TIRANE - Aleanca Kuq e Zi ka denoncuar sot pjesëmarrjen e këshilltarit të Ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, në festimet e 99-vjetorit të të ashtuquajturit “VORIO-EPIR”

Në foton që Aleanca Kuq e Zi ka publikuar duket Theofan Kaliviotis, këshilltari i ministrit Ksera në rreshtin e parë të festuesve të 99-vjetorit të pavarësisë së "Vorio Epirit" në qendër të Athinës.

Për këtë person Aleanca Kuq e Zi ka depozituar në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla kallëzimin penal pak ditë më parë.

Pas rastit të sotëm Aleanca Kuq e Zi i bën thirrje Prokurorit të Përgjithshëm “që të marra masa të menjëhershme ndaj Spiro Kserës i cili paguan me paratë e taksapaguesve shqiptarë, anëtarët e "Agimit të Artë" duke punuar drejtpërsëdrejti për destabilizimin e jugut te Shqipërisë”

“Këto akte të ulëta dhe tendencioze të Spiro Kserës dhe këshilltarëve të tij të "Agimit të Artë" meritojnë vëmendjen e të gjithë opinionit publik shqiptar dhe institucioneve zyrtare të hetimit për ti dhënë dënimin e merituar këtyre shtetasve anti-shqiptarë të cilët shkelin Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, integritetin territorial të Shqipërisë dhe dinjitetin e Shqiptarëve”- thuhet në deklaratën për mediat të AK.

Aleanca Kuq e Zi thekson më tej në deklaratën për mediat se zotohet që do t'i japë këtyre zyrtarëve anti-shqiptarë dhe shtetasit Sali Berisha që paguan këta zyrtarë, goditjen e merituar më 23 Qershor.

vorio epir
(Foto: I pari Theofan Kaliviotis, këshilltari i ministrit Ksera në rreshtin e parë të festuesve të 99-vjetorit të pavarësisë së "Vorio Epirit" në qendër të Athinës)
Redaksia Online
(j.d/Gre.M/Shqiptarja.com)