Një ditë pas humbjes historike të CDU-së në zgjedhjet rajonale të Saksoni-Anhalt, kancelari gjerman Friedrich Merz doli para mediave për të komentuar rezultatin, duke përjashtuar dorëheqjen dhe duke garantuar se fitorja e AfD-së nuk do të ndryshojë politikën e Berlinit ndaj Ukrainës.

"Dua të jem shumë i qartë: 2.500 kilometra në lindje të këtu ka njerëz që janë veçanërisht të kënaqur me këtë rezultat zgjedhor", tha Merz, duke iu referuar Rusisë. "Dhe dua të jem po aq i qartë: Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën. Kërcënimi ndaj sigurisë sonë të brendshme është shumë konkret", deklaroi kancelari.

Merz pranoi se rezultati në Saksoni-Anhalt ishte një goditje e rëndë për CDU-në dhe tha se partia nuk e kishte parashikuar një humbje të tillë.

"Jemi të gjithë thellësisht të tronditur. Nuk e prisnim një rezultat të tillë, por duhet ta pranojmë, sepse këto janë rregullat e demokracisë sonë. Me atë që ndodhi dje nuk ndryshoi vetëm diçka në Saksoni-Anhalt, por në të gjithë Gjermaninë dhe ky rezultat do të ketë pasoja edhe në nivel ndërkombëtar", u shpreh ai.

Sipas kancelarit, disfata e CDU-së përfaqëson "rezultatin më të keq në dekada", ndërsa e cilësoi suksesin e AfD-së si "një zhvendosje tektonike në sistemin partiak gjerman".

Megjithatë, Merz e bëri të qartë se nuk ka ndërmend të largohet nga drejtimi i qeverisë.

"Kam shumë mendime, por jo për zgjedhjet e vitit 2029. Për mua dorëzimi nuk është një opsion. Duhet të përmirësohemi të gjithë së bashku", tha ai, duke shtuar se qeveria duhet të tregojë më shumë "përkushtim, empati dhe emocione" në komunikimin me qytetarët.

Ai theksoi se e ndien përgjegjësinë personale për rezultatin dhe se nuk synon t'i shmanget asaj.

"Jam i vetëdijshëm për përgjegjësinë time personale ndaj vendit. Jam i vendosur ta marr këtë përgjegjësi. Do ta marrim jashtëzakonisht seriozisht këtë rezultat dhe në ditët e javët në vijim do të bëj gjithçka për të qenë në lartësinë e situatës", deklaroi Merz.

Kancelari tha se dikush "po gëzohet me këtë rezultat", duke e lidhur votën edhe me përpjekjet për destabilizimin e Gjermanisë.

"Ka nga ata që po gëzohen me këtë rezultat, edhe sepse kanë tentuar të destabilizojnë vendin në prag të zgjedhjeve", u shpreh ai.

Pavarësisht humbjes, Merz këmbënguli se qeveria nuk do të heqë dorë nga reformat.

"Gjermania ka nevojë për reforma themelore dhe vendosmëria ime për t'i realizuar ato mbetet e palëkundur. Pikërisht këtë duhet të bëjmë tani dhe me këtë qëndrim do të shkoj në bisedimet me partnerët e koalicionit", deklaroi kancelari.

Ai siguroi gjithashtu partnerët ndërkombëtarë se Berlini do të mbetet i përkushtuar ndaj rendit kushtetues dhe Bashkimit Europian.

"Qeveria do të sigurohet që Kushtetuta të respektohet. E them këtë edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë. Për shkak të historisë sonë, Gjermania ka një përgjegjësi të veçantë. Ne do të ruajmë rendin politik dhe ankorimin tonë në Europë", tha Merz.

Pas konferencës për shtyp, zyra e kancelarit njoftoi se Merz ka anuluar pjesëmarrjen në samitin për hapësirën që do të mbahet këtë javë në Paris, për shkak të angazhimeve të shumta në Berlin pas rezultatit zgjedhor.