Agron Gjekmarkaj: Sami Repishti iku, la pas një monument

Agron Gjekmarkaj: Sami Repishti iku, la pas një monument

Sami Repishti

Sa keq që ka ndërruar jetë Sami Repishti! Si një zë nga qielli shfaqej ai në Botën Shqiptare, herë pas here, kur urtia e tij përkufizohej si shpresë! Diku në faqet e para të librit “Nën hijen e Rozafës”, Repishti na rrëfen se si teksa mësuesi i historisë u fliste studentëve për Gjergj Kastriotin –Skënderbeun, një shok klase ofshan e plot pafajni thotë: “Sa keq që ka vdekë Skënderbeu!”.

Një keqardhje e tillë duket e shoqëron qysh në vogli edhe Sami Repishtin, sepse i vetëdijshëm Skënderbeu është për të “mbinjeriu” shqiptar që ndryshon rrjedhat e historisë! Kjo ofshamë duhet ti dalë sot çdo shqiptari që e ka shijen e kulturës, të lirisë, të dinjitetit njerzor, të një shoqërie pa dhunë e padrejtësi, apo atë sublimitetit të Atdheut!

Sami Repishti një nder intelektualët më të medhenj shqiptar futur në mes të dy shekujve, sot ndërroi jetë! Gjithë jetën e tij ja kushtoi dinjitetit njerzor, lirisë individuale e shoqërore! Shqiptar rracet e shkodran sojit, shkrimtar, disident, i burgosur politik, filozof, profesor në Amerikë, veprimtar pranë administratave të ndryshme të SHBA-ve, kohë e gjitha e shpenzuar për Shqiperinë e Kosovën, në konflikt të pareshtur me tiraninë komuniste e shtypjen nacionale!

I formuar në perëndim, për 10 vjet i burgosur pas perdes së hekurt! I arratisur si në legjenda mbërrin në vendin e lirive! Mundësinë personale e kthen në përspektivë shqiptare! Bashkëkohës e mik i të mëdhenjëve, Koliqi, Camaj dhe Pipa, i madh sa ata!

Ideolog i identitetit europian të shqiptarve, po kaq i mendësisë dhe standardeve demokratike!

‘’Gjithë rininë e kam kaluar në vendin tim të lindjes, Shqipëria, ku kam parë tërë skenat çnjerëzore të tmerrit fashist të Luftës së Dytë Botërore. I ri, pjesëmarrës i Rezistencës, u ndodha më 1945 përballë një ideologjie totalitare dhe një qeverie që e quanin ‘’pushteti i popullit’’. Realiteti që përjetova dërrmoi tërë shpresat e mija, dhe me vullnetin për t’i qëndruar besnik vetvetes, iu kundërvura rendit të ri të vendosur. Më quajtën ‘’rebel’’. E pranova këtë cilësim dhe krejt pasojat që rrodhën; dhjetë vjet tortura, burg, kamp përqendrimi dhe punë të detyruar. Më 1959 kalova me armë kufirin.

Zhvlerësimi njerëzor i organizuar nga komunistët në kampet e përqendrimit të Shqipërisë poshtëroi të burgosur në numër të madh; shumë u vranë, u vetëvranë, me mënyra nga më të llahtarshmet… Të jetosh në një kamp përqendrimi është vetë ferri. Të përballosh torturën, të sotmen e të nesërmen, ta përballosh atë çdo ditë që pason dhe këtë për dhjetë vjet më radhë, është një agoni shumë më e thellë se ajo e vdekjes’’! Kjo pjesë autobiografike gjindet tek “Dialektika e rendit dhe e rebelimit’’, tek Andre Malraux”, një kryvepër e llojit në sociologji e filozofi!

Në paqe mes Islamit dhe Krishtërimit, i fisëm në qëndrime, i paepur në bindje, magjepës në vepra të shkruara e të folura, ndikues i madh atje ku çdo njëri prej nesh ndihet i vogël, pranë Presidenteve të SHBA-së apo në katedrat historike të qytetërimit perëndimor, sot shkoi në amshim, një nga Ata që i lind rrallë shoqi!

Iku dhe la një monument të shqiptarit që mblodhi në vete valencat e historisë, e ka shqisat e modernitetit, la monumentin e intelektualit të kalibrit, atë të klerikut të lirisë e dinjitetit në përballje me tiraninë, të patriotit që e do vendin e tij edhe kur ai të vret! Iku Gega i fundit madhështor!/Marrr nga profili në Facebook i Agron Gjekmarkajt

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    14 Dhjetor, 13:13

    Berisha boton foton e gruas së Dumanit duke i rrezikuar jetën! Si e gjykoni?



×

Lajmi i fundit

Behgjet Pacolli shprehet i gatshëm për të ofruar banesë dhe pension mujor për Parashqevi Simakun në Kosovë ose në Shqipëri

Behgjet Pacolli shprehet i gatshëm për të ofruar banesë dhe pension mujor për Parashqevi Simakun në Kosovë ose në Shqipëri