Kur u ri konstruktua para katër vitesh, rruga nacionale Rrëshen-Klos ishte një prej investimeve që kënaqi banorët, të cilët e vuanin prej vitesh amortizimin e saj. Por cilësia e punimeve që u kryen, rezultoi sa për të kaluar radhën pasi ky segment rrugor i është rikthyer gjendjes së mëparshme.
Gropat në të gjithë gjatësinë e saj, e bëjnë një sfidë me vete kalimin në të, duke dëmtuar edhe automjetet, ku duke qenë rrugë kombëtare, ka një fluks të lartë lëvizjesh. Në dy anët e rrugës, ka pasur edhe shembje të saj si pasojë e ditëve me mot të keq, duke bërë që të ngushtohet edhe gjatësia e asfaltit. Edhe pse duhet të ishin ndërtuar ura me parametra optimalë, në të janë sajuar disa që vetëm emrin kanë të tillë.
“Rruga është aq e keqe sa nuk ka ku shkon më tepër. Është prishur rruga, është shembur dhe ura. Mbi urë prishet asfalti, të gjitha urat janë kështu, të prishura. Ka dy vjet që është bërë dhe është prishur. Gjendja e rrugës është shumë e keqe. Ka abuzime me paratë që janë përdorur për të ndërtuar rrugën” ankohen banorët.
Ndërkohë, sa i takon kësaj situatë akuza ka edhe ndaj firmës kontraktuese, e cila duhet të merret me mirëmbajtjen e rrugës. Banorët jashtë kamerës, akuzojnë se ajo po nuk bën asgjë vetëm po vendos ca gurë anës rrugës.
Redaksia Online
A.Gj/Shqiptarja.com
VIDEO











