SARANDE - Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, gjatë një takimi që zhvilloi sot me simpatizantë të tij në qytetin e Sarandës, akuzoi Kryeministrin Berisha se është financues i “Agimit të Artë”, forcë politike e ekstremit të djathtë në Greqi.

“Po na grabisin detin, bregun dhe historinë. Kalaja e Lëkursit është privatizuar në mënyrën më të turpshme nga ministri grek i qeverisë së shtetasit Berisha. Turp, turp dhe turp të shesësh historinë mijëra vjeçare për interesa personale; është skandal dhe përtej skandalit!”, tha Spahiu.

Duke u ndalur tek përbërja e qeverisë së “shtetasit Berisha” - cilësuar kështu prej AK-së, Spahiu vuri theksin tek përbërja e saj: “Asnjë ministër nga Saranda nuk është në përbërjen e qeverisë së shtetasit Berisha, por vetëm minoritarë si Spiro Ksera dhe Vangjel Tavo, që financojnë me paratë e shqiptarëve, krerët e organizatave për pavarësinë e Vorio Epirit! Sali Berisha është bërë zyrtarisht financuesi i zyrës së “Agimit të Artë” jo në Sarandë, por në zemër të kryeqytetit shqiptar, në qëndër të Tiranës.”

Aleanca Kuq e Zi, në përfundimit të takimit të saj politik me mbështetësit sarandiotë, ka shpërndarë edhe rreth 200 karta anëtarësie.

Gjatë zhvillimit të takimit të Aleancës Kuq e Zi, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, me mbështetësit e tij kanë realizuar një takim paralel. Për këtë fakt, Spahiu deklaroi: “Dule ka marrë urdhër nga Athina që të bashkohet me koalicionin e tradhtarëve, por Saranda dhe e gjithë Shqipëria do ta rrëzojnë koalicionin e tradhtarëve në pushtet më 23 qershor!”.

(ash/shqiptarja.com)