Afron afati për ndalimin e rrjetit TikTok në SHBA

Afron afati për ndalimin e rrjetit TikTok në SHBA

TikTok

TikTok-u, platforma më e njohur e mediave sociale në Shtetet e Bashkuara, është bërë pjesë e kulturës amerikane. Por pronësia e saj kineze dhe qasja e mundshme e Pekinit tek të dhënat e shumta personale, si dhe aftësia për të ndikuar opinionin publik për përdoruesit amerikanë, e shtyu Kongresin ta ndalonte atë.

Kjo ndodhi pavarësisht se drejtuesi ekzekutiv i TikTok-ut, Shou Zi Chew, u bëri thirrje përdoruesve amerikanë të platformës së tij që ta kundërshtojnë legjislacionin e ri.

“Mbroni të drejtat tuaja kushtetuese. Bëjini zërat tuaj të dëgjohen”, bëri thirrje zoti Shou.

Nëse nuk ndryshon diçka nga një vendim i Gjykatës së Lartë, kompania kineze ByteDance, që zotëron TikTok-un, do të humbasë qasjen në tregun e saj më të madh më 19 janar, vëren profesori i juridikut në Universitetin e Minesotës, Alan Rozenshtein.

“Nëse supozojmë se Gjykata e Lartë do ta mbështesë ligjin, dhe nëse administrata e re Trump nuk gjen një zgjidhje tjetër – që dyshoj se do të jenë në gjendje ta bëjë – do të duhet që ose të shitet TikTok-u, ose të përballet me një ndalim në Shtetet e Bashkuara”, thotë profesori Rozenshtein.

Presidenti Joe Biden dhe Presidenti i zgjedhur Donald Trump e kanë mbështetur masën e ndalimit.

Por zoti Trump shprehu një ndryshim mendimi kohët e fundit, pasi videot e tij të fushatës gjatë zgjedhjeve patën rezultate të mira në TikTok.

“Më sollën një grafik dhe ishte një rekord. Ishte kaq i bukur për t’u parë. Dhe ndërsa e shikoja, thashë: ‘Ndoshta duhet ta mbajmë këtë për pak kohë’,” tha zoti Trump.

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara dëgjon të premten apelimin e kompanisë së mediave sociale.

Gjyqtarët do të peshojnë argumentin e sigurisë kombëtare përkundër garancive kushtetuese të fjalës së lirë për filialin amerikan të kompanisë ByteDance dhe 170 milionë përdoruesit në Shtetet e Bashkuara, shpjegon profesori Rozenshtein.

“Ky është njëri dimension i konfliktit. Por në një kuptim tjetër, është gjithashtu një luftë brenda vetë fjalës së lirë, sepse një gjë që qeveria po argumenton është se një nga rreziqet e zotërimit kinez të TikTok është se qeveria kineze do të jetë në gjendje të manipulojë algoritmin dhe për këtë arsye të shtrembërojë vetë mjedisin e fjalës së lirë”, thotë profesori Rozenshtein.

Investitori kanadez Kevin O’Leary thotë se e ka informuar Presidentin e zgjedhur Trump se është pranë arritjes së një marrëveshjeje për të blerë aksionet amerikane të TikTok-ut, gjë që do ta shpëtonte atë nga ndalimi.

“Doja ta informoja atë dhe anëtarët e tjerë të kabinetit për atë që po bëjmë dhe se do të na duhet ndihma e tyre”, tha zoti O’Leary për kanalin televiziv Fox News.

Presidenti i zgjedhur Trump i ka kërkuar Gjykatës së Lartë ta pezullojë çështjen, në mënyrë që ai të mund të negociojë një shitje të platformës, pas inaugurimit të tij të dytë më 20 janar – një ditë pasi do të ketë hyrë në fuqi masa e ndalimit./ VOA

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 21:20

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Shqiptari hero bën xhiron e mediave në Britaninë e Madhe, shpëton gruan nga përmbytjet në Leicestershire (EMRI)

VIDEO/ Shqiptari hero bën xhiron e mediave në Britaninë e Madhe, shpëton gruan nga përmbytjet në Leicestershire (EMRI)