Ajazi: Mysybetët destruktivë të politikës

Ajazi: Mysybetët destruktivë të politikës

Në Shqipëri nuk ka (dhe nuk ka patur kurrë) një shkollë që pergatit dhe formon politikanë, dhe kjo ka bërë që në 30 vjet tranzicion të bëhen pjesë e saj njerëz që kurrë nuk e kishin menduar se një ditë do të ishin kaq të rëndësishëm. Ne nuk kemi një traditë të hershme ku të përcaktohet se politika ka qenë dhe mbetet prioritet i një shtrese të caktuar.

Kush nuk ka hyrë në politikë pas 1992, kush nuk u bë pjesë e saj, nga bujku dhe blegtori, tek polici dhe doktori, nga mësuesi dhe traktoristi, nga karpentieri tek baristi, madje ka prej tyre që janë bërë fët e fët, edhe ministra dhe presidentë në këtë vend. Shkurt, në Shqipëri sot ka një kastë milionerësh, që pa asnjë mëdyshje mund të quhen ndryshe si “mysybetët destruktivë të politikës”.

Ata sot janë të krimbur në para, janë pronarë biznesesh, janë persona “VIP” që i thërret ekrani dhe gazeta, që i gjen në lokale dhe restorante të shtrenjta apo më keq akoma, dhe në tryeza partish, ku hiqen sikur diskutojnë për “hallet e kombit dhe të popullit”. E vetmja gjë që mësuan dhe zbatuan ata në këto 30 vjet, ishte “dera e mbyllur e partisë dhe pasurimi vetjak dhe familjar”.

Një babëzi e çmendur, një katrahurë e paparë, një lukuni e madhe që është drejtuar nga kryelukunari, që ka mbajtur dhe po mban peng politikën, partinë, po mban fort rreth vehtes celulën e ngushtë të mediokritetit që i quan “kolegë politikanë”. Dera e mbyllur, ka qenë dhe mbetet filozofia e drejtimit dhe drejtpeshimit të postit dhe autoritetit, në partitë e tilla që drejtohen nga mysybetët destruktivë.

Ata janë gjithmonë të prirur të thurrin skenarë, intriga dhe plane që sjellin anarshi, që ndjellin dhunën dhe derdhin gjak. Shqipëria ka afro tre dekada që vuan nga një grusht politikanësh të tillë, që duhej të ishin me kohë para drejtësisë, madje disa prej tyre duhej të ishin me kohë pas hekurave.

Ata në gjithë këto vite ngritën “perandorinë” e tyre të mashtrimit, antiligjit, ngritën në sistem korrupsionin, trafiqet e paligjshme, kontrabandën, shkatërruan administratën, morën peng institucionet kushtetuese, mbollën kudo injorancën , rrënuan vlerat dhe rikthyen analfabetizmin.

Nën hije dhe nën rrogoz, ata ngritën “shtetin paralel” në gjykata dhe prokurori, dhe nuk lanë strukturë ligjzbatuese pa degraduar.

Në nivel qëndror dhe lokal, mysybetët destruktivë të politikës, e delegojnë frymën e tyre, janë stoikë në vazhdimin e vijës së tyre brënda partisë, madje më të “prekurit” janë të rinjtë që u afrohen 

Ata testojnë vlera të veçanta tek “gjaku i ri” i partisë, siç janë paaftësia, pabesia, paskrupullsia, idiotësia, paturpësia, përulësia, (vetë) mohimi i gjithçkaje që duket, dhe vlerësimi i asaj që nuk duket, besnikëria ndaj Të Madhit, dhe kjo e fundit ka rëndësi të madhe.

Ajo çfarë po ndodh sot në krahun politik të mysybetëve destruktivë, ngjet më tepër me një tragjikomedi, brënda së cilës po digjen të “njomët” sepse të thatët nuk i ka gjetur gjë deri tani.

Duke i përdorur si “kavie të përkohshme” ekranesh dhe thjesht si llap-llap-llap-e ditore, të “njomët” e asaj politike, po testohen në garën e rradhës, për të qenë të denjë për “listën e ardhshme për deputet”.

Duke ecur mbi tela të ndryshkur, dhe duke mashtruar dynjanë se “ne kemi eksperiencën e Të Madhit, dhe do të fitojmë” ata po e shtyjnë “gjakun e ri të partisë” të gabojnë, të mashtrojnë, të shkelin ligjin.

O mysybetër, Shqipëria mbi të gjitha dhe jo pasuria. Keni përdhosur flamurin, dinjitetin e këtij vendi, keni nxirë gjithçka të bukur që kemi, por edhe keni penguar sa keni mundur ecjen tone përpara.

O mysybetër, hiqni dorë nga ligësitë, demander pardon, (kërkoni falje) për ç’farë keni bërë, ora e ndëshkimit ligjor po afron, dhe ju nuk e ndalni më kurrë atë./tema

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e 14 vjeçarit/ Policia reagon për dëshminë e babait të shokut të Martinit: Nuk ka një autor të dytë

Vrasja e 14 vjeçarit/ Policia reagon për dëshminë e babait të shokut të Martinit: Nuk ka një autor të dytë