“Të dashur udhëtarë, sapo jemi duke u ulur në aeroportin Malpensa Silvio Berlusconi të Milanos”. Ndoshta ndonjë pilot e ka bërë tashmë këtë njoftim. Por pas ngjarjes së sotme, më 25 shtator, në Terminalin 1, pra pas emërtimit të aeroportit Malpensa me emrin Silvio Berlusconi, do të bëhet e natyrshme që aeroporti të lidhet me figurën e ish-kryeministrit italian.

Për udhëtarët ka fare pak ndryshim. Kodi IATA mbetet i pandryshuar: “MPX”. Edhe për sa u përket sinjalistikës rrugore, për momentin nuk parashikohen ndryshime në tabelat për ata që udhëtojnë me makinë drejt aeroportit.

Në Terminalin 1 u vendos një pllakë përkujtimore, në prani të presidentit të Senatit, Ignazio La Russa, ministrave Matteo Salvini dhe Antonio Tajani. Me ta ishte edhe presidenti i Rajonit të Lombardisë, Attilio Fontana.

“Fakti që aeroporti Milano-Malpensa Silvio Berlusconi do të mirëpresë çdo ditë mijëra udhëtarë nga e gjithë bota më mbush me krenari dhe emocion. Çfarë emri më të mirë mund të kishte një urë e tillë, nëse jo ai i Silvio Berlusconit?”, tha Marina Berlusconi në ditën e kushtimit të emrit ish-kryeministrit, duke kujtuar se ai ishte “një njeri që gjithmonë kërkonte dialogun me të gjithë”.

“Babai im e kaloi jetën duke parë përpara dhe larg”, shtoi ajo. “Më pëlqen të mendoj se, që nga sot, emri i tij do t’u japë mirëseardhjen atyre që vijnë nga vende të tjera dhe do t’i shoqërojë ata që nisen drejt destinacioneve të reja”.

Në ceremoni ishte i pranishëm edhe vëllai i ish-kryeministrit, Paolo Berlusconi: “Në emër të familjes sime dhe të nipërve të mi, ju falënderoj nga zemra për këtë vlerësim dhe domethënie prestigjioze. Një vlerësim që e lidh përgjithmonë emrin e Silvio Berlusconit me qytetin e tij të dashur, Milanon. “Atdheu ynë është Italia”, thoshte ai shpesh, “por e ardhmja jonë është Europa”. Atëherë, çfarë kontributi më të mirë për kujtimin e Silvios mund të kishte sesa t’i jepej emri i tij portës së hyrjes drejt Europës dhe botës, të cilën përfaqëson ky aeroport?

Sot Silvio nuk është më me ne, por është më i gjallë se kurrë. Ai jeton në realizimet e tij urbanistike, në sipërmarrjet sportive, në kompanitë botuese dhe televizive, në trashëgiminë politike, në rrjetet sociale, në kujtimet dhe zemrat tona. Sot ai është i pranishëm edhe këtu, në këtë aeroport të rëndësishëm milanez, të cilit kanë dashur t’i vendosin emrin Silvio Berlusconi”.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transporteve, Matteo Salvini, shprehu “një keqardhje të vogël për ata që munguan”, duke iu referuar kryetarit të Bashkisë së Milanos, Beppe Sala, i cili nuk mori pjesë në ceremoninë e emërtimit.

Kryetari i Bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala, iu përgjigj Salvin-it, duke theksuar se kishte “luftuar kundër këtij vendimi”. Pikërisht për këtë arsye ai mungoi në ceremoninë e inaugurimit: “Çfarë duhej të bëja? Të isha i pranishëm, me një buzëqeshje të shtirur? Apo të isha i pranishëm dhe të përsërisja rezervat e mia? Jam një njeri koherent dhe përpiqem ta kujtoj këtë çdo ditë.

Theksoj se, në të njëjtën kohë, isha në Inveruno, me brezin e kryetarit të Bashkisë Metropolitane, për të inauguruar një shesh kushtuar Piersanti Mattarella-s. Preferova të isha atje”.