Spekulimet për të ardhmen e Hakan Calhanoglu janë shuar nga vetë agjenti i tij, Gordon Stipic, i cili ka mohuar kategorikisht çdo mundësi transferimi drejt Galatasaray në Turqi.

Mesfushori turk, që është një nga shtyllat e Interit, ka kontratë me zikaltërit deri në vitin 2027 dhe sipas përfaqësuesit të tij, është plotësisht i kënaqur me jetën dhe karrierën në Itali.

“Nuk ka pasur asnjë negociatë me Galatasarayn, as verën e kaluar dhe as gjatë merkatos së janarit. Nuk ka pasur as kërkesa dhe as kontakte konkrete”, theksoi Stipic, duke i quajtur të pabazuara raportimet që vinin nga Turqia.

Agjenti shtoi se Calhanoglu është i fokusuar vetëm te objektivat me Interin, përfshirë garën për titull dhe sukseset me ekipin. Performancat e tij të qëndrueshme dhe roli i rëndësishëm në skuadër e konfirmojnë si një nga lojtarët kyç të zikaltërve këtë sezon.

Përtej angazhimeve me klubin, mesfushori po mendon edhe për sfidat me kombëtaren e Turqisë, ku mban shiritin e kapitenit dhe synon të udhëheqë ekipin në Kupën e Botës 2026 që zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada.