Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se vonesat e SHBA-së në dërgimin e raketave për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot po u kushtojnë jetën qytetarëve ukrainas. Në një intervistë për BBC-në nga zyra e tij në qendër të Kievit, Zelensky kritikoi Uashingtonin edhe për qëndrimin në bisedimet e paqes, duke thënë se SHBA-ja ka fuqinë të ushtrojë më shumë presion mbi Rusinë.
Zelensky e cilësoi “të çuditshme” edhe një foto që Donald Trump kishte publikuar, ku shihej duke përqafuar Vladimir Putinin dhe i referohej presidentit rus si “miku im”.
“Sigurisht, kjo i takon presidentit të Shteteve të Bashkuara, por... është e çuditshme. Ai është agresor dhe vrasës. Nuk mund të jetë mik. Thjesht nuk mundet”, tha Zelensky. Sipas tij, është njësoj si të thoshe gjatë Luftës së Dytë Botërore se ishe mik me Adolf Hitlerin.
Që pas përplasjes me Trumpin në Zyrën Ovale në vitin 2025, Zelensky ka treguar kujdes në marrëdhëniet me Uashingtonin. Dy të dërguarit e presidentit amerikan po përpiqen të negociojnë një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës dhe humbjeve të mëdha në njerëz. Megjithatë, vëren BBC-ja, qëndrimet e tyre shpesh duken më pranë atyre të Moskës sesa të Kievit.
Raundi i fundit i bisedimeve, i zhvilluar në Abu Dabi në fillim të nëntorit, përfundoi pa ndonjë përparim të dukshëm. “Sa më shumë mësojmë, aq më shumë probleme dalin”, tha Zelensky. Sipas tij, negociatat pritet të rifillojnë në dhjetor, por ende nuk është e qartë nëse në tryezë do të ulen edhe përfaqësuesit europianë, siç kishin njoftuar të dërguarit amerikanë. Kremlini duket se e kundërshton pjesëmarrjen e tyre.
Të enjten, Trump shkroi në platformën e tij Truth Social se gjatë takimit me Putinin në Kinë, një javë më parë, i kishte kërkuar Rusisë “të tërhiqet nga çdo agresion ushtarak ndaj territoreve në mbarë Europën”. Ai tha se besonte se kishte “shumë gjasa” të arrihej një marrëveshje paqeje me Ukrainën. Megjithatë, nga deklaratat publike të Moskës, duket se Rusia u është kthyer qëndrimeve të ashpra që mbante në fillim të negociatave.
Pas afro pesë vitesh nga nisja e pushtimit rus në shkallë të gjerë, sulmet në Ukrainë po bëhen më të shpeshta e më vdekjeprurëse. Sipas BBC-së, numri i civilëve që po humbin jetën ka arritur nivelin më të lartë që nga fillimi i pushtimit. Zelensky tha se Kievit i duhen aleatë që mund të ushtrojnë presion real mbi Moskën dhe i kërkoi SHBA-së të përdorë fuqinë dhe respektin që gëzon për të arritur rezultate.
“Kur përpiqesh të jesh shumë neutral ndaj agresorit, kjo do të thotë se mbështet viktimat, por mbështet edhe agresorin. Kjo nuk është e drejtë”, tha ai. Uashingtoni, nga ana e tij, thotë se po ruan neutralitetin në përpjekje për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje të qëndrueshme mes palëve.
Në Ukrainë, alarmet ajrore, ditën dhe natën, janë bërë pjesë e një përditshmërie rraskapitëse. Rusia godet me raketa balistike centrale elektrike dhe ura, ndërsa çdo ditë lëshon dronë me motorë reaktivë drejt qendrës së Kievit dhe qyteteve të tjera të mëdha. Në kundërpërgjigje, Ukraina lëshon qindra dronë drejt objektivave në territorin rus.
Sipas Zelenskyt, forcat ukrainase arrijnë të rrëzojnë rreth 70% të dronëve më të shpejtë rusë dhe kjo përqindje po rritet. Por mungesa e raketave që përdoren për të interceptuar raketat balistike mbetet, siç tha ai, “shumë, shumë e madhe”. Presidenti ukrainas kritikoi amerikanët për vonesat në furnizimin me Patriot dhe për përparësinë që po i japin Lindjes së Mesme.
“Është për të ardhur keq që janë përqendruar te Lindja e Mesme dhe po i ndihmojnë më shumë atje. Kemi pikëpyetje të mëdha për këtë. Mungesa e këtyre raketave u kushton jetën njerëzve”, tha Zelensky.
Ai konfirmoi se në zonat e pushtuara të Ukrainës vijojnë kufizimet në përdorimin e sistemit amerikan të komunikimit satelitor Starlink dhe të variantit të tij ushtarak, Starshield. Njësitë ukrainase të dronëve i kanë treguar BBC-së se, për shkak të këtyre kufizimeve, dronët e tyre përgjues nuk arrijnë më t’i kapin dronët rusë Shahed. Këta të fundit depërtojnë kështu më thellë në territorin ukrainas pa u penguar.
I pyetur se kush e kishte marrë vendimin për kufizimet, Zelensky u përgjigj: “Nga ana teknike, SpaceX. Nga ana politike, nuk e di, vërtet nuk e di. Është si pingpong. Pyesim njërën palë dhe na thotë se e ka vendosur tjetra.”
Javët e fundit, Ukraina ka shtuar goditjet në distancë të gjatë ndaj objektivave ruse, mes tyre rafineri nafte dhe anije që transportojnë armë ose karburant. Të enjten, kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se sulmi që fundosi këtë javë një anije luftarake ruse të ankoruar në lindje të Libisë rrezikonte ta përhapte luftën në Mesdhe. Një zhvillim i tillë, sipas saj, do të ishte i papranueshëm.
Zelensky e mbrojti sulmin, duke e cilësuar anijen luftarake ruse Merkury “një objektiv plotësisht të ligjshëm”. Ai pranoi se goditje të tilla janë “shumë të rrezikshme”, por tha se forcat ukrainase “nuk sulmojnë kurrë” pa u koordinuar më parë me partnerët. Nuk dha hollësi të tjera.
Ndërkohë, Ukraina po përgatitet për një dimër të vështirë e të rrezikshëm. Sulmet e fundit ruse në Kiev kanë pasur në shënjestër urat mbi lumin Dnipro, me sa duket në përpjekje për të shkëputur dy pjesët e kryeqytetit nga njëra-tjetra.
Disa banorë janë larguar tashmë për ta kaluar dimrin jashtë Kievit. Ndërprerjet e energjisë dhe goditjet ndaj rrjeteve të transportit e të furnizimit i kanë rritur kostot aq shumë sa disa biznese janë detyruar të mbyllen. Një pjesë e madhe e qytetit ka mbetur në errësirë.
“Sigurisht që Rusia do që ne të largohemi. Njerëzit mund të ikin, por ne do të përpiqemi ta mbrojmë kryeqytetin tonë me çdo mënyrë. Kemi nevojë për kryeqytetin tonë. Pa kryeqytet, nuk ke shtet”, tha Zelensky.





Komente
Komento