TIRANE- Duke e konsideruar si një skemë, që bie në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e kthimit të pronave tek ish-pronarët, zyrtarë aktualë të AKKP, kanë filluar përpilimin e një dosje penale ndaj ish-kreut të AKKP Avenir Peka, dhe zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni që janë përfshirë në këtë proces. Sipas burimeve të AKKP bëhet fjalë për një proces tërësisht të paligjshëm, kjo jo vetëm se është kryer në kohë rekord, pra për 15 ditë, por ka dyshime të forta edhe mbi vërtetësinë e dokumentave të hartuar nga vetë zyrtarët e AKKP. Pikërisht topografë të këtij institucioni, me urdhër të Avenir Pekës, kanë kryer tre planvendosje të pasurive të pretendkuar nga tre privatët.

Këto plan vendosje janë hedhur mbi pronës ekzistuese të Gardës së Republikës, duke sjellë shkelje të rënda që karakterizohen juridikisht si “Shpërdorim detyre” dhe “Falcifikim të dokumentave”. Aktualisht për këto dy vepra penale, një grup juristësh të ekspertë të Agjensisë së Kthimit dhe Kompesimit të Pronave janë duke punuar me qëllim, përpilimin e një kallëzimi penal, i cili do dorëzohet pranë prokurorisë së Tiranës.

Dosja është ende në fazën fillestare të administrimit të materialit dhe shkeljeve të pretenduar, ndërkohë pritet që ajo të dorëzohet gjatë muajit Shkurt të vitit të kaluar. Bëhet fjalë për rreth 7 zyrtarë që do kallëzohen në prokurori, të cilët sipas burimeve pranë AKKP me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kanë vënë në jetë planin për rrëmbimin e pronave që zotërohen nga Garda e Republikës. Ky nuk është rasti i vetëm që AKKP është përfshirë në afera të tilla me trojet, pasi janë rregjistruar dhe raste të tjera, ku dhe janë marrë zyrtarë të lartë të pandehur.     

Shkrimi u publikua sot (12.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)