Sali Berishës i pëlqen të lexojë vetëm njërën anë të protestës, atë të thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ndërsa u paraqit në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitjeje për aferën Partizani, kreu i PD sulmoi protestuesit që kërkuan edhe largimin e tij në tubimin e 4 korrikut, por përshëndeti të gjitha aktet e tjera kundër shefit të qeverisë, përfshirë këtu edhe dërgimin e një arkivoli në shesh.
“Urimin më të shkëlqyer ia bëri protesta rinore, qytetare më datë 4 korrik, e cila me madhështinë e saj përsëriti 20 shkurtin e vitit 1991”, tha Berisha.
Por thirrjet “Berisha në burg” dhe kërkesat që të largohet nga drejtimi i partisë opozitare më të madhe në vend, kryedemokrati i cilëson si klithma të fake opozitës. Ai tha se këto janë veprime guerile të atyre që përdoren për llogari të kryeministrit Rama.
“Janë disa klithma të opozitës së opozitës, vegël e mirëfilltë e qeverisë, e cila mendon se nuk mund të rritet si opozitë me praninë e Berishës, për faktin e vetëm se janë fake opozitë. Prandaj ata shfrytëzojnë këtë protestë për një parullë të tillë. Por kjo nuk e pengon Berishën dhe PD për të mbështetur fuqishmit protestën, nuk i pengon demokratët për të qenë në protestë. Është veprim gueril i atyre që operojnë për llogari të Ramës”, vijoi Berisha.
Berisha mohon ta ketë kapur protestën, por thotë se i mbështesin të gjitha kërkesat e protestuesve.
“Kurrë. Qëndrimi ynë ka qenë që në fillim. Asnjë ndërhyrje në punët e saj, nuk është protesta e jonë dhe e drejta dhe morali duhet të ishin të pamëshirshëm ndaj atyre që përpiqen ta manipulojnë atë protestë. Bazuar në 6 kërkesat e tyre, PD mbështet më të gjitha mundësitë protestën jashtë çdo konotacioni, simboli partiak, por thjesht në frymën qytetare. E kemi bërë në rrafshin brenda vendit, e kemi bërë me kaq zell dhe me sukses në rrafshin ndërkombëtar. Protesta ka marrë mbështetjen e PPE. As kemi tentuar, as nuk tentojmë, as nuk dëshirojmë. Ne ishim në protestë, doli kjo protestë dhe kërkesat janë të njëjtat me ne, e mbështesim plotësisht”, vijoi Berisha.
Komente










