"Airport"/ teza e nacionalizmit
dhe bashkimi me Kosovën

dhe bashkimi me Kosovën">
TIRANE - Emisioni "Airport" drejtuar nga Mira Kazhani trajtoi sonte në studion e "A1Report!" temën:Pse ra teza nacionaliste. Të ftuar ishin: Prof.Myslym Pasha, hartograf; Prof.Pëllumb Xhufi, historian dhe Ahmet Dursun, gazetar turk që jeton prej 22 vjetësh në Shqipëri. Gjithashtu, një lidhje telefonike u realizua me deputetin e Vetëvendosjes dhe nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

PASHAJ: BASHKIMI KOMBETAR PATJETER QE DO VIJE, DUKE U KRIJUAR KUSHTET HAP PAS HAPI


Prof.Pashaj tha: “Unë nuk jam ndarë nga lëvizja kombëtariste shqiptare. As Pëllumb Xhufi. Ne besojmë se ajo duhet të ketë një lidership shqiptar kombëtar. Ne do ta riformësojmë atë. Kauza kombëtare ka kryefjalë bashkimin kombëtar. Po ai nuk mund të vijë menjëhërë, në mënyrë groteske, duhen krijuar kushtet. Dhe kushtet do vijnë se s’bën. Nëse ne kemi tani dy shtete, amën dhe Kosovën, bashkimi do ndodhë se s’bën por nuk mund të behet me një klikim. Por problemi i shqiptarëve të tjerëve në Ballkan nuk mund të bëhet tash për tash. Pse të mos luftojmë që ata të mos jenë të dorës së dytë? A e dini se Serbia thotë se “kërthiza” e kombit tonë është në Kosovë?!”

DURSUM: DIASPORA SHQIPTARE ESHTE ANASHKALUAR DHE NUK ESHTE VLERESUAR


Gazetari Dursum nga ana e tij tha: “Në partitë politike shqiptare unë shikoj një mungesë të theksuar ideologjie. Që nga 1991 jetoj në Shqipëri dhe kam parë të mirat dhe të këqiat. Jam shqiptar i diasporës në Turqi. Është për të ardhur keq që asnjë nga shqiptarët e diasporës në botë nuk ka pasur ftesë për 100 vjetorin e Pavarësisë. Shqiptarizmi ka lëshuar filizë në gjithë botën, por nëse nuk kujdesesh për to, ato mund të thahen.”

XHUFI: ALBANOFOBIA DUHET REFUZUAR

Prof.Xhufi foli lidhur me deklaratat nacionaliste të Kryeministrit, që u kritikuan edhe nga ndërkombëtarët, tha: “Ne pamë një sjellje që ishte vërtet qësharake. Vërtet që drejtuesi i AK-së kaloi çdo cak të lejueshëm me ekzaltimet e tij, por edhe Kryeministri doli nga strofka. Ka shumë raste në këto vite që së paku një herë të vetme, Kryeministri kishte mundësinë të thoshte "jo" si kur u përmbysën varrezat shqiptare në Kosinë apo kur u hap një shkollë greke në Himarë; të thoshte "jo" kur i imponuan që në regjistrimin e popullsisë të fuste edhe elementët e deklarimit të kombësisë, por ai e bëri për t’i bërë qejfin dikujt. Papritur, ai del e na flet për kufijtë në Prevezë! Kjo është albanofobia, që nuk ka nisur sot, por ka nisur qëkur e ne duhej të mos e pranonim, jo të bënim mik Nikolas Gejxh apo një kryetar bashkie në Himarë. Partia Socialiste nga ana e saj duhet vlerësuar për gjestin patriotik që bëri, përfshirjen e çështjes çame në programin e saj".

KONJUFCA: KUSHTETUTA E KOSOVES PO MODELOHET SIPAS SERBISE

Për çështjen e nacionalizmit u pyet në telefon edhe z.Konjufca, i cili tha se politika zyrtare në tërësi karakterizohet shumë nga interesat personale duke iu mbivendosur atyre kombëtare e mund të vërehet diku më shumë e diku më pak, në të gjitha vendet. "Unë jam më kompetent të flas për Kosovën", - tha ai. -"Partitë politike, kur vjen puna tek mbrojtja e çështjes kombëtare, s'e bëjnë si duhet, bëjnë kompromise. Madje tani po e modelojnë shtetin tonë sipas një shteti armik, Serbisë. E kam fjalën për marrëveshjen e Veriut".  

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Bomba ruse mbi jetimoren në Sumy, edhe 2 fëmijë të plagosur! Moska avancon në rajonet e Donetskut, Kievi i përgjigjet

Bomba ruse mbi jetimoren në Sumy, edhe 2 fëmijë të plagosur! Moska avancon në rajonet e Donetskut, Kievi i përgjigjet