Akademia e Forcave të Armatosura ka përgenjeshtruar Partinë Demokratike lidhur me pretendimet se presidenti Bajram Begaj është i angazhuar si pedagog edhe pse nuk i lejohet dypunësimi. Kjo ishte një nga 7 shkeljet që pretendon PD se ka kryer Begaj dhe që u renditën nga Gazment Bardhi dy ditë më parë.

Në një deklaratë zyrtare, Akademia e FA thekson se Begaj ka qenë pjesë e ekipeve të kërkimit shkencor ushtarak dhe është angazhuar në udhëheqjen e temave shkencore të doktoraturës gjatë periudhës 2013 – 2018.

"Akademia e Forcave të Armatosura përgënjeshtron të gjitha akuzat e ditëve të fundit në lidhje me pagesat e kryera ndaj Presidentit të Republikës së Shqipërisë, njëkohësisht Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, sh.t.z. Bajram Begaj. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, sh.t.z. Bajram Begaj, në funksionet e tij të mëparshme si mjek ushtarak, ka qënë në të kaluarën pjesë e ekipeve të kërkimit shkencor ushtarak së bashku me një staf akademik prej 15 profesorësh dhe është angazhuar në udhëheqjen e temave shkencore të ciklit të tretë të studimeve (Doktoratë) në periudhën 2013 - 2018 pranë AFA.", thuhet në reagim. 

Akademia sqaron se pagesat janë të prapambetura jo vetëm për Begaj por për të gjithë personelin akademik dhe janë shlyer gjatë 2022-2024. Procesi, thotë Akademia, është zhvilluar në mënyrë transparente dhe me dokumentacion të plotë dhe mund të verifikohet lehtësisht. 

"Sqarim mbi pagesat: Në lidhje me pagesat të cilave i janë referuar disa media, sqarojmë se: për angazhimin e stafit akademik gjatë viteve 2013 - 2018, Akademia e Forcave të Armatosura, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me aktet nënligjore që rregullojnë arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë, ka shlyer gjatë viteve 2022 dhe 2024 detyrimet e prapambetura financiare ndaj të gjithë personelit akademik të përfshirë në këtë proces.

Procesi është zhvilluar në mënyrë të barabartë, transparente dhe me dokumentacion të plotë financiar e administrativ, i cili mund të verifikohet nga çdo institucion kompetent. AFA mbetet plotësisht e hapur për çdo verifikim nga organet përgjegjëse dhe fton median të ushtrojë misionin e saj mbi bazën e fakteve të verifikuara, duke shmangur keqinformimin e opinionit publik.", vijon më tej Akademia. 

Begaj depozitoi dy ditë më parë në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Begajt, duke renditur 7 shkelje nga dekretimi i zgjedhjeve në Tiranë, kërkesa e Presidentit në Kushtetuese për sqarimin e mandatit të anëtarëve të kësaj gjykate, dekretimi i Diellës ministre, dekretimi i ligjit për komisionet hetimore, apo edhe akuzat se lejoi përfshirje të trupës diplomatike dhe kabinetit të tij në zgjedhje. Po ashtu, PD pretendon se Begaj rezulton i punësuar në një klinikë private në Tiranë, si edhe ka favorizuar një kompani sigurimesh duke i dhënë tenderët e Presidencës, ndërsa ajo në këmbim i ka punësuar djalin fiktivisht.