E dhimbshme ka qenë deklarata e vajzës së elektriçistit shqiptar që humbi jetën së bashku me dy kolegë të tjerë në mënyrë tragjike dy ditë më parë në ishullin Evia të Greqisë. Shqiptari i identifikuar si Aleks Bruka u godit nga rryma 20 mijë volt dhe për 2 orë qëndroi i varur në shtyllën e tensionit.
Vajza e 45-vjeçarit shqiptar, Kerta, duke folur për mediat greke, tha se babai i saj e bënte këtë punë prej 15 vitesh dhe gabimi i personave të tjerë shkaktoi tragjedinë.
“Po jetojmë në një çmenduri. Po mundohemi të organizojmë udhëtimin e fundit të babait për në Shqipëri. Këtë punë e bënte prej shumë vitesh. Në fakt, këtë vit do të mbaronte shkollën e elektriçistit, do të diplomohej dhe nuk do të ngjitej më nëpër shtylla. Për fat të keq, të tjerët e bënë gabimin, të tjerët nuk e dinin punën dhe na e morën babain nga duart. Shpresoj që autoritetet ta hetojmë mirë këtë çështje sepse asgjë nuk ka ndodhur papritur. Nuk ishte hera e parë që babai im bënte këtë punë. Është ngjitur nëpër shtylla për të paktën 15 vite. E dinte mirë këtë punë”, ka thënë vajza 20-vjeçare e shqiptarit.
Kujtojmë se ngjarja tragjike ndodhi 2 ditë më parë 50 metra nga qendra e fshatit dhe para syve të dhjetëra banorëve, të cilët panë pa frymë skenën e vdekjes së tmerrshme të elektricistëve. Sipas mediave greke nga dëshmia e qytetarëve që panë çdo gjë, vdekja e 45 vjeçarit shqiptar me origjinë nga Rrësheni dhe babai i tre fëmijëve ishte e tmerrshme.