Agjencia rajonale Mjedisore e Tiranës pranon për televizionin TCH se Drejtoria e Përgjithshme e rrugëve ka nisur punën me një dosje të mangët dhe pa leje mjedisore. Më shumë se një muaj nga ndërmarrja e një aksioni civil për mbrotjen e parkut të Liqenit Artificial nga zgjerimi i rrugës së Elbasanit, duket se institucionet e shtetit e kanë pranuar me gojën plot se gjithçka është bërë në mënyrë joligjore, dhe puna për ndërtimin e rrugës ka filluar pa pasur dokumentacion të plotë.
Drejtoria e Rrugëve është gjobitur me 1 milion lekë dhe vetëm një ditë me pas, pra në 27 qershor ka nisur procedurat për pajisje me leje mjedisore. Drejtori i Agjencisë Mjedisore, Sokol Lekaj pohon se firma e ndërtimit duhet të respektojë një sërë rregullash, si kompensimin e zonës së gjelbëruar, mos ndotjen e ajrit me pluhur, si dhe larjen dhe mbulimin e kamionëve dhe zonës ku punohet.
“Pala që është e interesuar është Bashkia e Tiranës, por tenderin dhe aplikimin e ka bërë Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve. Një javë përpara se të bëhej aplikimi, inspektorët e mi kanë qenë në terren kanë verifikuar situatën. Ju e dini fare mirë që aty punimet kishin filluar dhe rruga ishte pothuajse e zgjeruar, domethënë pemët ishin prerë. Neve kemi kërkuar lejen mjedisore, që nuk e kanë pasur dhe në datë 26 qershor i kemi gjobitur. Kjo është një masë administrative që merret për mospajisjen e projektit me dokumentet e përcaktuara nga ligji”, thotë Lekaj.
Por sa janë zbatuar këto rregulla, në një kohë kur leja mjedisore është marrë realisht disa javë më vonë, kur firma e ndërtimit kishte prerë qindra pemë dhe kishte nisur punën, pa asnjë kusht për ruajtjen e mjedisit edhe pse sipas ligjit ARM ka të drejtën e pezullimit të punës.
“Ne si palë nuk kemi qenë prezente në momentin kur është bërë prerja e pemëve. Është shënuar nga Bashkia Tiranë, nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve numri i pemëve të prera dhe ne kemi detyruar me anë të këtij autorizimi, firmën zbatuese që të bëjë mbjelljen, duke e kompensuar ato që janë prerë. Mosrespektimi i kushteve të autorizimit mjedisor ka sanksione ligjore që janë njoftimi paraprak, pastaj është gjoba që mund të vihet, është pezullimi i punimeve dhe heqja e autorizimit mjedisor,” tha Lekaj për Top Channel.
Shoqëria civile ka protestuar pa ndërprerje, duke kërkuar transparencë publike mbi projektin që Bashkia po ndërmerrte në këtë zonë, si dhe lejen mjedisore me të cilën po vepronte firma e ndërtimit. Kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka pranuar publikisht në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak se një leje ndërtimi për rrugën e re nuk është dhënë nga institucioni që ai drejton, por ka theksuar se gjithë projekti është në drejtorinë e përgjithshme të rrugëve.
Vetë ambasadori Arvizu u vu në lëvizje pas një letre të hapur të disa gazetarëve më në zë në Shqipëri, të cilët të shqetësuar nga situata dhe pa gjetur zgjidhje e përgjigje në institucionet e shtetit, iu drejtuan diplomatit të SHBA. Ambasadori menjëherë pas takimit theksoi se të gjitha institucionet në Shqipëri duhet detyrimisht të japin sqarime për pyetjet e ngritura nga gazetarët dhe shoqëria civile, e pas kësaj deklarate, duket se edhe institucionet u vunë në lëvizje për të reaguar.
(Shkrimi u botua ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)