BURREL - Aleanca KuqeZi zhvilloi paraditen e sotme tubimin e saj politik në qytetin e Burrelit.  Kryetari i Aleancës Kuq e Zi Kreshnik Spahiu i bëri thirrje qytetarëve të Burrelit për "Pranverën Shqiptare" dhe rrëzimin e Sali Berisha dhe koalicionit të tradhëtarëve përpara zgjedhjeve të 23 qershorit.

"Është koha të përmbysim koalicionin e tradhtarëve që po rrënon çdo ditë dhe më shumë jetën e çdo shqiptari dhe po shkatërron Shqipërinë në çdo cep të saj me privatizime klienteliste dhe korruptive. Shtetasi Berisha grabiti pasuritë kombëtare të shqiptarëve por ai do të përgjigjet përpara drejtësisë për çdo qindrake të vjedhur të shqiptarëve. Koalicioni i tradhtarve do të ndëshkohet më 23 Qershor, ata do të marrin goditjen historike nga vota e shqiptarëve. Vota kuqezi është votë për Shqipëri. Aleanca KuqeZi është Aleanca e shqiptarëve kundër tradhtarëve", deklaroi Spahiu.

Më tej kryetari i AK-së, Kreshnik Spahiu u ndal dhe në qytetin e Bulqizës. Në fjalën e tij, spahiu u ndal te gllabërimi i pasurisë publike sipas tij nga Kryeministri Sali Berisha.

"Bulqiza ka pasuri të pafundme por Sali Berisha e ka lënë pas dore këtë qytet jo pa qëllim, por sepse është pjesë e politikave të tij shkatërrimi dhe shfrytëzimi i jetës së shqiptarëve. Ai kërkon që minatorët të vdesin në miniera dhe të mos arrijnë të marrin pensionet që u takojnë me mundin dhe djersën e tyre. Ky njeri do të ikë nga pushteti dhe po kërkon që ta lërë vendin në kolaps dhe rrënim total", tha Spahiu.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)