TIRANE- Aleanca KuqeZi duke reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Berisha në mbledhjen Këshillit të Ministrave, paraditen e sotme, e fton atë të tregojë lidhjet me Ilir Xhaken dhe të publikojë fotot që ka dalë dalë krahë për krahë me disa vrasës.

“Aleanca KuqeZi i bën thirrje shtetasit Sali Berisha të tregojë urgjentisht lidhjet e tij të ngushta me të pandehurin Ilir Xhakja dhe arsyet e lirimit të tij pak kohë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 8 Majit të vitit 2011. Aleanca KuqeZi e fton shtetasin Sali Berisha të botojë në të gjithë gazetat e tij fotot në të cilat ka dalë krahë për krahë me disa nga vrasësit e Shijakut, Sukthit, Maminasit dhe Durrësit në fushatën elektorale në qarkun e Durrësit.
Gjithashtu Aleanca Kuqezi fton shtetasin Sali Berisha të publikojë listën e plotë të gjithë vrasësve të liruar me urdhër të ministrit të drejtësisë në para zgjedhjeve të vitit 2009 dhe 2011. “- thuhet në njoftimin për shtyp të përcjellë për median nga AK pas deklaratës së Berishës.

AK e fton kryeministrin “të mos humbasë qetësinë në prag të publikimit të dosjes së krimeve të kryera prej tij gjatë 22 viteve të sundimit në politikën shqiptare”. Ai shton se shumë shpejt do të vërë para publikut “dosjen e plotë të lidhjeve të Sali Berishës dhe Sokol Olldashit më eksponentë të rrezikshëm kriminalë në prag të fushatave elektorale dhe zgjedhjeve të mbajtura.”

Deklarata e AK mbyllet duke informuar se kryetari i kësaj partie nuk ka kryer asnjë shkelje në postin e Zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e vërtetuar kjo dhe nga komisioni hetimor. “Në përfundim të hetimit të detajuar nga komisioni hetimor rezultoi se Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë kishtë kryer vetëm një shkelje atë të prishjes së marrëdhënieve të shtetasit Sali Berisha me qarqët anti-shqiptarë të Athinës.”
(sg/shqiptarja.com)