Superliga shqiptare e futbollit mbylli të hënën raundin e 15-të, me AF Elbasanin që kryeson i vetëm renditjen. Verdheblutë mposhtën 1-0 Vllazninë në 'Elbasan Arena'. Në Rrogozhinë, Egnatia fitoi 2-0 kundër Vorës duke qenë në ndjekje të kryesuesve me një pikë më pak. Ndërkohë në Vlorë, Flamurtari u mposht 0-3 nga Dinamo, me trajnerin e vendasve, Francesco Moriero, që kritikoi disa nga lojtarët e tij.
Në 'Elbasan Arena', vendasit e AF Elbasanit fituan 1-0 kundër Vllaznisë falë golit të Blaise Tsague në minutën e 49-të të takimit. Shkodranët për më shumë se 65 minuta luajtën me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Elmando Gjinit në pjesën e parë. Pas ndeshjes, trajneri Edi Martini i Vllaznisë hodhi akuza për arbitrimin e kryesorit Olsid Ferataj. Pas këtij dueli, AF Elbasani me 29 pikë merr kreun e renditjes, duke lënë Vllazninë në vendin e katërt.
Egnatia 'likuidoi' 2-0 Vorën. Alessandro Albanese me penallti dhe Edison Ndreca shënuan për rrogozhinasit që janë vetëm një pikë pas kryesuesve të AF Elbasanit. Vora në pesë takimet e fundit sheh vetëm një fitore.
Dramë në Vlorë. Vendasit e Flamurtarit u mposhtën 0-3 nga Dinamo. Lorenco Vila, Klevi Qefalija dhe i riu Aniekan James Bright shënuan për ekipin e Ilir Dajës. Pas ndeshjes, te Flamurtari kishte 'tërbim' për mënyrën sesi disa futbollistë u sollën në fushën e lojës. Trajneri Francesco Moriero paralajmëroi një mbledhje dhe vendime gjatë javës.
"Po filloj të mërzitem, do të marr disa vendime këtë javë. Kjo është ajo që më nervozon, sjellja e disa lojtarëve që dalin në fushë. Se kemi presidencë që ka investuar shumë, ka një publik të ngrohtë, ka gjithçka për të bërë mirë. Duhet vetëm të kesh b*** për të luajtur te Flamurtari dhe shumë prej këtyre nuk e kanë”, tha mes të tjerash Moriero pas ndeshjes.
Ky raund nisi të dielën me barazimin 1-1 mes Bylisit dhe Teutës në 'Adush Muça' të Ballshit, për të vijuar me derbin e kryeqytetit në 'Air Albania', aty ku Partizani fitoi 0-2 kundër KF Tiranës duke 'e zhytur' në fundin e renditjes.
Superliga, raundi 15-të:
E diel, 07 dhjetor 2025
Bylis 1-1 Teuta
KF Tirana 0-2 Partizani
E hënë, 08 dhjetor 2025
Egnatia 2-0 Vora
AF Elbasani 1-0 Vllaznia
Flamurtari 0-3 Dinamo
Renditja:
Renditja pas raundit të 15-të në Superligë
Komente








