Akademia e Sigurisë/ Certifikohen 387 kursantë të rinj të Policisë
Gjatë ditës së sotme në ambientet e Akademisë së Sigurisë u zhvillua ceremonia e betimit dhe certifikimit të kursantëve, që përfunduan Programin e Shkollimit “Kolegji i Policisë”, kursi i XI-të. VIDEO
Gjatë ditës së sotme në ambientet e Akademisë së Sigurisë u zhvillua ceremonia e betimit dhe certifikimit të kursantëve, që përfunduan Programin e Shkollimit “Kolegji i Policisë”, kursi i XI-të.
Të pranishëm ishin Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Rebani Jaupi, Drejtori i Akademisë së Sigurisë Drejtues i Lartë Bilbil Memaj, Zv.Ministri i Brendshëm Z.Julian Hodaj, Drejtori i Kolegjit të Policisë Drejtues Ylli Vasili, Drejtori i SHÇBA-së Z.Eduart Merkaj si dhe përfaqësues të Misioneve të huaja që asistojnë Policinë e Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Rebani Jaupi në këtë ceremoni ka përshëndetur punonjësit e rinj të Policisë, duke i inkurajuar ata në profesionin e tyre si dhe ka theksuar se reformimi i sistemit arsimor është një nga pikat më të rëndësishme në reformën e ndërmarrë nga Policia e Shtetit, me qëllim krijimin e bazave të qëndrueshme dhe në përshtatje me kërkesat e kohës për një Polici të Re, për një Polici të Gjeneratës tjetër.
“Të jesh punonjës policie është një sfidë që kërkon nga secili prej jush përkushtim, devotshmëri dhe sakrifica të panumërta. Ne jemi krenar për ju, si brezi më i ri, si fryma më e re e Policisë së Shtetit.
Përpara keni një karrierë të gjatë, ndaj dhe ju inkurajoj që asnjëherë të mos dorëzoheni para vështirësive apo pengesave. Mbajeni gjithmonë këtë pasion që keni sot për këtë profesion, luftoni dhe kërkoni gjithmonë më të mirën nga vetja, nga shokët dhe kolegët tuaj”.