KORÇË - Agjensitë, që ushtrojnë aktivitetin e tyre si linja për transport udhëtarësh drejt Greqisë, kanë bojkotuar për rreth dy orë punën në pikën doganore të Kapshticës, në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë greke për aktivitet të përbashkët me agjensitë e tyre si dhe pezullimit të licensave.

Protestuesit kanë kërkuar respektimin e marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2006, duke i dhënë fund kështu kësaj loje, e cila favorizon monopolin.

Sipas tyre, në bazë të marrëveshjes së transportit ndërkombëtar me vendet e treta, nuk ka licensa nën një vit dhe kjo vërtetohet me licensat që lëshoi shteti fqinj për Turqinë, Moldavinë, Ukrainën, konkretisht deri në 30.06.2013 ndërsa për Shqipërinë, deri në 28.02.2013.
Protestuesit i kanë bërë thirrje ministrisë së Transportit të anullojë licensat e firmosura në muajt janar-shkurt, pasi janë firmosur në baza jo të drejta; në të kundërt, kanë kërcënuar se do të bllokojnë doganën.

Shteti, sipas drejtuesve të agjensive të udhëtimit, po kërkon të monopolizojë këtë aktivitet, duke iu dhënë prioritet firmave greke, duke bërë që ato të fitojnë në kurrizin e firmave shqiptare edhe pse nuk kanë investuar asnjë lek. Ndërkohë, shkelja e marrëveshjes penalizon dhe qytetarët, pasi do të ndikojë në rritjen e çmimit të biletës.

Redaksia online

(ar.sh/shqiptarja.com)