AFGANISTAN - Katër ushtarë të forcave të NATO-s në Afganistan kanë mbetur të vdekur pas një sulmi që është kryer ndaj tyre prej pjesëtarëve të policisë afgane. Ngjarja ndodhi në provincën Zabul ndërsa raportohen edhe disa të plagosur. Incidenti i fundit vjen një ditë pasi dy ushtarë britanik mbetën të vdekur pas sulmit mbi një pikë kontrolli.

Të premten dy marinsa amerikanë u ekzekutuan gjithashtu në jug të Afganistanit pas një sulmi të talebanëve mbi kampin e NATO-s. Zëvendës shefi i policisë së Zabulit konfirmoi për rrjetin televiziv BBC se katër ushtarakët e NATO-s u vranë në orët e fundit ndërsa ishin në patrullim në pikën e kontrollit në Mezan.

Një zëdhënës i NATO-s tha për Associated Press se ende është e paqartë nëse sulmi u krye prej një polici afgan apo kishte më shumë të tillë ndërsa një hetim tanimë ka nisur për ngjarjen. Statistikat sqarojnë se për këtë vit afro 50 ushtarë të NATO-s janë vrarë nga të tilla sulme prej policisë afgane.

(dm/Gre.M/Shqiptarja.com)