TIRANE- Përfaqësues të Aleancës Kuq e Zi dorëzuan sot në Prokurorinë e Përgjithshme “Kallzimin Penal” kundër Ministrit të Punës dhe Cështjeve Sociale Z.Spiro Ksera për shpërdorim të detyrës dhe funksionit të lartë duke financuar individë që kontribuojnë në destabilizimin e jugut. Rreth orës 10;00 të paradites së sotme, sekretari i Marrdhënieve me Publikun në Aleancën Kuq e Zi Rezar Balla dorëzoi pranë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm Z.Adriatik Llalla kallzimin penal.

“Sapo dorëzuam kallzimin penal ndaj Ministrit të Punës Z.Spiro Ksera i cili me paratë e taksapaguesve shqiptarë paguan prej katër vitesh Theofan Kaliviatis i cili është kreu i organizatës për “Pavarësinë e Vorio Epirit”. Pak ditë më parë Aleanca KuqeZi denoncoi këtë skandal të paprecedentë të një zyrtari të lartë të qeverisë së shtetasit Sali Berisha. Ne kërkojmë që Prokuroria e Përgjithshme të nisë sa më parë hetimin zyrtarë për shtetasin Spiro Ksera dhe të marrë të gjitha masat që ky zyrtar të ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi të parashtuara në kallzimin penal të Aleancës Kuq e Zi”deklaroi Balla.

Kallzimi vjen në kuadër të fushatës se prezantuar nga Aleanca Kuq e Zi “Fytyrat e Krimit”. Sipas AK ky është kallzimi i parë penal ndaj një zyrtari të lartë të qeverisë Berisha i cili sipas AK-së hap siparin e dhjetra kallzimeve të tjera që do t’i bëjë publike në periudhat që do të pasojnë. Dosjet janë të përgatitura nga Departamenti Juridik I Aleancës Kuq e Zi. “Ka ardhur koha që shqiptarët të njohin realisht se cilët janë zyrtarët e lartë që punojnë për qarqet anti-shqiptare dhe që paguhen me paratë e shqiptarëve. Është koha për ndëshkimin e tradhëtave dhe koalicionit që ka shitur, po shet dhe do të shesë interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve” përfundoi deklaratën e tij Sekretari i Marrdhënieve me Publikun Rezar Balla

Redaksia online

(sg/shqiptarja.com)