Kryeministri Edi Rama, gjatë Forumit të Paqes në Paris, foli për protestat e zhvilluara në fillim të qershorit, duke thënë se projekti i lidhur me Jared Kushner ishte ai që nxiti zemërimin e qytetarëve.
I pyetur se çfarë kanë të përbashkët protestat në Shqipëri me ato në Itali dhe Francë, Rama tha se duhet bërë një dallim mes protestave të para, ku morën pjesë qytetarë nga fusha të ndryshme të jetës, dhe atyre që pasuan, të cilat sipas tij u përshkallëzuan në dhunë.
“Do të thoja që në rastin tonë protestat kanë veçantitë e tyre dhe në të njëjtën kohë do të bëja një dallim mes asaj që ka ndodhur në fillim, pra në manifestimet e fillimqershorit, ku pati një numër mjaft të madh njerëzish që vinin nga të gjitha fushat e jetës dhe shprehnin shqetësime, të cilat erdhën si rrjedhojë e projektit të famshëm që lidhet me Jared Kushner. Ishte si një lloj shamie apo flamuri i kuq që nxiti zemërimin e ‘demit’ në qytetin tonë. Nga kjo pastaj mbeti një numër shumë i vogël protestuesish që më vonë përshkallëzuan në dhunë, që nuk është e pranueshme dhe s'ka të bëjë më me protestën e fillimit”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha se protestat duhen parë edhe në kontekstin e një situate më të gjerë në Europë, ku sipas tij rrjetet sociale ndikojnë në mënyrën se si të rinjtë informohen dhe përfshihen në protesta.
“Është një situatë komplekse në mbarë Europën, që do ta përkufizoja si një përplasje mes botës reale dhe medias sociale, ku shumë të rinj marrin informacionin apo keqinformimin, apo të dyja, si dhe frymëzimin për të përshkallëzuar në mënyra të cilat janë të papranueshme në një shoqëri demokratike”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
'Protestat në Tiranë si një tenxhere ku zien gjithçka, nga Irani te opozita', Rama në Forumin e Paqes në Paris: Synojmë mbylljen e negociatave me BE-në në 2027!








