Sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi është paraqitur në SPAK në cilësinë e tij si kallëzues i aferës së inceneratorëve në emër të PD-së. Pasi u mor në pyetje nga prokurorët e Posaçëm, foli para mediave duke thënë se ishte për inceneratorin e Elbasanit dhe kërkoi që SPAK t’i shkojë kësaj çështje deri në fund dhe të çojë para drejtësisë të gjithë personat përgjegjës.
“Në vitin 2020, PD ka denoncuar aferën për 3 inceneratorët, Elbasanit, Fierit dhe Tiranës. Sot isha si kallëzues për inceneratorin e Elbasanit, i cili është duke përparuar në hetime dhe pas 2 viteve nuk kanë përfunduar ende. Kam konfirmuar Kallëzimin e bërë në emër të PD dhe inkurajoj SPAK të përfundojë hetimet dhe të çojë para drejtësisë të gjithë personat përgjegjës. Jemi në dijeni se nuk ka asnjë zhvillim për inceneratorin e Tiranës. I kemi dhënë besim SPAK, duhet të na e kthejë mbrapsht. Qytetarët duhet të na japin rezultate konkrete. Gjej rastin t’i nxis të çojnë para hetimet”, tha Bardhi.
Ndër të tjera u shpreh se ndër emrat që ka kallëzuar janë kryeministri Edi Rama dhe nëpunësit që kanë nënshkruar dhënien me koncesion të inceneratorit.
“Kam kërkuar të merren në cilësinë e provës dhe gjetjet e komisionit hetimor për inceneratorët dhe materialet të jenë pjesë e dosjes hetimore. Nga kryeministri Edi Rama deri te nëpunësi që kanë nënshkruar dhënien me koncesion. Sa kohë personat përgjegjës të evidentuar në kallëzim, e rëndësishme është që SPAK po heton, ka besimin tim personal dhe po e nxis ti shkojë deri në fund”, tha Bardhi.
Një ditë më parë, Monika Kryemadhi u paraqit në SPAK po për çështjen e inceneratorit të Elbasanit dhe u shpreh se dorëzoi dokumente të reja në lidhje me këtë aferë.
Në përfundim të “vizitës” së tij në SPAK për inceneratorët, deputeti i PD Gazment Bardhi u pyet nga gazetari i Report Tv Arsen Rusta edhe për marrëveshjen e nënshkruar një ditë më parë mes Sali Berishës dhe Ilir Metës, kryetarit të Partisë së Lirisë.
Bardhi refuzoi të komentonte marrëveshjen, por një mesazh e pati për dyshen Berisha Meta.
“Nuk e di pse e lidhni marrëveshjen e djeshme me SPAK” u shpreh deputeti i PD, duke lënë të nënkuptohen çështjet e hapura që drejtuesit e PD së Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë kanë me Prokurorinë e Posaçme.