Ahmeti: Imazhe të ëndërrta
të madhërishme, etnologjike

Ahmeti: Imazhe të ëndërrta<br />të madhërishme, etnologjike
Ndonëse s’i takon natyrës së këtij shkrimi, por nuk i shpëtoj dot tundimit të them se me Bashkim Ahmetin kam një njohje të hershme, qysh në vitin 1968, të dy studentë në Institutin e lartë të Arteve, unë për aktrim-dramë e ai për pikturë; na bashkoi për pak kohë edhe një dhomë konvikti me 8 shtretër, tip “marinari”, lart-poshtë: ai nga Gjirokastra e unë nga Saranda, njëri i malit e tjetri i detit, dhe sërish në vitin e fundit të studimeve, në vitin akademik 1971-1972, qemë zgjedhur habitshëm të dy në “Senatin” e atëhershëm si përfaqësues të studentëve të fakulteteve gjegjëse.

Fraza e mësipërme nuk ka efektin e “vetëlëvdimit”, sepse udhët tona u ndanë, sikundër ngjet me njerëzit, por simpatia ime për artin e Bashkimit ka qenë e gjithhershme, ndërsa sot, tek po shkruaj këtë qasje vetjake për pikturën e tij, ndjehem sa krenar të them dy fjalë miradije për të, aq dhe përdëllimtar, në një farë kuptimi, sepse në kryeherë po e nënvizoj se piktura e tij dhe ai vetë si artist janë sot atje ku shumë rrallë mbërrihet. Kjo është mbërritur, sipas mendjes sime, jo vetëm nga talenti i tij, por dhe nga vullneti, nga ajo nebulozë e përhershme ankthi dhe energjie psikike të transcedentuar që e ndjek artistin, bashkë me të bukurën dhe të ëmblën, për ta derdhur gjallë-vdekur atë në ngjyrë e kanavacë.

Qysh në fillimet e tij ai të tërhiqte me penelin e veçantë, disi “ndryshe”, të një imazhi të ngrohtë sa dhe vetanak, kryesisht e një Gjirokastre si qytet tejet i veçantë, ku ndonëse e hapur, brenda pjerrësisë së çative, mureve të lashtë, kalldrëmeve, rrokapjekthit të udhëve dhe relievit shkëmbor, e tëra e përfshirë në një dritë e argjendim ngjyror mes të hirtës dhe të zbërdhultës, sillte në pikturën shqiptare një tipologji peizazhi të një arome tjetër, i konkurueshëm, ndoshta, nga Skënder Kamberi.

Gjirokastra u fut brenda tij, u shpirtëzua, e kthye në frymë, në kod, në megashenjë piktorike, e lëvizshme brenda vetes si magmë vullkanike, e ndryshueshme, e prapë se prapë po e njëjta, me balada veshur, me mister, me madhështi e vetjakësi, disi çudane, disi edhe groteske, mes qiellit dhe tokës, e frikshme në golle, humnera e hone poshtë këmbëve të saj,  sa dhe kozmike, e pakapshme, e gjithëpushtetshme si një Zot (Pandokrato) në lartësi, më në fund e papërsëritshme në llojin e vet. Gjirokastra i dha Bashkimit, sikundër Bashkimi, ndër emrat meritorë të atij qyteti, i dha Gjirokastrës diç të papërsëritshme, një kujtesë vizive që, mesa duket, do të sfidojë kohën.

Në pikturat e bashkimit ka shumë madhështi, jo thjesht te përmasat e mëdha të disa prej tyre, por në atë ç’ka bartet e shprehet. Ka ngjyra të bukura, të forta, imponuese, që të ngopin. Ka mit, përrallë, legjendë, rrëfim, histori, jetë, gjer dhe përditësi. Ka dramacitet. Por dhe shumë poezi. Shumë dritë. Si një shpirt i përtëritur.

Gjer dhe grotesk ka. Sendërgjime objektesh, fantazmagori, bashkëjetesa mes reales dhe sureales, diçka edhe apokaliptike, edhe vdekje, tragjizëm, imazhe të kurbuara, trupa, këmbë, sy e duar të kurbuara, që të gjitha lëvizin si nëpër shtjella kozmike. Dhe kudo është e gjithpranishme ajo: Kombëtarja. Shqiptarja.

bashkim ahmeti

Përfytyrimi mitologjik
Që të rrokësh krejt spektrin e asaj çka bën Bashkim Ahmeti në pikurën e tij, në rastin konkret në ekspozitën vetjake të nëntorit 2016 çelur në Galerinë e Arteve, mbase është e mbara ta ndash atë në disa nyje a sythe, që kanë në vetvete një farë integriteti e lidhje. Sepse, kur e sheh në të tërën e saj, ajo është unike, me rrafshe e elementë ndërveprues, diku i sheh më shumë në një tablo e diku në një tjetër, por së toku ato bashkëjetojnë në një stil të mirëpërcaktuar.

Unë s’marr përsipër rolin e një kritiku të pikturës, aq më shumë të një pedanti teorik dhe estetik, duke e ndarë në “parcela” imazhin piktorik që kjo ekspozitë ofron, por, nga ana tjetër, nuk ka pse ngatërrohemi nëpër teori apo identitete rrymash vizuale këtu apo atje, pasi çdo kush ka të drejtën e Zotit të jetë vetvetja, sikundër Ahmeti është. Pikërisht në këtë të “tërë” unë ngazëllehem nga prania e mitit në përfytyrimin e piktorit, jo vetëm i atij konkret me baladat, legjendat e njohura shqiptare etj, që gjejnë qasje në disa tablo, por te mënyra e përthyerjes së elementit artistik në vetëdijen mitike, pra në mënyrën e të krijuarit dhe sendërgjimit të imazhit piktorik. Kahu i parë është më i rrokshëm.

Kujtoj p.sh. “Tre kunatat”, ku subjekti të çon fill te legjenda e murimit, e kalasë së Rozafës e simotra kësisoj nëpër arealin mitologjik të Ballkanit e më tutje, kur në mure lipset vënë një flijë e pastër, e pa ndotur, që ato t’i shpëtojnë shajnimit, magjisë së zezë, Fatamorganës, hijeve, Ibliz Keqës e të tjera përcaktime të fuqive të së ligës dhe të errëtës, sikundër ngjet me nusen e tretë, e cila u muros dhe muret, më në fund, qëndruan, e shpëtuan fisin, rrjedha e gjenit nuk u zhduk, sepse Zoti e pranoi sakrificën. Tri nuse, tri foshnja të pafajshme, tri rrjedha ujërash nga pas dhe një intrigë, a kurth, a pabesi: Kush do të shkojë te kështjella matanë ku punojnë tre burrat e tyre? Dy të parat bëjnë pësh-pëshe me njëra-tjetrën, teksa fytyrat e tyre e bëjnë të shfaqshëm “intrigën”, ndërsa sytë e fëmijëve janë të hapur, detaj kuptimplotë se ata janë zgjuar nga zërat e shqetësuar të nënave të tyre.

Nusja e tretë, disi mënjanë, kureshtare të dijë se ç’thonë dy kunatat e saj, e ka pranuar sakrificën përbrenda, fëmija i saj i ka sytë të mbyllur, sepse ajo nuk e ka shqetësuar: është më i shtrenjtë fëmija se sa vetja, çka dhe në legjendë do të thuhej se ajo kërkoi që t’ia linin gjirin jashtë murimit, për t’i dhënë qumësht. Legjenda tjetër e njohur e Kostandinit dhe Doruntinës ka dhe një ndërmjetësim, që i bishtnon lëndës së mirëfilltë të mitit. Është artisti si rikrijues i mitit tashmë në dimensionin estetik të tij, piktori B. Ahmeti, që po e hedh ashtën e legjendës në një pikturë, në të cilën spikat portreti i nuses dhe koka e kalit: pra Doruntina dhe Kostandini.

Ndërsa në rrafshin e madh janë shtatë penelata ngjyrash të ndryshme, të konotuara si shtatë “malet kaptuar”, një rrugë e hollë dhe e gjatë që i lidh dy skajet, bijën e martuar larg dhe nënën në pritje. Kjo lëndë mitologjike është përzier me të fundmen, pra me të sotmen, sepse pranë piktorit është një grua me fëmijë; fëmija i prek gjirin mu në thimthë, ku është burimi i jetës, qumështi; ka një sy kureshtar, si për të kuptuar misterin mëmësor, pasi vetë ajo nesër do të bart jetën e do të bëhet nënë.

Në skaj nëna plakë s’është ajo e legjendës, e shushatura nga pritja, por një tjetër nënë, mbi ballkonin e një shtëpie shumëkatshe, madje me syze, që pret ndoshta vajzën e djalin e saj emigrant. Kësisoj piktori e ka kthyer legjendën e vjetër në “legjendën e re” të realitetit të sotëm. Thelbi është po ai, forma ndryshon; nënat që presin fëmijët e larguar dherave të largëta, me syrin e shuar tej në horizont. Dhe poshtë piktori sjell, si gjithnjë, Gjirokastrën e tij ku lëviz materia mitologjike, por e konvertuar, që çuditërisht përtërihet në aradhet njerëzore.

bashkim ahmeti

Imazhe të ëndërrta
Sikurse dihet, ëndrra është nga “shkrepjet” më të mëdha të artit, posaçërisht në poezi, por ca më shumë në pikturë. Lënda “onirike” apo ëndërrore, e ngjashme me strukturën mitike, mbase-mbase ka qenë dhe mbetet thelbi i artit, atje ku fuqia hipnotike është e pamatshme me mimesisin, i përshtatshëm për teatrin, letërsinë, filmin dhe arkitekturën më së shumti. Rëndom imazhi onirik është mirëfilli një imazh piktorik sugjestiv. Te tabloja “Dasma e mbretit” piktori shfrytëzon disa shenja a kode, që lidhen me domethënien, por ca më shumë me formën dhe ngjyrën.

Poshtë është një vajzë nudo që lexon rrëfime nga historia jonë, ku spikat përkrenarja e Skënderbeut me kokën e dhisë, simbolikë e hershme bizantine e parabizantine, por e rëndësishme për ne është përkatësia e saj si shenjë kombëtare. Një mori dhish qëndrojnë krenare, hipur mbi tri male, ndoshta dy, ato me të kuqe (po i quaj Gegëri e Toskëri, sepse edhe Skënderbeu u shpall mbreti i Arbërisë dhe Epirit). Mali i tretë, ai i mesit është blu, që të kujton ujërat, detin, lumenjtë.

Një tufë kalorësish dalin prej një shtëpie bujari, që të kujton edhe një kishë, dhe shkojnë për te mali tjetër të marrin nusen, siç Donika, nusja e Skënderbeut, ishte vajza e toskut Gjergj Aranitit. E gjitha është në simbol, e sakaq diç e ëndërrt, sepse vajza poshtë, ndoshta, kështu e përfytyron dasmën e mbretit, Skënderbeut, siç e shohim në tablo, ani pse shtysa është në fakt e ardhur nga historia. Imazh i ëndërrt është dhe ajo çka vjen nga tabloja “Rënia”. Është një triptik, një farë slajderi i vdekjes, që me imazhin fillestar të bekimit të nënës ndaj djalit për të gjetur nusen e jetës, krijon “kuartetin” e subjektit.

Dashuria është e parealizueshme, tragjike; djali është vrarë, s’dihet se nga (hakmarrje apo luftë) dhe toka e ka marrë në gjirin e vet. Mënyra e të pikturuarit është, sipas meje, e tipologjisë onirike, me plane të prera, futur nëpër nebuloza, pamje të turbullta, elemente fantazmagorike dhe njolla të mëdha ngjyrash kontrastuese. Simotër tjetër, por e një kompozimi ndryshe, ku imazhet rrinë të veçuara e të gjitha së toku krijojnë një përfytyrim onirik është edhe tabloja “Muzg”, 2013.

Në qendër të kompozimit është vendosur një nënë me fëmijën e vet, ka mbaruar së luajturi një motiv në violinë dhe mendja e saj ka mërguar diku, ndoshta në një rrëfenjë a baladë dashurie e hakmarrje, te dy trima që vriten për një vajzë me veshje blu (vallë një nuse?!), e dekoduar më poshtë me fustan të kuq (gjaku, vrasja, hakmarrja), në një peizazh të përthyer e një qytet malor, tradicional, disi mesjetar (Gjirokastra) dhe një ure të vjetër (vallë domethënia e komunikimit të munguar mes shqiptarësh të sertë e hakmarrës?!).

Bashkim Ahmeti
Bashkim Ahmeti

Surealizmi
     Surealizmi në pikturën e Ahmetit, sipas meje, nuk është vetëm refuzimi i shëmbëllimit natyral të objekteve, njerëzve, gjesteve, as vetëm krijimi i realiteteve të sendërgjuara, të paqena, pjesë e ndërdijes së traumatizuar, e anktheve dhe fanitjeve ëndërrore, por që kanë një trajtë të përafërt me paradigmën mimeitike. Përveç imazheve të nxitura nga mitet, piktori krijon “histori’, shpesh të njohura, që vijnë në formë amalgimesh, me pjesë e elementë që përfshihen në tërësi, sipas parimit të mozaikut dhe bashkëjetesave a pranëvënieve herë alegorike e herë si plotësuese të subjektit të trajtuar.

Bie fjala te tabloja “Tradhtia”, ka jo pak shenja piktorike që të çojnë, së paku, në dy tradhtitë e njohura ndaj Skënderbeut si figura qendrore e tablosë: ajo e Moisi Golemit dhe ajo e Hamza Kastriotit. Mbi supin e djathtë të Skënderbeut janë pikërisht këto dy koka tradhtarësh, të cilat, nga ana tjetër, krijojnë një figurë të dytë ngjitur pas tij, siç është nusja e sjellë mbi kalë prej një farë Kostandini të ri.

Majtas është një burrë me shpatë zhveshur, ndoshta Moisiu, dhe kokën e mbështetur në pëqirin e një gruaje, ndoshta Zanfinës xheloze pse i shoqi s’u bë mbret. Në të djathtë disa koka grash që servirin në pjatancë. Po çfarë pikërisht? Mos ndoshta kokën e Gjon Pagëzorit si në bibël? Humbjen e kurorës së Hamzait si trashëgimtar pas martesës së Skënderbeut? Apo?...
     Tabloja “Sabina”, 2013, ka brenda mit, ëndërr, hiper-realitet.

Mes një mase shkëmbore mbushur me rrënoja të hershme, gurë, bimësi, gardhe, rrugë, humnera, re, lëndina, pra një reliev i ashpër dhe madhështor, në qendër të saj gati sikur mbin nga e gjithë kjo masë e gurtë na shfaqet një vajzë, Sabina, në çast soditje, e më shumë, meditimi me duart e mbledhura në mjekër. Ajo është figura qendrore e gjithë peizazhit dhe surealiteti shënjohet pikërisht tek përmasa e saj në raport me elementet e tjerë, p.sh. ajo është më e madhe se një qytet.

Parimi i kolazhit të një morie figurash dhe hapësirash ngjyore, të cilat shpesh qëndrojnë më vete, si subjekte me integritetin e tyre, me figura që fitojnë ngarkesë simbolike (diku një libër me kokën e Naim Frashërit, poetit të “Bagëti e Bujqësi”, disa portrete të tjerë si maska, imazhe të turbullta bifunksionale, maja malesh si kapuça, figura ekstremisht të zvogëluara që orientojnë drejt një subjekti) duket se zotëron konceptin piktorik të tablosë “Perëndimi”, sikurse te “Spiritus”, një mori krahësh (prej engjëlli a shqiponje), shtjellë e frullim, e rrethojnë trupin dhe fytyrën njerëzore.

Realizmi i ri
Mrekullohesh teksa sheh tablonë “Prilli i thyer”, frymëzuar nga romani homonim i Kadaresë. Më shumë mua më ka lënë mbresë versioni B, me të kuqen e përflakur, ku është duke u rrëzuar nga gjakmarrja Gjorgu mbi masën shkëmbore në një të kuqe të fortë, bri tij është lulnaja e kuqe dhe e bardhë e një molle, sipër në rrugën e gurtë vrapon karroca me çiftin e porsamartuar, që u bënë dëshmitarë të asaj antropologjie barbare, ushqyer me kurme e gjak të rinjsh të pafajshëm.

Piktori sjell portretin e Kadaresë në vend të personazhit të romanit, Besianit. Dhe kjo është diçka e gjetur. Krejt tabloja, jo vetëm si imazh është tragjike, por dhe domethënia: vrasja e djaloshit të bardhë e të bukur si thyerje e një ëndrre, trualli i gjaktë, arratia e karrocës me dy dëshmitarë që i tuten tragjikes dhe ku ndihet ironia.

Një nga më të realizuarat punë të Bashkim Ahmetit është tabloja plot ngjyra, fantazi dhe kompozim të zhdërvjelltë “Eduard Lir në Gjirokastër”. Gjithçka duket e përkryer, me një ekspresivitet të rrallë.

Syrin ta tërheq Eduard Liri në vrap e sipër mes kalldrëmeve të Gjirokastrës, gati një theqafje, i ndjekur nga një tufë qensh, ndërsa sipër një trumbë pëllumbash. Qen dhe pëllumba. Shënjimet që këta dy elementë kompozicionalë përfaqësojnë janë të shumëfarta. Një Gjirokastër sa madhështore, epike, e paqme, aq dhe çudane, paradoksale, groteske, me shtëpitë, lagjet, muret, malet si të hedhura lart në qiell. Kërkon të largohesh prej kësaj tabloje e sërish ajo ta mban syrin ngulur po atje.

Magjikja përzihet me të njëmendtën, fantastikja me të vërtetën dhe të prekshmen. Peizazhet e B. Ahmetit kanë dimension, madhështi. Peizazhi “Dimri”, 2015, e sjell Gjirokastrën kacavjerrë malit si me thonj, shtëpi njëra përmbi tjetrën, gati një theqafje, ku buis megjithatë jeta dhe qyteti frymon përmes përditësisë.

“Lofata, 2012” është një tjetër peizazh i mrekullueshëm, por tanimë me një fill subjekti, që diku në histori, rrëfenjë të hershme, largësi a përrallë ai të çon. Dhe nën një pemë në lulnajë krejt të kuqe, dominuese, syrrëmbyese, janë vendosur skaj më skaj një nënë me të zeza dhe një vashë në kapërcyell të fëmijërisë, e mes tyre, përtej, një fshatar me një kalë që udhëton monopatit mes për mes malit, si përplotës i metaforës së një rruge historie a rrëfimi që humbet diku në fund.

Një histori dashurie, gjaku a vdekje (nëna është me të zeza, pema e kuqe, por dhe fundi i vajzës i kuq). Gjithsesi mendja ime e deshifron si diçka që tashmë ka ikur, është kthyer në nostalgji të “kuqe”, e dhimbshme, e bukur dhe çliruese njëherit. Sa e bukur dhe imponuese është “Pritja”, 2016, lartësia dominuese e një mali dhe aty sipër një çift, ndoshta nënë e nuse, burrë e grua a dy fëmijë. Presin. Vallë dikë të ikur në kurbet? Në luftë? Birin, burrin, vëllain, të dashurin? Tendosja e tyre ndjehet, ankthi i tyre thuajse e mund përmasën e malit. E madhërishmja zhvendoset nga lënda tek shpirti...

Ajo që të befason te tabloja “Nusja dhe vjehrra” janë tri malet si tri piramida përballë tyre, një imazh imponues, madhështor, ku fryma thuajse mbetet nga mahnitja. Te “Gjumi i ushtarëve” piktori sjell diçka thellësisht humane, madje të dhimbshme, me një pikëllim të fshehur. Një grup ushtarësh, nën një tokë të gurtë e të kuqe (ndoshta gjaku i luftës), mes gjembaçësh e lulesh, flenë të kapitur.

Diku shkon mendja e tyre nëpër ëndërr (një tufë resh që i rrethon mjafton si indeks simbolik), e nesërmja s’i dihet: do jetojnë apo do të priten nga plumbat e luftës. Diçka e pafajshme, thellësisht humane. E pafajshme, sepse janë njerëz, bijë nënash; humane, sepse syri i piktorit shkon përtej luftës dhe funksionit të tyre vrastar, duke i këqyur pikërisht si njerëz. Atij çasti ata janë me jetën dhe ëndrrën, nesër s’i dihet, rrugëtojnë mes plumbave, urrejtjes dhe vdekjes...

Në këtë stil a tipologji vizuale B. Ahmeti nuk shëmbëllen aq, se sa transfiguron, mbivendos dhe shkrin imazhe të kombinuara si te pejzazhi “Hëna”, ku shkrepa malesh të ngjajnë si njerëz. Për më tepër në majë të tyre vendosen qeleshe: njerëz-shkëmbinj apo shkëmbinj si njerëz, e ç’rëndësi ka kjo! Kur hëna ndrit lart në natën e argjendtë gjithçka duket “ndryshe”, fantazmagoria është atje. Te “Kusarët” s’ka më fantazmagori, pamja dhe veprimi janë të qarta: tre lebër që vjedhin tre dhi. Ka një grotesk të bukur ky hajdutllëk, por nuk është i ndotur, s’ka përçudnim, ca më pak një qasje estetike të së shëmtuarës (të paktën si imazh).

Afërmendsh se është një ironi ndaj zakonit të njohur të hajdutërisë, i ligjëruar madje gjer te dasma, kur dhëndrit i kërkohet të vjedhë bagëti te fqinjët, si për të treguar sa i zoti është. Te “Një re e zezë” syri të mbetet ngulur pas vrapit të një burri me fustanellë dhe mëngoret e jelekut si krahë shpendi, ku hapësira e paanë bëhet pjesë e tij, ndërsa reja e zezë sipër kërcënon si ogur i keq dhe krijon konflikt.

Antropologji
Nuk e gjen veçmas shfaqjen etnologjike e antropologjike të piktorit, por ajo është e shkrirë në pikturën e tij, është gjak e limfë. Janë baladat dhe mitet të shndërruara në pikturë, janë kostumet, sidomos fustanella dhe mëngoret e jelekut që kthehen zakonisht në krahë shpendi (shqiponje, por dhe engjëlli). Piktori ka përdorur gjerazi qeleshen. Kam cituar diku më sipër, por në tablonë “Baladë për njëzetetre” janë një mori qeleshesh mbetur një relievi të pjerrët, pra shqiptarë të vrarë në luftë.

Ose te tabloja “Lufta”, jo thjesht kostumet, por edhe lufta për mbijetesë me të huajt, sikurse edhe me njëri-tjetrin, dhe një tufë të vdekurish që krijojnë sfondin e tragjedisë së përhershme. Subjektet janë kujtesa të dridhshme shqiptare, të ardhura nga librat, rrëfimet, historia, poezia. Edhe madhështia e relievit, peizazhet e detit dhe malit, konceptuar në një dimension thuajse kozmik, janë pjesë e kësaj qasjeje, sikurse është edhe ajo preferencë e portretimit por dhe detajeve të tjera, që vijnë nga ikonografia.

Kadare
Bashkim Ahmeti e ka Gjirokastrën, qytetin e tij të lindjes, tretur në mendje e trup, e ka bartur mbi vete. Në një farë sensi, ai është Gjirokastra (si imazh, si pikturë). E ka pasur përherë mbi shpinë. Por një Gjirokastër kryesisht madhështore, thuajse mitike e fantazmagorike. Ajo grija në të argjendtë e çative prej guri, por edhe vetë guri i shtëpive-kështjella, rrugët e kalldrëmta, krejt relievi alpin i qytetit, penelata e trashë dhe e lakuar, vendosur njëra mbi tjetrën si luspa peshku, janë shenjë stilistike e pikturës së tij, vështirë e kopjueshme.

Them se i ka hije këtij piktori të sillte një mori portretesh të gjirokastritit të madh Ismail Kadare, ku ajo fle pikërisht në fletët e romaneve të tij. Kjo duo e denjë, e fjalës dhe e imazhit, kur piktori merr ngasje nga shkrimtari, në thelb është fisnike. Por dhe përtëritëse. Portreti i Kadaresë vjen në disa versione, por të gjitha kanë të përbashkët mprehtësinë. Mprehtësia që ravijëzohet në fytyrë. Sidomos te sytë.

Në shijen time mbeten posaçërisht “Profil”, 2014, “Kronikani”, 2004-2014 dhe “Portreti i madh” 2015. Përveç portreteve shkrimtari është dhënë edhe si një udhëtar, ku nga më të gjeturat është “Muri”, 2010, që të sjell ngrehinën e tmerrshme të Komitetit Qendror të PPSH, në cep një ushtar me armë, në thellësi një lider (ndoshta Enver Hoxha); ecja e shkrimtarit ka refuzim ndaj gjithë këtij peizazhi të zymtë e të lemerishëm, është një sfidë, një shpërfillje, mëria e njeriut të lirë e të mbushur me dritë. Te “Një qiell i madh” është po ajo ecje e sigurt në vetvete, por tashmë s’ka “mure”, terr, lemeri, përçudnim, përkundrazi një hapësirë e paanë, gati parajsore, ku drita bëhet edhe më zotëruese.

Në suazën e pikturave kushtuar Kadaresë dy janë sipas meje, tepër të gjetura. E para tabloja “Ura e lumit”, 2015, që të kujton romanin e njohur të shkrimtarit “Ura me tri harqe”, por shkon përtej kësaj ngasjeje, sepse figura e plotë dhe e madhe e Kadaresë është vendosur pikërisht mbi urë, në mes të saj, vetëm me njërën këmbë të mbështetur aty, në një ekuilibër të brishtë, e megjithatë i qëndrueshëm. Kësodore nga romani kalohet te fati i Kadaresë në diktaturë, “në teh të briskut”, mes një toke, lumi e qielli të përgjakur, me dritë-hije të shumta në pardesynë dhe fytyrën e tij. Ndoshta dy brigje lindje-perëndim, jug-veri, gegë-toskë, jetë-vdekje, dhunë-liri, të flasësh-të heshtësh. Dilema pa fund.

E prapë se prapë fytyra e shkrimtarit është stoike, gati indiferente, përtej shtjellës, rrezikut, vorbullës politike e kozmike. Tabloja e dytë “Dritarja”, 2016, të sjell menjëherë ndërmend romanin e famshëm, kurorë e atij qyteti, “Kronikë në gur” me tufën e grave në odën e madhe gjirokastrite, me dylbitë dhe thashethemnajën, kjo kureshtje e pashuar provinciale, një lloj medie groteske; aty është dhe Kako Pinua e famshme, aty është edhe shkrimtari në moshën e fëmijërisë, aty janë e mira dhe e keqja, e reja dhe e vjetra, bukuria dhe shëmtia, filxhani i kafesë, ëndrra. Ndërsa poshtë qyteti frymon, zhytur në ngjyrë: djathtas një vrasje për gjak a dashuri e në qendër vajza gjimnaziste që shëtisin, teksa qielli sjell e risjelle kalin e Kostandinit me Doruntinën si baladë e tretur në ëndërr...


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Behgjet Pacolli: Kam dy vajza nga lidhje jashtëmartesore

Behgjet Pacolli: Kam dy vajza nga lidhje jashtëmartesore