Agjencia Kombëtare e Bregdetit ka nisur kontrollet në plazhet e Vlorës për të verifikuar zbatimin e hapësirave publike dhe respektimin e kritereve të përcaktuara për administrimin e vijës bregdetare.
Inspektimet kanë nisur mëngjesin e së enjtes në zonën e Lungomares, një nga hapësirat me përqendrimin më të madh të plazheve në qytet. Në fokus të kontrolleve kanë qenë sipërfaqet publike të përcaktuara për pushuesit, por edhe mënyra se si po zbatohen kushtet nga subjektet private.
Sipas informacioneve, gjatë verifikimeve është konstatuar se disa hapësira publike janë zënë me çadra nga biznese private, në kundërshtim me ndarjet e miratuara.
Kontrollet vijnë pas inspektimeve të zhvilluara në bregdetin e Vlorës nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, si dhe monitorimeve të kryera nga përfaqësues të ministrisë për respektimin e hapësirave publike dhe kritereve ligjore për ndarjen e plazheve.
Në nisje të sezonit veror, Bashkia e Vlorës ka dorëzuar pranë Agjencisë Kombëtare të Bregdetit hartën e plotë të vijës bregdetare me ndarjen e plazheve publike dhe private.
Përveç hapësirave publike, inspektorët kanë kontrolluar edhe plazhet private për respektimin e sipërfaqeve të lejuara sipas kontratave, numrin e çadrave, kushtet higjieno-sanitare dhe praninë e vrojtuesve të plazhit.
Autoritetet paralajmërojnë se bizneset që nuk zbatojnë kriteret e përcaktuara do të përballen me masa administrative, përfshirë gjoba dhe sekuestrimin e çadrave dhe shezlongëve.
Komente








