Ahmetaj: E paligjshme kontrata
për konviktin e Gjuhëve të huaja

Ahmetaj: E paligjshme kontrata<br />për konviktin e Gjuhëve të huaja
TIRANE- Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj anuloi zyrtarisht kontratën e lidhur në kapërcyell të ndërrimit të pushteteve, në gusht të këtij viti nga qeveria Berisha, ku i jepej Shkollës së Lartë Universitare Jopublike “Universiteti Luarasi”, konvikti i Gjuhëve të Huaja në kryeqytet e duke ia hequr atë UT.

Ministri konkludon se marrëveshja ka qënë e paligjshme, në tejkalim të kompetencave dhe njofton universitetin për prishjen e kontratës dhe arësyet. Kështu, në shkresën zyrtare thuhet se Ministria e Zhvillimit Ekonomik pasi shqyrtoi zbatimin e ligjshmërisë për procedurat e ndjekura për dhënien me qira të “Konvikti i Gjuhëve të Huaja” Tiranë, konstatoi se:

Procedura e ndjekur nga ish-METE për dhënien me qira të “Konviktit të Gjuhëve të Huaja” Tirana është në shkelje të kërkesave të VKM nr.529 datë 08/06/2011 “Për përcaktimin e kritereve të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, emfiteoz apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, pasi në dokumentacionin e përpiluar përpara lidhjes së kontratës ka mungesa e pasaktësi që duheshin plotësuar që më parë në respektim të kërkesave të VKM. Kështu, me urdhër të kryeministrit Berisha nr.2108 dt 02/07/2012 u urdhërua Departamenti i Brendshëm Administrativ antikorrupsion pranë qeverisë të ushtrojë kontroll pra METE për zbatimin e procedurave ligjore dhe administrative për procedurën e dhënies me qira të konviktit të gjuhëve të Huaja në Tiranë e mbi këtë bazë është vendosur pezullimi i procedurave.

Me shkresë nr 2334 datë 30/07/2013 me firmën e ish-sekretarit të Përgjithshëm të Klëshillit të Ministrave, ish ministri i METE, Mima, njoftohet se ai mund ta hiqte pezullimin e vendosur një vit më parë për këtë procedurë qiradhënie. Rifillimi i procedurave më 2013 duhet të rimerreshin në zbatim të akteve përfundimtare në formë vendimi të ardhura nga Departamenti i Kontrollit, të miratuara nga kreu i qeverisë gjë që në praktikë s’është vepruar. Shkresa e dërgua me firmë të ish-sekretarit të Përgjithshëm të KM është në kapërcim të kompetencave të tij. Por, megjithëse METE kishte shkresë për heqjen e pezullimit, në zbatimim të VKM nr.529, dt.08/06/2011, duhej bërë dhe njëherë procedura e marrjes së mendimit nga Bashkia e Tiranë, Drejtoria e Konvikteve të Shkollave të Mesme, në lidhje me gjendjen aktuale të objekteve që do jepeshin me qira, vlerën e amortizimit të tyre pas një viti e saktësime të tjera, ashtu siç është vepruar në vitin 2012 përpara pezullimit.

Ndërkohë, në kontratën e qirasë, sipërfaqja totale e truallit të dhënë me qira është 3797 m2, nga të cilat sipërfaqja funksionale 2822 metra katrorë. Konfirmimi nga Hipoteka nr 3005/1 datë 26/03/2012, thotë se ky objekt ka sipërfaqe trualli 3002 m2 me pronar Shtetin. Para vazhdimit të procedurave pas pezullimit të rimarrjes të drejtës për të vazhduar në bazë të shkresë së ish-Sekretarit të Përgjithshëm të KM, METE duhej të saktësonte statusin e pjesës shtesë të sipërfaqes së truallit të vendosur në kontratën e qirasë për rreth 800 m2 duke saktësuar pronarin dhe administratorin dhe asyet përse ishte bërë kjo shtesë.

Nga data 29/08/2013 që është lidhur konrata, Drejtoria e Konvikteve të Shkollave të Mesme ka dorëzuar objektin qiramarrës më 04/10/2013. Në bazë të kontratës së qirasë, pagesat e fillojnë me dorëzimin e objektit. Më datë 04/10/2013 METE nuk ekziston më si insitucion pasi me vendimin nr 45, dt. 16/09/2013 Kuvendi miratoi Qeverinë e re duke bërë të domosdoshme saktësimin e kompetencës lëndore se kush do të ishte institucioni që duhet të dorëzonte këtë objekt të dhënë me qira përpara 2 muajve nga ish METE. Ministria thotë se këto arsye bëjnë të pavlefshme gjithë veprimet proceduriale të kryera nga ish METE për kontratën e lidhur midis saj e Konviktit të Shkollës së Gjuhëve të Huaja” Tiranë.

Ndërkohë ajo njoftin se zgjidh në mënyrë të njëanëshme kontratën e qirasë të lidhur midis ish METE e Shkollës së Lartë Universitare Jopublike “Universiteti Luarasi” sh.p.k, Tiranë, me nr.11436 rep. Nr 1838 kol, si të pavlefshme. Drejtoria e Konvikteve të Shkollave të Mesme, Tiranë, të marrë në dorëzim objektin brenda 10 ditëve nga marrja në dijeni i këtij njoftimi.
 
Afera e Berishës u denoncua që më 2012 nga Shqiptarja.com
Në fund të mandatit, pasi humbi zgjedhjet parlamentare, qeveria Berisha privatizoi me shpejtësi prona të shtetit. Një nga këto prona ishte edhe konvikti i Gjuhëve të Huaja, në rrugën e Elbasanit, që i kalonte universitetit privat “Luarasi”. Para më shumë se një viti e gjysmë, kur Bashkisë së Tiranës iu kërkua po nga ky subjekt Konvikti, qeveria Berisha e miratoi kërkesën dhe nisi procedurat që t’i jepej me qira universitetit jopublik. Duke qenë se objekti në administrimin e Bashkisë dhe Drejtorisë së Konvikteve e kalon sipërfaqen e 200 m2, vendimin për dhënien me qira të tij duhet ta bënte ministria e Ekonomisë, çka u krye në gusht me nënshkrimin nga ana e ish-kreut të METE-s Mima. Procesi u pezullua më 2012 për shkak të presioneve të opozitës e medias.

Ndër të tjera, tjetërsimi i pronësisë së konviktit të Gjuhëve të Huaja u denoncua nga Shqiptarja.com dhe TV A1 Report, që në qershor të 2012. Vendimi u mor po ato dite, kur, me urgjencë të dukshme, merrej edhe vendimi i qeverisë për kalimin e ish-selisë së PD te Bashkia e Tiranës, duke i dhënë kështu edhe hapin përfundimtar kalimit të pronësisë, çka u pasua me “zaptimin” e selisë së qendrës kulturore të ushtrisë për ta përdorur PD-ja.

faksimile, ahmetaj
 
 Shkrimi u publikua sot (06.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë