TIRANE - Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kuq e Zi, Myslim Pashaj mbajti sot një deklaratë për shtyp si reagim për çeljen e zyrës për mbrojtjen e komunitetit serb në Libofshë të Fierit.

Në emër të Aleancës Kuq e Zi, Pashaj denoncoi këtë akt provokativ, siç e cilësoi ai sipas metodave “Millosheviçiane”.

“Jemi dëshmitarë të çeljes së Zyrës për Mbrojtjen e Komunitetit Serb në qytetin e Fierit, i cili në të vërtetë është një bashkësi me origjinë boshnjake dhe jo serbe. Ata nuk janë autoktonë, sikundër janë shqiptarët etnikë në Luginën e Preshevës. Në Rreth Libofshë e rrethinë nuk ka bashkësi serbe por etni boshnjake emigratore e shndërruar në fenë Islame”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kuq e Zi.

Nga ana tjetër, Pashaj denoncoi dhe deklaratat farsë të kryeministrit Sali Berisha i cili gjatë festave të 28 Nëntorit tha se do të mbronte interesat e kombit shqiptarë nga Preveza në Preshevë.

“Në këto kushte dite pas dite Sali Berisha i Regjimit po i shpërfill interesat kombëtare, mashtron dhe manipulon me çështjen e bashkimit kombëtar dhe çuditërisht përkujdeset në mënyrë të paskrupull për të hapur Zyra gjithnjë të dyshimta për të ashtuquajturat bashkësi serbe si një operacion antikombëtar dhe proserb”, deklaroi Pashaj.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)