Agim Rada, skulpturë në bronz
për vuajtjet e klerikëve në diktaturë

Agim Rada, skulpturë në bronz<br />për vuajtjet e klerikëve në diktaturë
TIRANE- Artisti kritikon veprën e 100-vjetorit “si banjë publike” dhe skulpturën e Institutit të të Përndjekurve “si kukurec” 

Si një antikonformist, në diktaturë nuk do kishte mundur të mbijetonte. Ai do të kishte përfunduar me rastin më të parë në burg ose në çmendinë. Por skulptori Agim Rada, mbijetoi, shpesh duke ecur në tehun e hollë mes këtyre dy skëterrave. I diplomuar në vitin 1978, në Akademinë e arteve, në  kohën kur formimi i “njeriut të ri” kishe më shumë rëndësi se talenti i një artisti, thotë se “rruga e vetme për të mbijetuar ishte të tërhiqej, diku në hije”. Një taktikë, që për shumë arsye e ndjek edhe sot, afro çerek shekulli pas rënies së regjimit komunist.

Në studion ku dikur së bashku me profesorin e  tij Kristaq Ramën ka kaluar ditë të tëra me duart në baltë, duke iu dhënë shpirt skulpturave, sot e gjejmë vetëm...
Është  përballë një figure madhështore të një kleriku, të lidhur me pranga e zinxhirë që e tërheqin fort drejt tokës, me duart e bashkuara në një lutje të përunjur, me portretin e rrënuar nga dhimbjet dhe vështrimin drithërues drejt qiellit...

Ishte kjo skulpturë që na solli në këtë studio. Së bashku me filozofinë e krijimit të saj do të zbulojmë diçka edhe nga thelbi i këtij artisti të pazakontë.

Agim, çfarë do të thotë për ju kjo skulpturë, çfarë doni të përcillni me këtë vepër?
-Është shumë e vështirë të përmbledhës me pak fjalë të gjithë kalvarin e vuajtjeve të kësaj kategorie njerëzish, që për mendimin tim kanë qenë njerëzit më intelektualë, më atdhedashës, për të cilët me një fjalë mund të themi se janë vetëdija kombëtare e Shqipërisë. Pikërisht për këto veti që patën këta njerëz u luftuan në mënyrën më të tmerrshme nga regjimi më antihuman, më antinjerëzor që ka parë ndonjëherë kombi shqiptar.

Dhe unë si skulptor, si artist, si njeri, si qytetar i këtij vendi pata detyrimin t’u kushtoj një vepër që për mendimin tim besoj përcjell diçka nga sakrificat e tyre dhe nga vetëmohimi i këtyre heronjve që unë me plot gojën u them heronjtë më të mëdhenj të këtij kombi dhe këtë e them jo vetëm për klerikët katolikë, por edhe ortodoks dhe myslimanë, për ata që u luftuan pa pikë mëshire, për të vetmin faj se e donin Shqipërinë pa komunistë, donin një qytetari normale, një zhvillim normal të këtij vendi dhe jo zhvillim me urdhra nga Beogradi apo nga Kina, apo nga Moska. Ky ishte i vetmi faj i tyre.
 
Në çfarë faze të punës jeni tani me veprën kushtuar klerikëve martirë?
-Tani siç e shikoni kjo punë është drejt përfundimit. Shpresoj që gjatë vizitës së Papa Françeskut në Shqipëri kjo vepër të jetë vendosur diku. Në Shkodër do të kisha dëshirë, sepse shkodranët e meritojnë. Aty është zhvilluar lufta më e madhe. E meritojnë si një popull që nuk pati kurrë pajtim me atë regjim.
 
Si nis zakonisht krijimtaria jote, dita e punës në studio?
-Krijimtaria kërkon një akumulimin më parë për të kuptuar thelbin e motivit krijues, kërkon përkushtim që ti ta ndjesh brenda vetes kaluarin e klerikëve të dënuar, ta kesh dhe ti brenda vetes ndjesinë e vuajtjes së tyre. Unë them se çdo shqiptar që ka qenë në anën e së mirës dhe jo së keqes, në anën e viktimës dhe jo xhelatit është në gjendje ta kuptoj. E mirëpret këtë vepër, qoftë edhe për misionin që kjo përmban. Fëmijët tanë duke parë këtë vepër duhet të mësojnë shumë nga historia, të kuptojnë se çfarë masakre është bërë. Është bërë llahtaria, është bërë një masakër e tillë sa ajo e Shën Bartolemeut nuk është gjë ndaj kësaa.

Kjo është një ndjesi e mbartur ndër vite brenda meje, ku un i shikoja gjithmonë klerikët si viktima, si njerëz të mirë. Mendoja se ç’lidhje kishin klerikët me burgun. Burgu është për kriminelë, përdhunues. Ç’lidhje kishte burgu me ata. Ata u dënuan për të vetmin faj se ishin antikomunistë. Atë ta thotë At Zef Pëllumbi te libri “Rrno për me tregue”; që hynin në Shkodër komunistë me flamurin jugosllav dhe nisën të gjuanin klerikët nëpër kisha. Dhe mua më vjen keq që kaluan shumë vite dhe nuk ndihet njeri për këto gjera. Vuajtjet e tyre nuk vihet njeri t’i pasqyrojë. Zakonisht merren jo me “brigada e parë”, “brigada e dytë” apo me “Heronjtë e Vigut”. Më duket se ky regjim është një atavizëm i atij të mëparshmit.

Le ta dëgjojnë të gjithë se duhet të bëhet një zgjedhje. Nëse e hedhin poshtë atë regjim antinjerëzor, i bie që viktimat të nderohen. Shtrohet çështja a duhen vendosur “Heronjtë e Vigut” që vranë klerikët apo këto viktima të tyre. Vetëm njëri nga këto monumente ka vend në Shkodër.
 
Tek kjo vepër dallohet zinxhiri, duart për t’u lutur dhe vështrimi drejt Zotit...?
-Ky zinxhiri është Lidhja vertikale që ka ky me tokën, me vendin e vet. Pra është një lloj tokëzimi që i bëhet figurës. Po njëkohësisht ndihet edhe pesha e madhe e diktaturës, e vuajtjes. Këto hallkat e  zinxhirit i kam bërë shumë të mëdha, shumë të rënda për treguar peshën e madhe. Po të shikosh edhe prangat, janë pranga që nuk ndodhen në asnjë lloj modeli në botë, por që i ka bërë një kovaç që të mjaftojnë të mbërthejnë duart e një njeriu me hekur.

Këto  kanë mbërthyer duart dhe trupin, por shpirtin e ka të lirë, që shikon me shpresë se një ditë do t’i vij liria këtij vendi, e duket sikur thotë “O Zot, fali se nuk dinë se ç’bëjnë”, postulatin e famshëm të Krishtit. Ky gjithmonë shikon me shpresën  se një ditë do të vijë liria e këtij vendi. Ashtu i zbardhur në qeli, ky mbetet me shpresën se një ditë këta të marrët, këta keqbërësit do të pendohen. Por, me sa shoh jo që nuk janë penduar, por më trishtojnë akoma.
 
Ju keni qëndruar krejt i veçuar, ndoshta në hije. Nuk jeni person shumë mediatik, pse kjo tërheqje juaja?
-Nuk është e vërtetë kjo, kjo pjesërisht është e vërtetë. Unë them se njeriut i mjafton pak intelekt për të njohur vetveten të paktën, sepse mediatikisht mund të jesh më i madhi në botë, mund të pretendosh për çmime Nobel, por janë ca të vërteta të thella që i di vetë artisti dhe besoj se kur i di këto je në rregull me të tjerët. Mua nuk më intereson shumë  të dal në intervista me ata analistët dhe të më thonë “Gimo fole bukur”. Nuk i kam pasur qejf, jam shmangur me qëllim, sepse nuk kam dashur të jem pjesë e kësaj zhurme false, boshe. Kam dashur të jem thjesht artisti.

Dhe nuk është e lehtë. Në kohën e diktaturës ishte vënë kushti. Thuhej se na duhet njeriu, artisi nuk kishte pikë vlere, ai nuk i interesonte askujt. Nëse do të ishe njeriu duhej t’i përgjigjeshe flakë për flakë mësimeve të partisë, të bëje bustin e shokut Enver, të bëje skulptura me parullat e kongreseve. Kur i bënin këto të tjerët mua më vinte ndot. Unë tërhiqesha dhe nuk e mendoja se do vinte një ditë që sistem do të degradonte. Kështu fundi im dihej; o në burg, o në çmendinë, se rrugë të mesme nuk kishte.

Si duket unë burgun e vuajta edhe pa qene në burg dhe me sa duket Zoti nuk më dha një burg të dytë. Unë u stakova me temat e ditës. Nuk bëra konkurse që kush e askush do të dilte i pari. Arti nuk ka lidhje me konkursin, secili artist ka një univers të vetin. Mendoj par se në atë kohë unë pata intelektin dhe dhuntinë e Zotit që të shkëputesha shpirtërisht nga ajo kohë. Kam bërë në skulpturë Kukuzelin, Gjergj Elez Alinë, Barletin, Onufrin dhe ngelën ato punë. Kohët e fundit bëra Petro Markon, një rebel, që duket një vepër shumë e goditur. Pra gjithmonë kam bërë gjërat që kam dashur, që kam pëlqyer.
 
Domethënë që ti të mos bëheshe “njeriu i ri” të shpëtoi vepra?
-Ne artistët jemi thjesht ekuivalent të veprave tona. S’mund të bëj një njeri mediokër Barletin- një njeri të mënçur, s’mund të bëj Onufrin, dhe s’mund të bëjë dot ai që nuk e ka ndjerë kalvarin e gjysmë shekulli vuajtjesh të këtyre klerikëve. Artisi i vërtetë i fut brenda vetes vlerat e personazheve. Se sot ndodh një çudi me artistët. Se ç’kanë mbaruar ca mastera e kanë bërë ca shkolla për skulpturë, pastaj për arkitekturë, etj. Si të them unë, çdo familje ka arkitektin apo avokatin e vet. Prej kësaj që ndodh kam shumë respekt për kohën e Mbretërisë, e adhurojë atë periudhë. Ishin ca mjekë të njohur si Preza, Kërçiku apo Zyma, po ishin vërtetë mjekë.

Sot Universiteti i Arteve prodhon pafund skulptorë. Po çfarë bëjnë këta skulptura për varrezat...po të shohësh aty para kinema Partizanit kanë vënë një skulpturë të rëndomtë, një si fshatar me të meta mendore.., ose tek Instituti i të Përndjekurve nga diktatura kanë bërë një skulpturë si kukurec. Për 100-vjetorin e Pavarësisë me akord fiks bënë një konkurs që përfundoi me turp, siç përfundoi torta e 100-vjetorit. Edhe vepra fituese përfundoi me turp që pjesë të saj kanë përfunduar për skrap ose e tëra si banjë publike.
 
Dukeni natyrë shumë kundërshtuese. Ju ka hapur telashe kjo?
-E di, telashi më i madh është se si shpërblim të kësaj natyre më kanë lënë në hije. Jam i vetmi artist që mbarova shkollën e lartë dhe më lanë jashtë Tirane, më çuan në Kavajë, pastaj më çuan në punë me normë më Ndërmarrjen Artistike “Migjeni”. Pastaj në këto 20-24  vjetët e fundit kam jetuar si gjarpri nën gurë, me ndihma shokësh, me punë të zeza, andej këtej për të mbijetuar dhe e kam shtyrë jetën me mund vetëm e vetëm që të mos vardisem pas ndonjë udhëheqësi me kollare e makinë, e ndërkohë unë s’do të isha më ku që jam. Kështu jam shtyrë, por kjo mënyrë jetese, pak martiri e pak bohemi më ka pëlqyer, sepse kur kamë vënë kokën në jastëk jam ndier njeriu më i lirë në botë, i pavarur.
 
Dhe sa vite krijimtari ju bëhen?
-Krijimtari është gjithë jeta e artistit. Artisti i ka gjithmonë shqisat në alarm, në gjendje pune; edhe në kafene kur sheh një vajzë të bukur apo një trung peme, kur dëgjon një muzikë apo sheh një pjesë të dramës. Më thatë që nuk jam njeri mediatik, por nëse dalim bashkë rrugëve të Tiranës nuk ka njeri që nuk më njeh. Më njohin për bëmat, humorin, siç jam si Gimi. Më njohin edhe ministrat, si edhe kryeministri sepse me të atin e tij unë kam punuar shumë vite. Më njohin karrocierët e pastruesit.
 
Çfarë do të thotë për ty kjo studio?
-Në atë kohë mua më çuan në Kavajë, thjesht të mos rrija në Tiranë se i bëja keq rinisë. Dhe kur më vjen si rrufe nga qielli një ftesë e Kristaq Ramës për të bashkëpunuar këtu.
 
Si punonit me Kristaq Ramën?
-Ai nuk e bëri këtë vetëm për mua, por edhe të tjerë artistë. Mjafton të ishin të aftë. Kristaqi ishte njeri i thjeshtë. Ulej në pushim në studio me një copë djathë e bukën që e thekte dhe e hante këtu në studio. Nëse do bënte keq, i pari që do të isha në burg, do të isha unë. Por ai nuk më ndante mua nga njerëzit e familjes. Më ka ftuar në shtëpi. E kuptonte mirë kush isha dhe thoshte “Lëreni Gimin ne botën e vet”. Unë bëja dhe zullume. Pija, kam qenë i varur nga alkooli, sepse në atë kohë për mua ishte një lloj çlirimi.

Kam vite që e kam lënë alkoolin. Në atë kohë me grupe shokësh shanin, pinin, bënin muhabete me fshesaxhinjtë, me karrocierët. Ata flisnin pa pikë paragjykimi, me ta unë ndihesha vërtetë mirë. Ata nuk dinin të thoshin se “në dritën e plenumit aq e kaq ne do t’i fshijmë këto rrugë”. Ata kishin hall të mbaronin punën dhe të ushqenin fëmijët e  vet. Tek ata unë e kam parë botën përmbys. 

skulptura










































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Trafik armësh drejt Britanisë së Madhe, GJKKO lë në 'arrest me burg' 3 të arrestuarit, 3 të tjerë në kërkim

Trafik armësh drejt Britanisë së Madhe, GJKKO lë në 'arrest me burg' 3 të arrestuarit, 3 të tjerë në kërkim