Ahmetaj: Nuk janë armë kimike
bëhet fjalë për lëndë kimike

Ahmetaj: Nuk janë armë kimike<br />bëhet fjalë për lëndë kimike
TIRANE- Nëse qeveria shqiptare merr një vendim lidhur me çështjen më të diskutuar gjatë ditëve të fundit, në vendin tonë nuk do të vijnë armë kimike, por bëhet fjalë për lëndë kimike. Këtë fakt e ka sqaruar në studion e “A1 Report” Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj. Ministri është ndalur tek përgjegjësitë e vendit tonë për të dialoguar me partnerët ndërkombëtarë. Ahmetaj e quan legjitime protestën e qytetarëve për shqetësimin e tyre, ndërsa theksoi se qeveria shqiptare nuk ka marrë një vendim.

“Është përgjegjësi që të dialogosh me partnerët ndërkombëtarë, dhe me partnerin tonë strategjik, që janë SHBA. Jo vetëm që qeveria nuk ka marrë asnjë vendim, por as nuk do të marrë në kundërshtim me interesat e shqiptarëve, dhe për çdo vendim që do merret, do të merret mendimi qytetar. Ne e respektojmë protestën e qytetarëve të thjeshtë, e konsiderojmë legjitim shqetësimin e tyre.

Në emër të qeverisë them se nuk ka vendimmarrje. Nuk bëhet fjalë për armë kimike, por janë lëndë kimike. Pavarësisht frikës legjitime që mund të ketë çdokush, duhet të themi se nuk janë armë kimike. Qeveria nuk do marrë vendim kundër interesave të shqiparëve. Do e dëgjojë popullin me shumë vëmendje”, tha Ahmetaj.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka ritheksuar se qeveria shqiptare është ende në një kuadër bisedimesh, ndërsa ka shpjeguar se, në rast do të merrej një vendim i tillë, procesi do të realizohej nga specialistët e huaj, dhe mbetjet do të çoheshin diku tjetër.

“Ne jemi në një kuadër bisedimesh në përgjegjësinë që ka Shqipëria si pjesë e NATO-s dhe partner strategjik me SHBA. Ne jemi pjesë e një procesi, dhe nëse do të merrej një vendim i pjekur i maturuar, do të vinte një specialist nga SHBA, NATO, është edhe një kompani që ka fituar çmimin Nobel për deaktivizimin.

Por edhe në këtë rast mbetjet do të çoheshin diku tjetër. Por e theksoj se ende nuk ka një vendim. Kryeministri është duke u konsultuar me partnerët me shumë kujdes duke marrë parasysh të gjithë elementët, dhe sensibilitetin qytetar. Strukturat shqiptare nuk do jenë pjesëmarrëse. Nëse do bëhej, do të realizohej nga struktura të huaja, të specializuara.

Sali Berisha tenton të keqpërdorë emocionet e qytetarëve. Ne frenuam importin e mbetjeve dhe nuk e bëmë për politikë. Çdo gjë që ne bëjmë nuk mund të jetë në kundërshtim me interesat e qytetarëve shqiptarëve, dhe do të jetë një vendim për një Shqipëri të pastër. Kur ka struktura të specializuara, rreziku është nonekzistent”, vijoi Ahmetaj.

Duke u ndalur tek reagimet e opozitës për këtë çështje, Ahmetaj tha se ish-kryeministri Berisha, po këqpërdor emocionet e emocionet e qytetarëve.
 
“Ajo që po tenton të bëjë Berisha është anti amerikane dhe antiqeveritare. Unë i respektoj protestuesit. Ishin njerëz që tregonin sensibilitet qytetar. Nëse ka njeri që s’duhet të flasë është Sali bërisha që në 97 ka kërkuar përdorimin e armëve kimike kundër popullit të vet, është përgjegjësi për Gërdecin, për “21 Janarin”. Ndërsa sot qytetarët protestojnë në legjitimitet të plotë, për shqëtësimin e tyre. Ne kemi detyrim të dialogojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë”, theksoi ministri.

Sipas ministrit Ahmetaj, qytetarët do të informohen me të gjithë zhvillimet e mundshme, në mënyrë graduale. Ndërsa tha se “nuk mund të thuhet një datë për vendimin, pasi nuk ka një proces në përfundim”.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë