DIBËR- Dy vëllezër, Kujtim dhe Murat Istrefi, përkatësisht 57 dhe 76 vjeç, si dhe bashkëshortja e njërit prej viktimave (Kujtimit) Lulzime Istrefi, 46 vjeçe, nga Maqellara, kanë ndërruar jetë nga një aksident tragjik që ndodhi mbrëmjen e sotme në aksin Bulqizë-Maqellare në vendin e quajtur Fushë-Gjoricë, ndërsa 4 të tjerë mbetën të plagosur.

Dy vëllezërit gjetën vdekjen në vend, ndërsa Lulzimja vdiq rrugës për në spitalin e Bulqizës. Ndërkohë të plagosur kanë mbetur Mërgim Lazri 25 vjeç, Edison Lazri  28 vjeç, Kadrie Markeçi dhe Firuze Istrefi 56 vjeç. Mërigim dhe Edison Lazri janë nisur për trajtim më të specializuar drejt spitalit të Traumës, pasi kanë fraktura të shumta, ndësa në spitalin Rajonal të Peshkopisë po trajtohen Kadrie Markeçi dhe Firuze Istrefi 56 vjeçe, kunata e viktimave e cila udhëtonte me mjetin Mercedez 240.

Mjeti tip Mercedes Benz 240 ku udhëtonin Kujtim dhe Murat Istrefi, bashkë me Lulzime dhe Firuze Istrefin, ka dalë nga një rrugë dytësore duke dalë nga fshati Gjoricë, ku kishin qenë për vizitë dhe në momentin që kanë dalë në rrugën nacionale i kanë prerë rrugën mjetit tip MercedezBenz me targa angleze. Nga pamjet e siguruara nga gazetari i Report Tv Mahir Jangulli nga vendi i ngjarjes, shihet se makinat janë shkatërruar krejtësisht. Si pasojë e shpejtësisë përplasja ka qenë shumë e fuqishme dhe mjeti ku udhëtonin viktimat është ndarë në 2 pjesë.

Rruga ku ka ndodhur aksidenti është problematike pasi nuk ka asnjë kufizim të shpejtësisë, ka mungesë sinjalistike si dhe mungesë ndriçimi, kjo edhe për faktin se është një segment që është në ndërtim. Në natën e ndërrimit të viteve, po në aksin Bulqizë-Maqellare, shumë pranë vendit ku ndodhi aksidenti tragjik mbrëmjen e sotme, ndërroi jetë edhe 24-vjeçari Yllson Tasha.

Viktimat:
1. Kujtim Istrefi ( Dehari ) – 57 vjeç (Maqellarë – Dibër)
2. Murat Istrefi (Dehari) – 76 vjeç (Maqellarë – Dibër)
3. Lulëzime Istrefi (Dehari) – 45 vjeç (Maqellarë – Dibër)

Të plagosur:
1. Mërgim Lazri – 25 vjeç (Bllatë e Epërme – Dibër)
2. Edison Lazri – 28 vjeç (Bllatë e Epërme – Dibër)
3. Firuze Istrefi – 56 vjeç (Maqellarë – Dibër)
4. Kadrie Markeçi – 19 vjeç (Shupenzë -Dibër

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:56
‘Benzi 240’ i ndarë më dysh nga përplasja e fortë, pamjet e rënda nga aksidenti në Rrugën e Arbrit ku vdiqën 3 persona

Report Tv ka siguruar pamje nga aksidenti i rëndë që ndodhi mbrëmjen e sotme në Rrugën e Arbrit në aksin Bulqizë-Maqellarë, ku humbën jetën 3 persona dhe 4 të tjerë mbetën të plagosur. Përplasja ka qenë shumë e fortë, ndërsa ‘Benzi 240’ është ndarë më dysh. Nga aksidenti ndërruan jetë dy vëllezërit Murat dhe Kujtim Istrefi si dhe bashkëshortja e këtij të fundit Lulzime Istrefi, e cila vdiq rrugës për në spital.

Ora 20:10
Aksidenti tragjik në aksin Bulqizë-Maqellarë, kush janë 4 të plagosurit

1672857002_Screenshot3.jpg

Report Tv ka zbardhur identitetin e 4 personave që kanë mbetur të plagosur nga aksidenti tragjik në aksin Bulqizë-Maqellarë, kur ndërruan jetë 3 persona. Të plagosur kanë mbetur Mërgim Lazri 25 vjeç, Edison Lazri  20 vjeç, Kadrie Markeçi dhe Firuze Istrefi 56 vjeç, të cilët janë dërguar në spitalin e Bulqizës dhe po marrin ndihmën mjekësore.

Ora 20:00
Aksidenti me tre viktima në Rrugën e Arbrit, Çollaku: Tragjedi e paralajmëruar, i kam kërkuar Belinda Ballukut që të marrë masa

Deputeti demokrat Kreshnik Çollaku ka reaguar për aksidentin tragjik me 3 viktima në Rrugën e Arbrit. Çollaku shkruan se ky është një aksident i paraljmëruar dhe i ka kërkuar herë pas here zv.kryeministres dhe drejtueses së PS në Qarkun Dibër, Belinda Ballukut që të marrë masa për këtë aks pasi është ende i pambaruar.

"Aksidentet në “Rrugën e Arbrit”, një tragjedi e paralajmëruar. I kam kërkuar në mënyrë të vazhdueshme zv.kryeministres dhe drejtueses së PS në Qarkun Dibër, përtej çdo interesi politik apo partiak, të shtohen në mënyrë urgjente investimet në qarkun e Dibrës e sidomos në “Rrugën e Arbrit”. Një rrugë të pambaruar, pa ndriçim e parametra të tjera sigurie edhe sikur çdo kilometër të vendosen patrulla policore nuk e zgjidhin dot situatën e sigurisë rrugore.

Shumë mirë që shtrohen kalldrëmet e Beratit, të Përmetit, shumë mirë që hapen rrugë nga Tepelena për bregdet. Shumë mirë që nga Llogaraja kalohet me tunel në jug të bregut, por dhe në Qark të Dibrës ,Kukësit e në Veri të vendit jetojnë njerëz, duhen rrugë, ndriçim.

Duhen investime shtetërore në këto zona. Në seancën e fundit të parlamentit e paralajmërova zv kryeministren për këtë situatë të rrezikshme në Rrugën e Arbrit. Mjerisht këto ngjarje më dhanë të drejtë. Serish rrezik i shtuar në këto akse rrugore do të jenë ngricat që duket janë në derë. Veriu i vendit ka nevojë për investime strategjike dhe energjike. Kjo është një kërkesë që tejkalon interesat tona politike apo partiake. Kjo ka lidhje me përgjegjësinë njerëzore dhe shtetërore", shkruan Çollaku. 

Ora 19:36
Aksidenti tragjik në rrugën e Arbrit, kush janë 3 viktimat

1672856985_Screenshot4.jpg

Një aksident i rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në rrugën e Arbrit në vendin e quajtur Fushë-Gjoricë, me 3 të vdekur. Burime për Report Tv bëjnë me dije se 3 viktimat janë me të njëjtin mbiemër, konkretisht kanë humbur jetën Kujtim Istrefi, Murat Istrefi dhe Lulzime Istrefi.

Ora 19:34
Aksidenti me 3 të vdekur, policia jep detajet: 4 të plagosur në spital

1672856985_Screenshot4.jpg

Policia ka dhënë detaje nga aksidenti i rëndë në Bulqizë me 3 viktima.

“Rreth orës 18:15, në aksin rrugor Fushë Bulqizë-Shupenzë, në vendin e quajtur 'Ura e Gjoricës',  janë përfshirë në një aksident rrugor 2 automjete dhe për pasojë kanë humbur jetën në vendngjarje shtetasit K.I., dhe M.I. si dhe ka humbur jetën në spital shtetasja L.I.  Gjithashtu janë transportuar për ndihmë mjekësore në spital shtetaset  F.I., K.M., dhe shtetasit M.L., E.L.,  pasagjer në automjete. Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes po punon zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Ora 19:28
Një grua vdes rrugës për në spital, rëndohet bilanci i aksidentit tragjik në Rrugën e Arbrit

1672854324_sbhdsf.JPG
Ka shkuar në tre numri të vdekurve nga aksidenti në Rrugën e Arbrit mbrëmjen e sotme. Nje grua ka nderruar jete rruges per spital Peshkopi.