Negociatat për buxhetin e ri shtatëvjeçar të Bashkimit Evropian, për periudhën 2028–2034, kanë përfunduar pa marrëveshje, pas përplasjeve të forta mes vendeve anëtare gjatë samitit të zhvilluar të enjten në Bruksel. Në tryezën e diskutimeve, udhëheqësit evropianë nuk arritën të gjenin gjuhën e përbashkët për madhësinë e buxhetit dhe mënyrën e shpërndarjes së fondeve, veçanërisht për bujqësinë, zhvillimin rajonal dhe mbështetjen ndaj Ukrainës.

Disa vende kërkuan shkurtime të mëtejshme të shpenzimeve, ndërsa të tjera kundërshtuan reduktimin e fondeve tradicionale të BE-së. Mosmarrëveshjet u thelluan deri në ndërprerjen e bisedimeve, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz konfirmoi se samiti nuk do të vijonte të premten dhe se diskutimet do të rifillojnë në dhjetor.

“Prandaj, ne po përgatitemi për një Samit relativisht intensiv që do të fillojë më 17 dhjetor”, deklaroi Merz.

Në qendër të mosmarrëveshjeve është madhësia e buxhetit dhe mënyra se si do të shpërndahen fondet evropiane gjatë shtatë viteve të ardhshme. Dallimet janë të thella mes vendeve që kërkojnë kufizimin e shpenzimeve dhe atyre që kundërshtojnë shkurtimin e fondeve për bujqësinë dhe zhvillimin rajonal.

Nga njëra anë janë Gjermania, Holanda, Danimarka, Austria, Suedia, Finlanda dhe Belgjika, të cilat kërkojnë një buxhet më të kufizuar, shkurtime të mëtejshme të shpenzimeve dhe përjashtimin e borxhit të ri të përbashkët të BE-së.

Këto vende argumentojnë se shtetet anëtare nuk mund të përballojnë kontribute gjithnjë e më të larta në buxhetin evropian, veçanërisht në kushtet kur duhet të shlyejnë edhe borxhin e përbashkët të krijuar gjatë pandemisë.

Në krahun tjetër, një grup prej 17 vendesh, ku bëjnë pjesë Franca, Italia dhe Polonia, kundërshton shkurtimet e fondeve për Politikën e Përbashkët Bujqësore dhe Politikën e Kohezionit, të cilat mbështesin fermerët dhe zhvillimin e rajoneve.

Në përpjekje për të kapërcyer mosmarrëveshjet, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, paraqiti një propozim të ri kompromisi, që parashikonte reduktimin e shpenzimeve me rreth 204 miliardë euro krahasuar me planin fillestar të Komisionit Evropian, i cili arrinte në afro 2 trilionë euro.

Megjithatë, propozimi nuk arriti të kënaqte asnjërën palë. Vendet që kërkojnë kursime e konsiderojnë buxhetin ende tepër të madh, ndërsa grupi që mbron fondet tradicionale të BE-së druhet se shkurtimet do të prekin drejtpërdrejt bujqësinë dhe zhvillimin rajonal.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e përshkroi distancën mes palëve si “vite drite”, duke vënë në pikëpyetje mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje brenda afatit të parashikuar.

Greqia është pozicionuar në krah të vendeve që kërkojnë ruajtjen e fondeve për bujqësinë dhe kohezionin. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis paralajmëroi se shkurtimet e mëtejshme do të rrezikonin ambiciet e Bashkimit Evropian për konkurrueshmëri dhe zhvillim.

“Nëse vazhdojmë të këmbëngulim për shkurtime të mëtejshme në buxhetin e BE-së, mund ta hedhim raportin Draghi dhe ambiciet e tij të larta në koshin e plehrave të historisë evropiane”, deklaroi Mitsotakis.

Kryeministri grek theksoi gjithashtu: “Nuk mund të diskutojmë për një Evropë të fortë me një buxhet të dobët”.

Athina kundërshton reduktimin e burimeve për fermerët dhe rajonet, duke argumentuar se këto fonde janë thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e ekuilibrave mes vendeve anëtare.

Përveç mosmarrëveshjeve mbi buxhetin, negociatat u vështirësuan edhe nga çështja e financimit të Ukrainës.

Gjermania dhe Holanda kërkuan që marrëveshja buxhetore të lidhej me një kredi të re prej 45 miliardë eurosh për Kievin, duke këmbëngulur që asnjë vend anëtar të mos përjashtohej nga pjesëmarrja. Kjo kërkesë u kundërshtua nga Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke, duke shtuar edhe më shumë vështirësitë për arritjen e kompromisit.

Për momentin, negociatat mbeten të bllokuara dhe udhëheqësit evropianë pritet të rikthehen në diskutime më 17 dhjetor. Buxheti i ri do të përcaktojë financimin e politikave kryesore të Bashkimit Evropian, nga bujqësia dhe zhvillimi rajonal deri te mbrojtja, konkurrueshmëria dhe mbështetja për Ukrainën./CNN