Dosja e ish-çiftit Meta-Kryemadhi kaloi për gjykim pas 7 muajsh seancë paraprake dhe mes akuzave të të pandehurve për mangësi hetimore.
Ndërkohë Juristi Romeo Kara, i cili ka qenë edhe denoncues i aferës CEZ-DIA, ka treguar në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV detaje mbi mënyrën që sipas tij realizohej korrupsioni.
Kara tha se Kastriot Ismailaj ka përdorur pa dijeni të DIA-s në Amerikë, ekzistencën e kësaj kompanie për t’u paraqitur para Bordit Mbikëqyrës të ÇEZ Pragës, sikur këta e kishin të gjithë kapacitetin.
Kjo ka qenë arsyeja sipas tij, që në akuzë thuhet se CEZ-DIA ishte ‘një kontratë që nuk përmbushte kushtet’.
Ai vijoi më tej duke thënë se Ilir Meta dhe Kastriot Ismailaj shkuan për vizitë në Pragë në fund të nëntorit të vitit 2010 dhe sipas juristit Kara, kur kjo vizitë u realizua, CEZ ka paguar 3 fatura nga 1.5 milionë euro për punë të pakryera dhe sot.
Kara deklaroi gjithashtu se Ilir Meta, Kastriot Ismaili dhe personat e tjerë të përfshirë në aferë, inskenuan një ‘aksident’ për ambasadorin shqiptar të kohës në Pragë, në mënyrë që ai të mos ishte i pranishëm në takim.
“Ka qenë një bashkëbisedim shumë i gjatë me ish-drejtorin ekzekutiv të DIA-s, Ervis Matën dhe ish-kryetarin e parë të LRI-së, të cilit i kërkoj nga nga avokati i DIA-s që të dëshmonte pro një e-maili që ai ka nisur para se të lidhej kjo kontratë. Ai ka nisur nga kompjuteri i tij, apo i nënës së tij dhe donte ta mohonte. Ismailaj ka përdorur pa dijeni të DIA-s në Amerikë, ka përdorur ekzistencën e kësaj kompanie për t’u paraqitur para Bordit Mbikëqyrës të ÇEZ Pragës, sikur këtë e kishin të gjithë kapacitetin, prandaj thuhet atje ‘një kontratë që nuk përmbushte kushtet’. Gjithë kapacitetin për të mbledhur rreth 230 milionë euro në principal borxhe, që të maturuara shkonin në 460, brenda 6 muajsh shkon e barabartë kamata me principalin dhe nuk lejohet të rritet më tej kamata, ku 50 % apo 230 milionë do i merrte DIA. Për ta përmbushur këtë, ulet vetë administratori i CEZ shpërndarje, Jozef Ejsek bashkë me Ismailajn, sajojnë përkatësinë Affiliation off Die dhe i thonë Elvis Matës ‘na i nis tani zyrtarisht’.
I kanë bërë presion që të dëshmonte të kundërtën në Arbitrazhin e Vjenës. Aty është kontaktuar me mua. I kam thënë ‘si është e vërteta, sepse po bëre këtë vepër penale, nuk ka më kthim pas dhe dëmi është shumë i madh’. Atëherë ai është zbërthyer plotësisht te unë. Tani po them gjëra që nuk janë thënë më parë. Kur ai bënte biseda me Jozef Ejsekun, ai thoshte ‘na dështoi projekti për të bashkëpunuar me LSI-në në këtë mënyrë’. Pra e mbyllën kontratën me DIA-n dhe kanë lidhur 8 kontrata të tjera me njerëz që kanë qenë në atë kohë më afër PD-së. Sepse kemi edhe 8 DIA të tjera që kanë sjellë një dëm minimumi 19 milionë dollarë. Dhe janë gjithë këta oligarkët e mëdhenj që janë sot agallarët e Shqipërisë të përfshirë edhe aty, sepse edhe këta donin të fusnin duart. Tani problemi është që para se të shkojnë Ismailaj megjithë zotërinë ish-President që të bëjnë një vizitë në fund të nëntorit, fillim të dhjetorit të vitit 2010 në Pragë, me urgjencë CEZ shpërndarje ka paguar 3 fatura nga 1.5 milionë euro për punë të pakryera dhe sot. Pra ky ishte vullnet i mirë. Këto ia pagoi DIA-s. U tregua një vullnet i mirë nga pala çeke, me urgjencë, shkojnë në fund të nëntorit dhe fillim të dhjetorit 2010 atje. Bisedat kanë qenë të tilla që kanë shmangur edhe praninë e ambasadorit të kohës, i kanë bërë një aksident. Dhe është mburrur Ismailaj që ‘ia bëmë aksidentin që të mos na vinte atje si rraqe të mos na bezdiste’”, tha mes të tjerash Kara.
Juristi Kara shtoi gjithashtu se Ilir Meta, Kastriot Ismaili dhe 3 personat e tjerë, Martin Roma, Tomas Peshkës dhe Josef Hejsek kanë qëndruar bashkë në hotel ‘Mandarin’ në Pragë, ku janë takuar sipas tij edhe me politikanë të tjerë shqiptarë të rëndësishëm nga e djathta.
Kara shtoi se pas kësaj vizite, ERE ka miratuar një vendim krejtësisht të dëmshëm për buxhetin e shtetit shqiptar, duke ulur çmimin e shitjes së energjisë nga 2.08 lekë në 1.48 lekë për Kw/h, në favor të CEZ dhe në dëm të shtetit shqiptar.
“Dhe kanë qenë bisedat, dy drejtuesit më të mëdhenj, është thënë nga vetë palët që unë kam biseduar, të CEZ Pragës që duhet të ishin bashkë me këta të akuzuar sot, sëbashku me këta të akuzuar sot, Martin Roma dhe Tomas Peshkës, sëbashku me Jozef Ejsekun, edhe Ismaili dhe Meta në krahun tjetër. Kanë qenduar bashkë në hotel Mandarin, kanë takuar edhe disa shqiptarë të tjerë të politikës së lartë, edhe nga e djathta. Pas kësaj vizite, ERE ka miratuar një vendim krejtësisht të dëmshëm për buxhetin e shtetit shqiptar, duke ulur çmimin e shitjes së energjisë nga 2.08 lekë në 1.48 lekë për Kw/h, në favor të CEZ dhe në dëm të shtetit shqiptar. Pra KESH detyrohej me këtë tarifë të rregulluar nga ERE, të ulte çmimin e energjisë dhe duke favorizuar në vit, në bazë të numrit të KË/h, minimumi 30-35 milionë euro. Meta në 2023 ka deklaruar i tronditur kur doli nga SPAK, se ‘ka pasur një vendim të paligjshëm të ERE-s në dëm të shtetit shqiptar, por unë nuk kam lidhje me këtë vendim’”, vijoi më tej juristi Kara.
Kara shtoi më tej se gruaja e Ismailajt ka deklaruar se Ilir Meta i ushtronte atij presion, me qëllim që ai t’i bënte presion çekëve që ata të paguanin për ‘nderin’ që u kishte bërë ish-Presidenti.
Sipas juristit Kara, dëmi i shkaktuar nga afera Cez-Dia ndaj buxhetit të shtetit është të paktën 39 milionë euro.
“Tani në një intervistë që ka dhënë gruaja e Ismailajt në 12 shkurt 2016, pasi Ismailaj ishte arrestuar dhe kishte thuajse 1 vit nën arrest, deklaron nga një intervistë për Fatos Mahmutaj në një hotel në gjendje të lirë, deklaron se Meta i bënte presion Kastriotit, që ai t’i bënte presion çekëve, që ata të paguanin para për hir të këtij vendimi të ERE-s që kishte dalë nga ndikimi i Metës. Pra u kishte bërë një nder të madh ai atyre. Ne themi në një vit 35 milionë euro. Por në sa vite kanë qenë ata. Unë po ta jap minimumin, CEZ-DIA ka shkaktuar një dëm prej 39 milionë eurosh. Çfarë ka pasur dëme që janë paguar para në dorë janë kaq. 6.5 milionë euro i ka marrë Ismailaj, pastaj si i ka ndarë, e di ai. Ai ka marrë për çdo muaj një faturë të caktuar për punë që nuk i bënte. Ka marrë një dënim ai për vjedhje përmes mashtrimit. Por këtu duhet të ishte edhe ai në krah të Metës për korrupsionit. Duhet të ishin edhe çekët, edhe kryetari dhe anëtarët e Bordit të ERE-s”, përfundoi Kara.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie. Të pandehur edhe Pirro Xhixho, Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi, që kanë kërkuar gjykim të shkurtuar.
----------------------------------------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Ditën e sotme dosja e ish-çiftit Meta-Kryemadhi kaloi për gjykim pas 7 muajsh seancë paraprake dhe mes akuzave të të pandehurve për mangësi hetimore.
Avokati Përparim Çaça tha në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV se prokurorët e SPAK do ta kenë shumë të vështirë për të faktuar akuzat ndaj kreut të PL-së, Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.
“Ajo që 7 muaj faktikisht është një seancë paraprake, kur në fakt seanca paraprake tashmë me praktikën gjyqësore të konsoliduar më shumë është një seancë që ne mund ta quajmë në aspektin procedurial, sesa ajo që i mëshojmë. Pavarësisht se avokatët gjithmonë kanë kërkesa proceduriale, pushimin e akteve, etj. Por këto janë situata që i kërkojmë në aspektin procedurial, por janë thuajse të pamundura si pasojë e atyre standardeve që ka ky gjykim procedurial. Në rastin konkret, gjyqtari i seancës paraprake nuk mund t’i hyjë fuqisë së provave dhe nuk mund të vlerësojë provat. Gjyqtari i seancës paraprake e ka tagrin për pushimin e çështjes që bëhet kërkesë edhe nga avokatët e Metës. Por vetëm se in prima face quhet, mungojnë elementët e veprës penale. Ose thënë troç, presupozohet një lajthitje e prokurorit. Është një gjë që mund të ndodhë një në 1 milionë. Mbrojtja e Metës kishte për qëllim ta vononte besoj. Për mua do të jetë shumë e vështirë që të vërtetohet akuza e korrupsionit pasiv. SPAK ka barrën e provës që të provojë akuzën e atyre dy zotërinjve”, tha Çaça.
Nga ana tjetër, ish-prokurori Ervin Karanxha duke komentuar akuzat për ‘shpenzime shëndetësore’ të ngritura nga SPAK për Monika Kryemadhin, shpenzime të cilat sipas dosjes shkojnë në 106 mijë euro, tha se ky është një standard i ri të cilin Prokuroria e Posaçme duhet ta mbajë me të gjithë politikanët.
Karanxha shtoi gjithashtu se botoksi në Shqipëri është i ndaluar, pasi nuk ka një ligj për sjelljen dhe përdorimin e tij në vendin tonë. Sipas Karanxhës, SPAK duhet të hetojë të gjithë politikanët që kanë kryer ndërhyrje estetike me botoks.
“Te shpenzimet shëndetësore. Ne shohim një standard të ri, që mendoj se SPAK duhet ta mbajë për të gjithë. Këto shpenzimet 106 mijë euro janë shumë. Sa politikanë në Shqipëri janë centruar. Sa të shtrembër kemi që janë drejtuar. Kjo duhet parë. Edhe botoksi sot është i paligjshëm. Personi që ta bën, fut mall kontrabandë. Te botoksi ke moskallëzim krimi. Prandaj ky standard duhet të vendoset për të gjithë”, tha ish-prokurori Karanxha.
Komente












