Ahmetaj: Marrëveshja për lehtësimin dhe nxitjen e tregtisë synon heqjen e të gjitha barrierave jo-tarifore

Shqipëria dhe Kosova nënshkruan të hënën marëveshjen "Për lehtësimin dhe nxitjen e tregtisë", që synon heqjen e të gjitha barrierave jo-tarifore mes të dy vendeve, me qëllim rritjen e shkëmbimeve tregtare. Marrëveshja u firmos nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes së Shqipërisë Arben Ahmetaj dhe ministres së Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës, Hykmete Bajrami.
Në përfundim të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Tiranë me logon "Një tokë, një popull, një ëndërr", ministri i Ekonomisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj, bëri të ditur se janë hedhur hapa domethënës përpara që nga mbledhja e përbashkët e qeverive tona në Prizren. Marrëveshja e sotme, sipas tij, erdhi pas takimeve në nivel ekspertësh dhe një numri të madh konsultimesh mes palëve tona, për të zgjidhur në kohë reale të gjithë problematikat e tregtisë mes dy vendeve dhe për të vendosur shkëmbimet ekonomike mbi themele të reja bashkëpunimi dhe mirëbesimi.
Në vitin 2014 volumi tregtar me Kosovën ishte 176.78 milionë euro ose 17.8 milionë më shumë se një vit më parë, pra kemi një rritje mbi 11% vit me vit. Eksportet shqiptare drejt Kosovës shënuan një rritje me 15%, duke kapur vlerën e 134.1 milionë euro nga 116.1 milionë në 2013. Në raport me totalin ato përbëjnë 7.3% të eksporteve shqiptare, theksoi ai.
Sot në Shqipëri numërohen 649 biznese nga Kosova, megjithatë, vlera e investimit është e ulët, 13.2 milionë euro ose 0.46% e totalit të IHD. Në këtë drejtim, ministri Ahmetaj theksoi se ka akoma shumë për të bërë.
Protokolli i firmosur sot është një instrument ligjor, i cili lejon ndërmarrjen e aktiviteteve specifike në drejtim të lehtësimit të tregtisë. Ai është një zgjerim i mëtejshëm i marrëveshjes kuadër midis dy vendeve në nxitjen e lehtësimit të tregtisë dhe synon eliminimin e vazhdueshëm të barrierave jo-tarifore.
Protokolli, vijoi Ahmetaj, do të sjellë, në fushën e rregullave teknike harmonizimin e rregullave teknike për produktet me interes reciprok. "Për këtë brenda 4 muajve do të identifikohen të gjitha produktet me interes reciprok në fushën industriale dhe brenda datës 30 korrik 2015 do të hartohet plani i përbashkët i ndryshimeve ligjore", tha ai.
Në fushën e standardizimeve, sipas ministrit Ahmetaj, do të punohet për përshtatjen e standardeve me objektiv harmonizimin, njohjen reciproke, ose referimin në standardet ndërkombëtare sipas rastit. Gjithashtu, Shqipëria do të rishikojë çmimin e shitjes së standardeve deri në 50% të çmimit të deklaruar të Drejtorisë së Përgjithshme të Standardizimeve të Shqipërisë. "Brenda datës 30 korrik 2015 do të ndryshohet marrëveshja e bashkëpunimit midis drejtorisë së përgjithshme të Standardizimit të Shqipërisë dhe agjencisë për Standardizim të Kosovës", u shpreh kreu i MZHETTS-s.
Në fushën e akreditimeve, protokolli përcakton ndërmarrjen e aktiviteteve dhe masave konkrete për përshtatjen e skemave të akreditimit, harmonizimit të legjislacionit për akreditimin dhe njohjen e kompetencës teknike të vlerësuesve/ekspertëve teknikë të miratuar nga të dy palët. Gjithashtu, të dy palët do të punojnë bashkërisht me objektiv përputhjen e aktiviteteve dhe kërkesave të Agjencisë Evropiane të Akreditimit dhe avancimin e njëkohshëm të të dy vendeve në këtë drejtim. Në fushën e sigurisë ushqimore dhe veterinare parashikohet njohja e rezultateve të testeve dhe analizave të kryera nga laboratorët e akredituar në të dyja vendet tona mbetet një sfidë dhe e pamundur në periudhë afatshkurtër. Për këtë, Ahemtaj tha se protokolli kërkon njohjen reciproke të rezultateve të testeve laboratorike kryer në të dyja vendet në laboratorët e referencës. Gjithashtu, brenda 15 dhjetorit 2015 do të hartohet plani i ndryshimeve legjislative për harmonizimin e legjislacionit të sigurisë ushqimore dhe veterinare.
Për të lejuar zbatimin e aktiviteteve në fushën e standardizimit, akreditimit dhe rregullave teknike dhe atë të sigurisë ushqimore dhe veterinare, ky protokoll miraton funksionet e tri grupeve të përbashkëta të punës të krijuara tashmë. Këto grupe janë mbledhur gjatë 2014 dhe diskutimet dhe analizat e kryera mundësuan përcaktimin e aktiviteteve dhe masave të propozuara në këtë protokoll.
Funksionet dhe rregullat e funksionimit të këtyre grupeve miratohen nëpërmjet këtij protokolli duke krijuar kështu mekanizimin zbatues dhe monitorues të marrëveshjes kuadër si dhe të protokollit zbatues.
"Ne mendojmë se mënyra më e mirë për të rritur konkurrueshmërinë e produkteve vendase qoftë për Shqipërinë, qoftë për Kosovën, është hapja e tregjeve tona ndaj mallrave të njëri tjetrit dhe lehtësimi i shkëmbimeve mes njerëzve dhe sipërmarrjes", deklaroi ministri Ahmetaj.
Ai informoi se në datën 25 mars, në Prishtinë do të zhvillohet një konferencë tejet e rëndësishme për zhvillimin infrastrukturor rajonal. "Në përgatitje për konferencën e gushtit në Vjenë, Shqipëria po merr një rol proaktiv, për të propozuar projekte rajonale që do të lidhin të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, në një rrjet komunikimi dhe shkëmbimesh që do t'i hapë horizonte të reja zhvillimit ekonomik për vendet tona. Kosova është një pjesë tepër e rëndësishme e këtij procesi, një urë lidhëse për Shqipërinë dhe rajonin me Europën. Si e tillë, doja të theksoja edhe njëherë rëndësinë e përfshirjes sonë bashkërisht në këtë proces, për ta çuar zhvillimin ekonomik të vendeve tona në një nivel tjetër dhe për të sjellë projekte të cilat me burimet tona do të ishin të pamundura të paktën edhe për disa dekada', tha ministri Ahmetaj./atsh/
 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Makina plagos të miturin në Lungomare