Nga Durrësi drejt Italisë me një gomone, në fillim të viteve ’90, për të nisur një jetë të re. Kjo ishte historia e Bashkim Rushanit, shqiptarit që humbi jetën dy ditë më parë në një aksident tragjik në vendin e punës në Casarano, në provincën e Leçes.

Mediat italiane kanë publikuar fotografinë dhe detaje të reja nga jeta e Rushanit, i cili ishte diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe kishte pasion pikturën dhe skulpturën.

Sipas medias italiane “I Pugliesi”, Rushani ishte larguar nga Shqipëria gjatë rënies së regjimit komunist, duke kaluar Adriatikun me gomone. Në Casarano gjeti shtëpinë e tij të re, mori shtetësinë italiane dhe hapi një kompani ndërtimi, ku punoi për rreth 30 vite.

Por krahas punës në ndërtim, ai nuk e kishte braktisur artin. Rushani vijonte të merrej me pikturë dhe skulpturë, duke marrë pjesë në kurse dhe ekspozita. Ekspozita e tij e fundit ishte organizuar më pak se një vit përpara vdekjes.

Aksidenti që i mori jetën ndodhi më 4 nëntor, në zonën Spagnolo, në periferi të Casaranos, jashtë një banese private.

Sipas a media italiane, Rushani po punonte për vendosjen e shtyllave që mbanin një portë rrëshqitëse, kur struktura u rrëzua mbi të. Ekipet e urgjencës mbërritën në vendngjarje, por nuk arritën ta shpëtonin.

Karabinierët dhe inspektorët e sigurisë në punë po hetojnë rrethanat e aksidentit. Prokuroria e Leçes ka hapur një dosje për vrasje nga pakujdesia ndaj personave ende të paidentifikuar dhe ka urdhëruar sekuestrimin e trupit në pritje të autopsisë.

Lajmi për vdekjen e tij ka sjellë dhimbje edhe te miqtë që e njihnin prej vitesh.

“Ishte një artist i vërtetë. Humbëm një njeri të mrekullueshëm”, u shpreh miku i tij Giovanni Bellisario, i cili e njihte Rushanin që prej vitit 1998, falë pasionit të përbashkët për artin.