollarësh.
Sipas njoftimit zyrtar, Qeveria shqiptare ka kërkuar blerjen e dy sistemeve raketore M142 HIMARS, gjashtë sistemeve të raketave të drejtuara GMLRS M31A2, si dhe gjashtë kapsulave me koka luftarake alternative M30A2. Paketa përfshin gjithashtu sisteme të të dhënave taktike të artilerisë, automjete ushtarake HMMWV dhe një sërë pajisjesh të tjera mbështetëse.
Departamenti Amerikan i Shtetit thekson se shitja synon të mbështesë objektivat e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të SHBA-së, duke forcuar sigurinë e një aleati të NATO-s.
Sipas autoriteteve amerikane, pajisja e Forcave të Armatosura shqiptare me sistemet HIMARS do të përmirësojë ndjeshëm kapacitetet e vendit për t'u përballur me kërcënimet aktuale dhe të ardhshme, përmes një aftësie goditjeje precize me rreze të gjatë veprimi.
Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson se Shqipëria nuk do të ketë vështirësi në integrimin e pajisjeve dhe shërbimeve të reja në strukturat e Forcave të Armatosura.
Çfarë janë sistemet HIMARS
HIMARS (Sistemi i raketave të artilerisë me lëvizshmëri të lartë), i identifikuar si M142, është një sistem raketahedhësesh, të lehta, të lëvizshme e të montuara në kamion, të cilat janë projektuar në Shtetet e Bashkuara, nga Lockheed Martin, për të ofruar mbështetje zjarri me precizion të mesëm dhe të gjatë.
Karakteristikat kryesore të këtij sistemit janë:
- Lëvizshmëria e lartë: Duke u montuar në një kamion me rrota, ata mund të lëvizin shpejt, të qëllojnë dhe të ndryshojnë pozicionin përpara se të pësojnë zjarr kundër baterisë. Ato janë gjithashtu të transportueshme me avionë mallrash si C-130.
-Armatimi dhe distanca: Një modul i vetëm lëshimi mund të mbajë një grup prej 6 raketash të drejtuara GMLRS (me një rreze veprimi prej afërsisht 70–80 km) ose 1 raketë taktike ATACMS (me një rreze veprimi deri në afërsisht 300 km, në varësi të variantit).








Komente
Komento