Kreu i PD, Sali Berisha nuk u shpëtoi dot pyetjeve të gazetarëve para SPAK për dëshmitarët e aferës Partizani, ku ai bashkë me dhëndrin Jamarbër Malltezi janë marrë të pandehur. Ai përshëndeti qëndrimin e ish-vartësve të tij që kanë mbështetur privatizimin duke thënë se ka qenë pjesë e programit të qeverisë. Por Kreu i PD nuk komentoi dëshminë e ish-ministrit të Sporteve Ylli Pango, i cili në seancën e 22 qershorit para trupit gjykues deklaroi se kishte qenë kundër ndryshimit të destinacionit të ambienteve të ish-klubit Partizani, pra ndërtimit të 19 kullave atje.

Pango tha se edhe ndryshimi ligjor i vitit 2008 që e bënte të mundur këtë nuk ishte iniciativë e tij, por propozim i qeverisë Berisha. Berisha e përshëndeti këtë qëndrim duke thënë se ish-ministri kishte mbrojtur programin e qeverisë së tij për privatizime. 

“E komentoj si një të vërtetë absolute. Kam pasur një program elektoral, në të cilin u kam premtuar shqiptarëve privatizim, privatizim, privatizim. Dhe ajo ka qenë mbajtje e fjalës. Nuk ndaja fjalën nga vepra. Kisha premtuar privatizimin e objekteve të privatizueshme dhe kam proceduar me shpejtësinë më të madhe. Ju duhet ta dini, t'ju jap një shifër, qeveria e Partisë Demokratike ka privatizuar në një vit sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar 104 mijë objekte dhe sipërmarrje të vogla e të mesme.

Pra, privatizimi është një parim themelor i asaj partie, i atij spektri politik që unë i përkas. E përshëndes dëshminë e zotit Pango, i cili ka mbrojtur aty programin e qeverisë në të cilën ka bërë pjesë. Dhe meqenëse ti flet këtu, meqenëse pyet për këtë, tani të pyes edhe unë pak. Si të duket ty? A s'është kështu? Akuzohet tjetri se ka marrë 410 metra katrorë tokë të gjyshes dhe gjyshit të vet, ndër të cilët edhe të pushkatuar nga regjimi, me të gjithë dokumentet. Me të gjithë dokumentat!

Dhe që faktohet se ato kanë qenë edhe në '37-ën prona e tyre. Dhe nuk akuzohet këta që zhdukën qeveritarët 130 milionë euro në djegësin e Tiranës.  A nuk janë këta prokurorë, apo këta mjeranë të qeverisë më të korruptuar në Europë dhe në botë? Për sa i përket zotit Oketa, e përshëndes dhe e ftoj të thotë gjithçka din rreth atij problemi. Kaq. Ajo është procedura më transparente, më ligjore, në të cilën armiqtë e saj ligjorë nuk kanë gjetur dot asnjë shkelje ligjore”, tha Berisha.

Në fakt vetë Berisha e akuzonte indirekt Pangon më 18 qershor 2008 se me propozimin e parë kishte sjellë një ligj në qeveri, në mbrojtje të interesave të pronarëve të klubeve sportive.

“Ai amendim ishte një lobing i turpshëm që ishte bërë në kurriz të pronarëve. Duhet të keni parasysh një gjë që ndryshime të tilla nuk duhet të bini më në qeveri. Unë mbeta shumë i zhgënjyer”, i thoshte Berisha atëherë Ekrem Spahisë, në atë kohë zv. ministër i Sporteve. Megjithatë, në GJKKO ish-ministri mohoi të kishte qenë i pranishëm në mbledhjen e qeverisë që vendosi kalimin e ligjit në Këshillin e Ministrave.

Shkurt, Berisha komentoi edhe thirrjen në gjyq edhe të ish-ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa. “E ftoj të thotë gjithçka di rreth atij problemi. Ajo është procedura më transparente, më ligjore, në të cilën armiqtë e Berishës nuk kanë gjetur asnjë shkelje ligjore”, tha Berisha.