Ai thotë se Stathi Cehaefi ka qenë një nga agjentët më të spikatur të fuqive të huaja që kanë zhvilluar veprimtari të suksesshme në vendin tonë. Ai kujton se për të grumbulluar të rinjtë Stathi shfrytëzonte autoritetin e madh që kishin mësuesit e asaj periudhe tek nxënësit dhe prindërit. Aktet që u konstatuan më vonë kanë qenë produkt i këtij mirëbesimi, pasi prindërit nuk shqetësoheshin nga shoqëria e nxënësit me një mësues. Sikur kjo veprimtari e mësuesit me nxënësit e vet të ishte konstatuar në SHBA, me siguri, edhe pa akuzat e një spiunazhi aktiv që kishte mbi kurriz, ai do të përfundonte me siguri në karrige elektrike, thotë shkruesi i kujtimeve sekrete në bisedë e sipër. Oficeri tregon se shenjen e parë të dyshimit për Stathi Cefaefin, organet e kundërzbulimit shqiptar e morën nga një prind, i cili denoncoi faktin se mësuesi kishte filluar të interesohej mbi transportin që zhvillonin anijet e Flotës Tregtare.
Personi që denoncoi K. XH. kishte qenë oficer, komisar i një grupimi baterish kundërajrore dhe me pas kishte kaluar në flotën tregtare. Menjëherë sapo i biri i a tha se çfarë kishte biseduar me mësuesin masovik të të rinjve, ai kërkoi takim me kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme dhe e denoncoi. "Denoncimi, kujton oficeri tashmë në pension, u ruajt i fshehtë dhe që atëherë Cehaefi u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë. Gjatë kësaj periudhe ai u ndoq, u fotografua dhe u incizua. Atij i u dokumentuan takimet agjenturore edhe me polakët, çekët, etj. Shkëmbimin e informacionit e bënin në shkallën e brendshme të ish PTT- së 5-katëshe të asaj periudhe të Durrësit.
Njëri ulej, tjetri ngjitej dhe në shkallë, kur nuk kishte asnjë njeri, shkëmbenin zarfat". Në stafin e afërt të tij, me kombinacion u fut edhe një agjent i Sigurimit te Shtetit. Me pas ai u përpunua edhe me dy të tjerë, babë e bijë. "Kur u arrestua Stathi, hetuesia kërkonte që të merrte në pyetje agjentin me të bijën, por duke qenë bashkëpunëtorë të sigurimit, u desh ndërhyrja e Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së rrethit, shokut Iljaz Reka, kujton oficeri shërbimeve, me qëllim që të lejohej pyetja dhe me pas ballafaqimi hetimor para të cilit Stathi, me gjithë inteligjencën që e karakterizonte, mbeti i zbuluar. "Një periudhë kohe ai u nënvleftësua nga punonjësit e sigurimit, duke menduar se ishte njeriu i tyre, më pas ishte ai që i nënvleftësoi ata se sa të aftë ishin, dhe nga kjo pësoi disfatë" shkruan oficeri.
"I DEFLORUAR I VJETËR"
Gjatë kohës kur bëhej hetuesia e Stathit, një oficer i sigurimit, i cili është ndodhur në shërbim në një natë kur sapo ishte arrestuar superagjenti tregon për të përjavshmen "Investigim" një detaj mjaft interesant. "Ndodhesha me shërbim, kur me bie zilja e telefonit. Më thërrasin në zyrën e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme. Kur hyra brenda, aty ndodhej edhe shefi i hetuesisë. Ata me dhanë detyrë për të shkuar dhe për të marrë mjekun e shquar të Durrësit, Fiqiri Këlliçin, ish-drejtor materniteti në një periudhë, pasi do të bënte ekzaminimin e të burgosurit Stathi Cehaef. Mjeku pasi e kontrolloi konstatoi se Stathi ishte i defloruar i vjetër në anus dhe se ai kishte pasur marrëdhënie seksuale pederastie pasive ". Nisur nga kjo dëshmi e oficerit të shërbimit të kundërzbulimit mund të mendohet se ndoshta këtë metode komprometuese që ai përdorte në masat e të rinjve, mbase e ka pësuar vetë në kurriz më përpara. Metoda këto të njohura si të përdorura gjerësisht nga zbulimi sovjetik në rekrutimin e grupit të Kembrixhit në Angli. Dhe të Stazzit më pas.
ARRESTIMI
Stathi u arrestua më 5 nëntor, 3 ditë para festës së themelimit të Partisë Komuniste, pasi kishte arritur në organet e shërbimeve sekrete, një e dhënë se po organizohej diçka me rastin e festës…Nga të gjitha ato kurse që ai kishte organizuar me të rinjtë, na bëri përshtypje në kontrollin e banesës fakti se ai si vegël pune në shtëpi kishte pasur vetëm një violinë…Dhe një broshurë në përkthim e sipër mbi jetën e Rikard Sorges. Mbase synonte ta imitonte… Ish-oficeri i shërbimeve kujton se ai ishte mjaft i zgjuar dhe i studionte njerëzit shumë mirë përpara se të gjente pikat e tyre të dobëta. Një violinisti shumë të talentuar i kishte premtuar që ta dërgonte për studime në Francë, por kjo nuk u arrit sepse informacioni mbi ç'kërkonte ai kishte ardhur paraprakisht dhe kjo e dogji atë pasi nuk u fut në listë fare. Për dikë tjetër interesohej t'i dilte e drejta e studimit, madje edhe shpenzonte për t'i ndihmuar të rinjtë në nevojë. Interesimi kryesor i tij mbetej njohja me fëmijë të oficerëve dhe kuadrove kryesore me perspektiva studimi dhe karriere. Ai kishte krijuar lidhje deri me femije të njerëzve që bënin pjesë në shtresat e larta të nomenklaturës komuniste. Gazetari Mark Brunga që ka parë njërën nga dosjet e Stathit, thotë se në dosje kishte pasur përpjekje për të "futur duart" . Mbase pikërisht nga ky fakt që sjell oficeri i vjetër. Ose mund të jenë marrë dokumente me qëllim përdorimi për shantazh për arsye të ndryshme ndaj ndonjë personi të caktuar…
MISTERI I FUNDIT
Stathi ka vdekur në vitin 1978 në burgun e Ballshit, gjatë periudhës kur ai punonte në bibliotekën e këtij burgu dhe merrej me përkthimin e literaturës profesionale nga shërbimet e huaja, për Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë… Raporti mjeko-ligjor përcakton si shkakun e vdekjes një atak kardiak, por ky është edhe misteri i fundit i superspiunit që shumëkush mund ta dëshironte të vdekur. Ai mbeti agjenti më i përfolur në Durrës, për metodat më të fëlliqura të komprometimit që ka përdorur masivisht me të rinjtë. Në këndvështrimin e oficerëve të shërbimeve sekrete shqiptare që janë marrë me aktivitetin e tij armiqësor kundër vendit tonë, mbetet një agjent nga më të suksesshmit që kanë pasur veprimtari spiunazhi në Shqipëri. Agjent i pamëshirshëm që i shiti po pa mëshirë të gjithë bashkëpunëtorët e vet duke i hartuar vullnetarisht listat e tyre, megjithëse kishte qenë vetë iniciatori i tërheqjes në dafrunga të fëlliqura pa pyetur për moshën e tyre të re dhe pasojat që mund të kishin në një sistem totalitar. Ai i përdori ata për të shtruar rrugën e karrierës së vështirë të një spiuni profesionist dhe me pas i shiti në shenjë bashkëpunimi me drejtësinë komuniste për të siguruar mosdënimin e tij me vdekje. Synimi i fundit që kishte dhe që e arriti.
shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com, datë 14 nëntor
(ad.ti/shqiptarja.com)